Guvernatori Gent Sejko prezantoi në Komisionin e Ekonomisë raportin vjetor për vitin 2024, duke vëne theksin tek zhvillimet ekonomike të vendit. Ai thekosi se perspektiva ekonomike e Shqipërisë mbetet pozitive.
Sipas Sejkos, ekonomia do të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme, duke krijuar mundësi për rritje punësimi, page dhe mirëqenieje në afatmesëm.
Megjithatë, Sejko paralajmëroi për rreziqe afatshkurtra që lidhen me tensionet gjeopolitike dhe konfliktet tregtare, të cilat mund të ndikojnë në rritjen ekonomike dhe inflacionin.
Ai theksoi nevojën për reforma strukturore që të përqendrohen në rritjen e produktivitetit përmes arsimit, shëndetësisë dhe përmirësimit të klimës së biznesit, zhvillimin e infrastrukturës publike,
reduktimin e informalitetit dhe rritjen e konkurrencës, nxitjen e investimeve të huaja direkte në industri dhe energjetikë, si dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.
Guvernatori nënvizoi edhe sfidat e plakjes së popullsisë dhe reduktimit të forcës së punës, që mund të frenojnë produktivitetin dhe të ndikojnë në skemën e pensioneve.
Sa i takon zhvillimeve sektoriale, Banka e Shqipërisë kërkon që rritja ekonomike të jetë më e balancuar dhe e gjerë, jo e përqendruar në pak sektorë.
Në lidhje me kursin e këmbimit, Sejko bëri të ditur se gjatë vitit 2024 Banka ka blerë 914 milionë euro në tregun vendas, për të frenuar forcimin e lekut dhe për të qetësuar tregun valutor, proces që po vijon edhe në vitin 2025.