Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është pezulluar nga detyra dhe i është ndaluar largimi jashtë vendit.
Bardhi e ka konsideruar këtë si një hap pozitiv për drejtësinë, llogaridhënien dhe transparencën, duke theksuar se qytetarët që kanë denoncuar abuzimet kanë dalë fitimtarë.
“Rënia e Belinda Ballukut është çelësi i kapitullit, jo përrallat e Ramës! Sot është një ditë e mirë për luftën ndaj korrupsionit, për llogaridhënien dhe transparencën,” shkruan Bardhi në rrjetet sociale.
Ai shton se rruga drejt drejtësisë për abuzimet qindra milionëshe dhe krimet elektorale është ende e gjatë, ndërsa kritikon kryeministrin Edi Rama dhe Ballukun për mosmarrjen e përgjegjësisë dhe përpjekjet për të penguar drejtësinë.
Bardhi thekson se shkarkimi i menjëhershëm i Ballukut dhe dorëheqja e Ramës janë të vetmet hapa që mund të çlirojnë Shqipërinë nga, siç i quan ai, “sistemi i korruptuar qeverisës” që është ndërtuar gjatë 12 viteve të fundit.



