Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri thirrje deputetëve të opozitës të marrin pjesë në punimet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrative Territoriale, duke kujtuar se komisioni është ngritur mbi parimin e barazisë dhe bashkëdrejtimit.
Ai paralajmëroi se mund të aktivizohen mekanizma zhbllokues në rast se puna e komisionit pengohet, ndërsa nënvizoi se reforma territoriale duhet të ecë në përputhje me praktikat e Komisionit të Venecias dhe afatet që lidhen me zgjedhjet vendore.
Sa i përket ndërhyrjeve në ligjet e reformës në drejtësi, Balla theksoi se çdo ndryshim po bëhet me kërkesë dhe në koordinim të plotë me Bashkimin Europian. Sipas tij, Shqipëria është gjithashtu e detyruar të avancojë me reformën zgjedhore dhe të adresojë rekomandimet e ODIHR-it, duke theksuar se dialogu dhe gjithëpërfshirja nuk mund të realizohen pa pjesëmarrjen aktive të opozitës në proceset reformuese.
Deklarata e plotë:
E para dua të informoj publikun se jemi në një proces tejet intensiv shqyrtimi në kuvend të mjaft projektligjesh që lidhen me parakushtet që Shqipëria duhet të plotësojë sa i përket realizimit të aspiratës sonë historike për anëtarësim në BE. Besoj që ajo që raporteri për Shqipërinë Andresa Schieder tha gjatë vizitës në Shqipëri, se me këtë ritëm reformash Shqipëria i ka të gjitha shanset të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda vitit 2029 është diçka që secili prej nesh, anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht grupit politik ku bën pjesë të kuptojë që është një mandat historik. Pra kjo legjislaturë e këtij Kuvendit është një legjislaturë historike sa i përket intensitetit të punës me të cilën duhet punuar në kuvend.
I kam dëgjuar kolegët e opozitës të ankohen në Konferencën e Kryetarëve në fund të javës së kaluar se përse Kuvendi ka seanca të gjata dhe përse duhet të punojmë deri vonë dhe dua t’i them që seancat të tilla të gjata do jenë më të shpeshta, ndoshta me nevojën për të shtuar edhe numrin e seancave plenare gjatë një jave.
2026 sa i përket punës së Kuvendit të Shqipërisë, mendoj që do jetë një prej viteve parlamentare me intensitetin më të madh për shkak të numrit të madh të çështjeve. Ndodh shpeshherë që mund të kesh qoftë edhe një nen në një ligj për ta ndryshuar, për shkak sepse bën pjesë në atë setin e parakushteve të kritereve që duhen parë, shtuar këtu mungesën e një komunikimi ditën e enjte, kur kemi pasur Konferencën e Kryetarëve, dua të rikujtoj, unë nuk bëj ultimatume, unë e kam natyrë e njerëzve që bëjnë ultimatume, por kam bërë një kërkesë kolegëve deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të reflektojnë sa i përket detyrimit që kanë për zbatuar vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Administrative Territoriale.
Pra kemi rënë dakord, kemi ngritur një komision. Kemi rënë dakord që kemi vendosur parimin e barazisë dhe po ashtu të bashkëdrejtimit. E për pasojë, kur kemi thënë bashkëdrejtimin, edhe çdo shkresë që niset nga njëri bashkëkryetarëve duhet të kundërfirmoset edhe nga bashkëkryetari tjetër.
Jemi në kushtet që pothuajse tre muaj pas ngritjes së këtij komisioni të posaçëm, reformës administrative territoriale, reformë e rëndësishme sa i përket qëllimit tonë për të vijuar thellimin e përmirësimit të shërbimeve publike ndaj komuniteteve, jemi në situatën që deputetët e Partisë Demokratike nuk lejohen nga lidershipi i partisë së tyre që të marrin pjesë në mbledhjen e komisionit.
Besoj e shpresoj që sot në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Administrative Territoriale, jo vetëm deputetët e opozitës të jenë prezent, por të marrin dhe detyrat brenda kompozicionit të detyrave të komisionit, në mënyrë që nesër në seancën e Kuvendit të mos jemi të detyruar të vendosin mekanizmat zhbllokues të kësaj situate.



