Bashkimi Evropian po përgatit një ofensivë të paprecedentë fiskale ndaj industrisë së duhanit, e cila mund të sjellë pasoja të ndjeshme për konsumatorët dhe tregun. Sipas burimeve të brendshme nga Komisioni Evropian, një paketë masash e përqendruar në rritjen e akcizave dhe taksave mbi produktet e duhanit, përfshirë cigaret tradicionale dhe elektronike, do t’i paraqitet Kolegjit të Komisionerëve më 16 korrik.
Nëse miratohen, këto masa pritet të ndikojnë ndjeshëm në çmimet me pakicë, veçanërisht në vendet e BE-së me nivele më të ulëta tatimore mbi duhanin. Sipas projektit të paraqitur, akciza minimale për cigaret tradicionale do të rritet me 139%, duke e çuar çmimin mesatar të një pakete nga 5 euro në 6.20 euro. Por goditja më e rëndë fiskale parashikohet për purot, me një rritje dramatike prej 1,090% të akcizës, duke reflektuar qëllimin e BE-së për të goditur fort çdo formë konsumi të produkteve të duhanit.
Risia më e madhe e këtij propozimi është përfshirja për herë të parë e produkteve alternative – cigaret elektronike, qeset e nikotinës dhe duhani i ngrohur – në një sistem të unifikuar tatimi. Për cigaret elektronike, Komisioni sugjeron një takson prej 0.12 deri në 0.36 euro për mililitër, ndërsa për duhanin me ngrohje, një akcizë rreth 108 euro për 1,000 copë, afërsisht gjysma e asaj që paguhet aktualisht për cigaret tradicionale.
Dy objektiva: më shumë para për BE-në, më pak duhan për qytetarët
Ky plan ambicioz fiskal ka dy objektiva parësorë: rritjen e të ardhurave të vetë BE-së dhe uljen e konsumit të produkteve të dëmshme, veçanërisht tek të rinjtë dhe grupet më vulnerabël. Rritja e çmimit të paketës së cigareve me rreth 20% parashikohet të ketë efekt frenues në konsum, megjithëse ekspertët kanë ngritur shqetësime se kjo mund të sjellë zgjerim të tregut të zi, sidomos për produkte që importohen nga vendet me taksa më të ulëta.
Sipas analistëve, rritja e tatimeve mbi cigaret tradicionale ka sjellë në të kaluarën zhvendosjen e konsumatorëve drejt produkteve alternative, ndaj BE po përpiqet të mbyllë këtë “dritare” fiskale.
Jo vetëm duhani: taksa të reja në horizont
Paketa e re e Komisionit nuk ndalet vetëm tek duhani. Ajo përfshin gjithashtu:
Taksa mbi mbetjet elektronike, me qëllim nxitjen e riciklimit;
Tatime mbi fitimet e mëdha, për subjektet me të ardhura vjetore mbi 50 milionë euro;
Tarifë doganore për blerjet online nga vende jashtë BE-së, për të frenuar konkurrencën e pandershme.
Rezistenca e vendeve anëtare dhe negociatat e vështira që priten
Pavarësisht entuziazmit të Komisionit dhe mbështetjes së fortë nga Franca dhe Gjermania, propozimi ka hasur që tani kundërshtime të forta nga disa vende anëtare. Suedia ka reaguar ashpër, duke e quajtur “të papranueshme” përdorimin e taksave ndaj duhanit për të financuar buxhetin e BE-së. Edhe Italia, Greqia dhe Rumania, vende me sektorë të rëndësishëm të përpunimit të duhanit, kanë shprehur shqetësim për ndikimet që kjo paketë mund të ketë mbi ekonominë e brishtë të këtyre industrive.
Për të hyrë në fuqi, propozimi do të duhet të miratohet me unanimitet nga 27 vendet anëtare, duke bërë procesin të ngadalshëm dhe të vështirë. Megjithatë, Komisioni është i vendosur ta shtyjë përpara reformën, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar autonominë financiare të Unionit, në një kohë kur sfidat gjeopolitike dhe nevoja për investime në mbrojtje, teknologji dhe tranzicion të gjelbër po rriten ndjeshëm.



