Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar këtë të premte sulmin ndaj banesës së deputetit të PD-së, Xhelal Mziu, të cilën e cilësoi si “akt terrorizmi shtetëror” me tritol.
Në një konferencë për media, Berisha tha se sulmi kishte për qëllim të mbyllë gojën opozitarëve dhe akuzoi policinë për politizim të thellë. “Është iluzion të besosh se policia do të zbardhë krimin politik. Policia është thellësisht e politizuar dhe nuk mund të presim drejtësi nga ajo,” deklaroi Berisha, duke kujtuar një rast të mëparshëm ku një polic që kishte bërë detyrën u ndëshkua nga “Proda e krimit”.
Berisha theksoi se banesa e deputetit Mziu u sulmua nga “banditë shtetërore” dhe se masa e eksplozivit ishte e konsiderueshme, duke shkaktuar dëme edhe në zonën përreth. Ai e lidhi këtë akt me qëndrimin e djeshëm antikushtetues të kryeministrit Rama ndaj parlamentit dhe opozitës.
“Ky akt ka vetëm një synim: të mbyllë gojën e opozitarëve. Për të gjitha këto, e garantoj Edi Ramën se do mbajë përgjegjësi maksimale,” tha Berisha.
Ai shtoi se kjo ngjarje është pjesë e një klimë të përgjithshme ku opozita përballet me sulme dhe presion shtetëror, duke theksuar nevojën për mobilizim dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.