back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetPD në prag shpërbërjeje?/ Balliu akuzon dhe hyn në garë kundër Berishës

PD në prag shpërbërjeje?/ Balliu akuzon dhe hyn në garë kundër Berishës

Alesia Balliu ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetare të PD, duke hyrë në një përballje të drejtpërdrejtë me Sali Berishen, i cili pritet të rikandidojë për drejtimin e forcës më të madhe opozitare në vend.

Në një reagim publik, Balliu e paraqet këtë garë jo thjesht si një konkurrim mes individësh, por si një përplasje mes dy modeleve të drejtimit të Partisë Demokratike: një modeli që, sipas saj, ka prodhuar humbje dhe krizë të brendshme, dhe një vizioni të ri që synon rikthimin e standardeve dhe besimit.

Ajo thekson se vendimi për të kandiduar vjen në një moment kur, sipas saj, partia ndodhet në një krizë të thellë, e shkaktuar nga mungesa e reflektimit dhe përgjegjësisë politike për humbjet e njëpasnjëshme. “Kjo parti nuk është në krizë rastësisht”, shprehet Balliu, duke shtuar se drejtimi aktual ka refuzuar të lexojë mesazhet e votës dhe të respektojë rregullat e brendshme.

Një nga pikat më të forta të deklaratës së saj lidhet me lidershipin dhe mënyrën e funksionimit të partisë. Balliu kritikon hapur modelin aktual, duke e cilësuar si një kulturë që vendos individin mbi partinë dhe partinë mbi demokratët. Sipas saj, kjo ka sjellë jo vetëm humbje elektorale, por edhe boshatisje të brendshme të Partisë Demokratike, si në aspektin e anëtarësisë, ashtu edhe të mendimit politik.

Në deklaratën e saj, ajo ndalet edhe tek çështja e respektimit të statutit dhe standardeve demokratike, duke paralajmëruar se shkelja e rregullave të brendshme minon besimin publik dhe e largon partinë nga misioni i saj fillestar. Po ashtu, Balliu ngre shqetësime për raportet me partnerët ndërkombëtarë dhe qëndrimet ndaj institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK.

Ajo argumenton se Partia Demokratike nuk mund të funksionojë si “pronë individuale”, por duhet të rikthehet në një hapësirë përfaqësimi për demokratët dhe një urë komunikimi me aleatët strategjikë të vendit.

Në thelb, Balliu e sheh kandidimin e saj si një përpjekje për të mbyllur një cikël politik dhe për të hapur një fazë të re për Partinë Demokratike. Ajo deklaron se nuk kandidon për një post, por për të rikthyer meritokracinë, përgjegjësinë dhe funksionimin institucional brenda partisë.

“Sfida nuk është mes meje dhe një individi, por mes dy modeleve”, thekson ajo, duke i bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të mos qëndrojnë spektatorë në këtë proces.

Gara për drejtimin e Partise Demokratike e Shqipërisë pritet të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo sfidë e re do të ndikojë në riformatimin e opozitës shqiptare apo do të thellojë më tej përçarjet brenda saj.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat