back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 10 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetSocialeBanorët e Velipojës sfidojnë shtetin/ Nuk lëvizin pa u pezulluar resorti

Banorët e Velipojës sfidojnë shtetin/ Nuk lëvizin pa u pezulluar resorti

Banorët e zonës së Baks-Rrjollit në Velipojë vijojnë edhe sot protestat kundër zbatimit të projektit për ndërtimin e një resorti turistik në pronat e tyre, duke paralajmëruar se nuk do të tërhiqen deri në pezullimin e plotë të punimeve.

Më 6 shkurt, banorët ndaluan me forcë punonjësit e kompanisë që po kryente punimet, ndërsa përplasjet vijuan edhe ditët në vijim. Të shtunën, disa prej protestuesve u shoqëruan në komisariat nga policia. Sipas banorëve, presioni policor është shtuar, ndërsa ata shprehen se po kalojnë më shumë kohë në polici sesa në pronat e tyre.

Pronarët legjitimë të tokave theksojnë se çështja ndodhet në proces gjyqësor dhe se ndërtimi nuk duhet të vijojë pa një vendim përfundimtar. Leja e ndërtimit për resortin turistik në Baks-Rrjoll është firmosur nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, ndërkohë që autoritetet deklarojnë se hetimet janë në vijim.

Banorët kërkojnë një takim urgjent me investitorin Bashkim Ulaj, duke vendosur si kusht kryesor pezullimin e menjëhershëm të punimeve deri në arritjen e një dakordësie. Mes personave që pretendojnë se po u merret prona janë edhe qytetarë nga Kosova, të cilët deklarojnë se kanë blerë tokë në këtë zonë rreth 25 vite më parë.

Protestuesit paralajmërojnë se do të zhvendosin aksionin e tyre përpara Prokurorisë së Shkodrës dhe se revolta do të ashpërsohet nëse nuk gjendet një zgjidhje institucionale.

Në një deklaratë për mediat, banorët u shprehën se tokat janë trashëgimi brez pas brezi dhe i bënë thirrje shtetit, institucioneve dhe gjykatës që të ndërhyjnë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ata kërkojnë transparencë mbi dokumentacionin e pronësisë dhe një vendim të drejtë ligjor.

Një prej banoreve, Elena Pjeshka, tha për Syri TV se ajo dhe familja e saj kanë ardhur nga Anglia për të kërkuar drejtësi. Ajo e cilësoi situatën si një padrejtësi të rëndë dhe theksoi se familjarët e saj, përfshirë babanë dhe gjyshin, po përjetojnë pasoja të rënda shëndetësore nga stresi dhe trishtimi për humbjen e pronës.

“Duam drejtësi. Ajo tokë është e jona. Sot duam përgjigje nga shteti”, u shpreh ajo.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat