back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaBanka e Shqipërisë ruan normën bazë/ Shqetësim për çmimet e naftës

Banka e Shqipërisë ruan normën bazë/ Shqetësim për çmimet e naftës

Këshilli Mbikëqyrës i Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, ndërsa Guvernatori Gent Sejko theksoi se ekonomia shqiptare vijon një ecuri pozitive, por përballet me rreziqe të forta nga zhvillimet ndërkombëtare.

Në deklaratën e tij, Sejko vlerësoi se deri në tremujorin e parë të vitit 2025 ekonomia ka qenë në rritje, e mbështetur nga konsumi familjar, investimet private dhe eksporti i shërbimeve. Megjithatë, ai paralajmëroi se tensionet dhe konflikti në Lindjen e Mesme përbëjnë një burim “ekstrem rreziku” për ekonominë globale dhe atë shqiptare.

Sipas tij, rritja e menjëhershme e çmimeve të naftës dhe energjisë mund të ketë pasoja të ndjeshme, ndërsa efektet e plota janë ende të vështira për t’u parashikuar.

“Zgjatja dhe intensiteti i këtij konflikti mund ta shndërrojnë atë në një goditje serioze oferte, të krahasueshme me atë të luftës në Ukrainë në vitin 2022,” u shpreh Sejko, duke shtuar se një skenar i tillë do të ndikonte negativisht si në inflacion ashtu edhe në rritjen ekonomike.

Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë do të ndjekë një qasje të kujdesshme, duke marrë kohë për të vlerësuar ndikimet dhe për të monitoruar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Ai nënvizoi se çdo reagim i politikës monetare do të synojë ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe shmangien e presioneve afatgjata inflacioniste.

Në të njëjtën kohë, Sejko theksoi se ekonomia shqiptare vijon të mbështetet nga faktorë të brendshëm pozitivë, si bilancet e shëndosha të sektorit privat, rritja e të ardhurave nga turizmi dhe kushtet e favorshme të financimit.

Tregu i punës ka shfaqur gjithashtu performancë të fortë, me rritje të punësimit në sektorin privat jo-bujqësor me 5.6% gjatë vitit 2025, rritje të pagës mesatare me 8.5% dhe një nivel historikisht të ulët të papunësisë prej 8.3%.

Nga ana tjetër, ai vuri në dukje se rritja e pagave nuk është reflektuar plotësisht në çmime, për shkak të rritjes së produktivitetit dhe uljes së marzheve të fitimit të bizneseve. Megjithatë, tregu i punës vijon të mbetet nën presion për shkak të kërkesës së lartë për punonjës.

Sejko evidentoi gjithashtu se politika monetare lehtësuese gjatë vitit 2025 ka ndikuar në uljen e normave të interesit për kreditë dhe në rritjen e kreditimit. Portofoli i kredisë për sektorin privat është rritur me rreth 14% në dy muajt e parë të vitit 2026, duke mbështetur konsumin dhe investimet.

Në përfundim, ai theksoi se çdo goditje e mundshme nga jashtë do të kërkojë masa të kujdesshme monetare dhe fiskale, me fokus ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe mbrojtjen e shtresave më vulnerabël të shoqërisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat