Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, dënoi me forcë sulmin terrorist në Zubin Potok, duke e cilësuar si pjesë të një plani destabilizues në rajon.
Ai bëri thirrje për hetime të shpejta nga institucionet e Kosovës dhe për më shumë angazhim nga misioni i NATO-s për të garantuar paqen dhe sigurinë.
Basha më tej thotë se mosvënia para përgjegjësisë së autorëve dhe ideatorëve të sulmit të armatosur terrorist në Banjskë është një dështim, pasojat e të cilit i vuan jo vetëm Kosova, por e gjithë arkitektura e sigurisë euroatlantike.
Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:
Dënoj me forcë aktin e terrorit në Zubin Potok dhe mbështes e inkurajoj institucionet e Kosovës që të hetojnë dhe zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë kriminale.
Sulmet ndaj infrastrukturës jetike, që penalizojnë qytetarët në furnizimin me ujë dhe energji, janë vepra terroriste të frymëzuara nga ata që duan me çdo kusht tensione dhe destabilizim në rajon. Ky sulm, që pason dy të tjerët në stacionin policor të Zveçanit dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit, tregon se pas tyre qëndron një skenar i përgatitur për destabilizim.