Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje që Bashkimi Evropian të vazhdojë të rrisë presionin mbi Rusinë në luftën e saj në Ukrainë dhe të miratojë paketën e 20-të të sanksioneve kundër Moskës, ndaj të cilës Hungaria ka vendosur veton.
“Ne duhet të ecim përpara me paketën e 20-të të sanksioneve nga BE dhe bisedimet do të zhvillohen në ditët në vijim. Angazhimet politike dhe fjala e dhënë në Këshillin e fundit Evropian duhet të respektohen. Nuk ka rrugë tjetër,” tha Macron së bashku me homologun e tij finlandez, Alexander Stubb.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sibikha, u shpreh se Hungaria dhe Sllovakia nuk mund ta mbajnë peng të gjithë Bashkimin Evropian dhe u bëri thirrje të miratojnë sjellje të përgjegjshme. Hungaria ka kërcënuar të vërë veton ndaj paketës, duke kërkuar rifillimin e furnizimeve me naftë ruse përmes tubacionit Drujba, i dëmtuar nga një sulm rus.
Komisioni Evropian ka paraqitur paketën e re të sanksioneve me qëllim miratimin e saj nga ministrat e jashtëm të BE-së para 24 shkurtit, përvjetorit të katërt të pushtimit rus të Ukrainës.



