Pas zhvillimeve në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me kërkesën për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku, nga Bashkimi Europian dhe disa ambasada në Tiranë kanë ardhur mesazhe të forta për politikën shqiptare lidhur me rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe pavarësinë e drejtësisë.
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, nga Strasburgu theksoi se procesi i zgjerimit nuk mund të përshpejtohet nëse vendet aspirante nuk përmbushin kriteret për një demokraci të fortë dhe funksionale.
Ajo paralajmëroi se vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimi Europian duhet të jenë të afta të garantojnë institucione të forta dhe të qëndrueshme, duke përballuar edhe ndikimet e jashtme.
“Asnjë kalë Troje. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen shtete anëtare. Duhet të sigurohemi plotësisht për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të qëndrueshme, të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve. Natyrisht, nuk mund të ketë rrugë të shkurtra në reforma”, deklaroi Kos.
Reagimi i saj erdhi në të njëjtën ditë kur Kuvendi i Shqipërisë refuzoi me 82 vota kundër kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut.
Pas këtij vendimi reagoi edhe delegacioni i Bashkimi Europian në Tiranë, duke theksuar se politika shqiptare duhet të garantojë që drejtësia të veprojë pa pengesa në luftën kundër korrupsionit, një element kyç për procesin e integrimit europian.
Një qëndrim të prerë mbajti edhe Ambasada Gjermane në Shqipëri, e cila nënvizoi se ndjekja penale efektive e rasteve të korrupsionit, edhe kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë, është kusht i domosdoshëm për progresin drejt anëtarësimit në BE.
“Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë”, thuhet në reagim.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe Ambasada e Holandës në Shqipëri, e cila theksoi se përparimi në procesin e integrimit europian kërkon ndjekje të fortë dhe të pandërprerë të rasteve të korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta të pushtetit.
“Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të garantuar këtë proces”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, që para nisjes së seancës në Kuvend reagoi edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, e cila theksoi se imuniteti parlamentar nuk duhet të shërbejë si pengesë për llogaridhënien para ligjit.
Reagimet e partnerëve ndërkombëtarë vijnë në një moment delikat për procesin e integrimit të Shqipërisë, duke rikujtuar se lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i pavarur i drejtësisë mbeten ndër kriteret më të rëndësishme për avancimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.



