back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitet"Bashkim ose dështim"/ Ndoka apel opozitës dhe qytetarëve

“Bashkim ose dështim”/ Ndoka apel opozitës dhe qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka bërë thirrje për bashkim të opozitës dhe qytetarëve, duke theksuar se situata politike në vend nuk është më normale dhe se Shqipëria, sipas tij, po përballet me një qeveri të kapur nga korrupsioni dhe krimi zgjedhor.

Në një reagim publik, Ndoka u shpreh se dita e sotme nuk duhet parë si një ditë simbolesh apo flamujsh partiakë, por si një ditë bashkimi dhe qëndrese qytetare. Ai akuzoi qeverinë si më të korruptuarën që ka njohur vendi, duke theksuar se përgjegjësia politike dhe morale bie drejtpërdrejt mbi kryeministrin.

Sipas Ndokës, pushteti aktual mbahet në këmbë përmes manipulimit zgjedhor, korrupsionit të përhapur dhe përdorimit të shtetit për interesa personale, ndërsa opozita, sipas tij, vazhdon të sillet sikur vendi ndodhet në kushte normale demokracie.

Ai kritikoi mënyrën se si po organizohen protestat opozitare, duke i cilësuar ato si të fragmentuara dhe të paunifikuara. “Protesta me turne, secili me axhendën e vet dhe me llogari të vogla, nuk përbën pluralizëm, por fragmentizim të papërgjegjshëm dhe protagonizëm folklorik”, u shpreh Ndoka.

Kreu i Partisë Demokristiane theksoi se, ndonëse Shqipëria ka një sistem pluralist dhe parti të ndryshme politike, protesta nuk duhet të shihet si garë mes subjekteve politike, por si një akt mbijetese dhe qëndrese demokratike. Sipas tij, në kushte kur pushteti është i kapur nga krimi, dallimet politike duhet të lihen mënjanë.

Ndoka nënvizoi se bashkimi i opozitës nuk është një zgjedhje apo luks politik, por një detyrim kombëtar, ndërsa shtoi se qytetarët shqiptarë nuk i kanë asnjë borxh klasës politike për teatër, protagonizëm apo pazare të fshehta.

Në deklaratën e tij, Ndoka tha se qeveria ka rënë moralisht, pasi ka humbur legjitimitetin etik, politikisht, sepse sipas tij mbahet në pushtet përmes manipulimit dhe frikës, si dhe ligjërisht, duke iu referuar fakteve publike të krimit zgjedhor dhe korrupsionit.

Megjithatë, ai theksoi se ajo që nuk ka rënë ende është “rruga që u ka zënë përpara qytetarëve”, e cila sipas tij mund të hapet vetëm përmes presionit qytetar të bashkuar.

Në përfundim, Nard Ndoka bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protesta, duke theksuar se ato nuk organizohen për një parti të caktuar, por për shtetin, votën dhe dinjitetin qytetar. “Shpresa nuk vjen nga heshtja, por nga guximi për të qenë bashkë, kur vendi ka më shumë nevojë se kurrë”, përfundoi ai.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat