Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka dhënë një reagim zyrtar për Euronews Albania në lidhje me ndryshimet e pritshme në funksionimin e Komisionit për Çështjet Evropiane në Kuvend, duke theksuar rëndësinë kyçe të konsensusit ndërpartiak në procesin e integrimit.
Në përgjigjen e dhënë gazetares Enkelejda Mema, BE-ja thekson se Parlamenti i Shqipërisë është “një institucion kyç për çuarjen përpara të agjendës së reformave që lidhen me BE-në dhe konsolidimin e progresit të arritur deri tani”.
Duke pritur zhvillimet në lidhje me konstituimin e strukturave të reja parlamentare, Delegacioni i BE-së vazhdon duke shprehur pritshmërinë e tij: “Presim që integrimi në BE të mbetet një përparësi ndërpartiake për ligjvënësit në legjislaturën e re parlamentare”.
Pyetur specifikisht nëse ndryshimet e mundshme në drejtimin e Komisionit Evropian (nga opozita drejt shumicës) mund të reduktojnë rolin e opozitës, BE-ja dha një përgjigje të qartë duke nënvizuar: “Për të qenë i suksesshëm, anëtarësimi ka nevojë për konsensus ndërpartiak”.
Ky reagim zyrtar vjen në një moment kur në Kuvend po shqyrtohen propozimet për ndryshime në komisionet parlamentare, duke përfshirë edhe atë më të rëndësishmin për integrimet europiane.