Një raport i INSTAT-it mbi ecurinë e ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta tregon se në vitin 2024 numri i tyre arriti në 7007 kompani, me një rritje prej 1% krahasuar me vitin 2023.
Sipas të dhënave, ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Evropian përbëjnë mesatarisht 61% të totalit të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërsa ato nga vendet e Ballkanit Perëndimor zënë rreth 12%.
Raporti thekson se kompanitë me origjinë nga BE janë të pranishme kryesisht në sektorët e shërbimeve të tjera, tregtisë dhe industrisë, duke ruajtur një peshë dominuese në ekonominë shqiptare.
Sa i përket madhësisë së bizneseve, ndërmarrjet me deri në 9 të punësuar përfaqësojnë 85% të totalit, ndërsa ato me mbi 250 të punësuar përbëjnë vetëm 1.4%.
Në aspektin ekonomik, këto ndërmarrje kontribuojnë me 19% të punësimit total dhe 20% të shitjeve neto. Ndërkohë, shtetet e BE-së zënë 64% të punësimit në ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta, duke mbetur burimi kryesor i punësimit në këtë segment.
Raporti vëren gjithashtu se Shqipëria po shndërrohet vitet e fundit në një destinacion tërheqës për investime të huaja. Vitin e kaluar, stoku i investimeve të huaja arriti mbi 1.5 miliardë euro, ku rreth 33% e tyre ishin të përqendruara në pasuri të paluajtshme.



