Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas vendimit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për të bojkotuar seancën e nesërme të Kuvendit. Opozita argumentoi se seanca është thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, duke e konsideruar të jashtëligjshme.
Balla i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se seanca e 17 marsit është propozuar dhe miratuar rregullisht një muaj më parë gjatë Konferencës së Kryetarëve të datës 18 shkurt 2026.
“Gënjeshtër! Seanca e nesërme është propozuar në Konferencën e Kryetarëve dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike). Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë”, shkruan Balla në rrjetet sociale.
Kreu i grupit socialist shpreh keqardhje për vendimin e opozitës dhe shton se bojkotimi është i papranueshëm, veçanërisht duke pasur parasysh se në rend dite është propozuar një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.
Balla thekson se qëndrimi i Shqipërisë përkrah SHBA-së ndaj veprimeve terroriste të Iranit është urgjent dhe se shpjegimet për këtë do të jepen gjatë Konferencës së Kryetarëve nesër. Ai gjithashtu ironizon se pretendimi i PD-së se seanca është thirrur jashtë rregullores duket më shumë si një lapsus se sa një argument i vërtetë.



