Parlamenti votoi më 17 mars përbërjen e Këshillit të ri drejtues të RTSH-së, duke zgjedhur në këtë institucion individë të lidhur ngushtësisht me politikën, gjë që shqetësoi organizatat që mbrojnë lirinë e medias dhe së fundmi edhe Bashkimin Europian.
Kryetar i këtij këshilli u votua Fatjon Hoxhalli, 38 vjeç, me një përvojë pune gati një dekadë si këshilltar i afërt i Niko Peleshit, gjatë detyrave të tij në ekzekutiv dhe si kryetar i grupit parlamentar socialist.
Në bordin me 10 anëtarë janë gjithashtu këshilltari i ish-ministrit socialist Bledi Çuçi, një ish-zëvendësministër në qeverinë “Rama” dhe emra që vijnë nga fusha e artit apo gazetarisë, por që kanë një sfond politik ose afërsi me Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike.
RTSH është operatori i vetëm publik në vend dhe, në bazë të dispozitave ligjore e standardeve të lirisë së medias, do të duhej të ishte i pavarur nga politika. Standardet janë rrezikuar plotësisht me zgjedhjen e fundit, duke ngritur shqetësime për angazhimet që vendi ka ndërmarrë në procesin e integrimit.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë i tha BIRN se ka ndjekur nga afër çështjen e shkarkimit në bllok të anëtarëve të Këshillit Drejtues të transmetuesit publik dhe emërimin e anëtarëve të rinj nga Parlamenti, duke ritheksuar rëndësinë e pavarësisë së RTSH-së për përmbushjen e standardeve demokratike.
“Pavarësia e transmetuesit publik të Shqipërisë, përfshirë edhe rreziqet e ndikimit politik në emërimet e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Këshillit Drejtues, ka qenë një çështje afatgjatë e theksuar nga BE-ja për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë,” thuhet në reagimin e zyrës së BE-së në Tiranë.
BE i kujton Shqipërisë angazhimet e marra në kuadër të negociatave, angazhime që sigurojnë ndër të tjera, “një reformë të plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator për mediat, përfshirë synimin për të forcuar pavarësinë e transmetuesit publik”.
“Ndër angazhime të tjera të deklaruara, Shqipëria duhet të sigurojë që këshilli drejtues që mbikëqyr transmetuesin publik të ketë një përbërje pluraliste, të përbëhet nga individë të kualifikuar, të përfaqësojë komunitetin mediatik dhe të gëzojë autonomi nga kontrolli i qeverisë dhe korporatave,” thekson reagimi i BE-së, duke lënë të kuptohet qartë se votimi i fundit në Kuvend nuk i përmbush këto angazhime.
Në progres-raportet e Komisionit Evropian theksohet rëndësia e një transmetuesi publik të pavarur dhe në mënyrë të veçantë ndikimi politik në përzgjedhjen e bordit, si një nga shtyllat e vlerësimit të lirisë së medias./BIRN