Peggy Gou, DJ dhe këngëtare e njohur në mbarë botën, ka ngjallur reagime pozitive mes fansave shqiptarë pasi postoi një seri fotografish në llogarinë e saj në Instagram.
Çka u vu re ishte se në njërën prej tyre mban veshur një bluzë ngjyrë blu me shqiponjën e flamurit kombëtar shqiptar.
Në fotografitë e publikuara, Peggy Gou – e cila njihet për hitin “(It Goes Like) Nanana” – shfaqet me një pamje të thjeshtë, por tepër karakteristike.

Bluza blu me mbishkrimin “Hardcore” në pjesën e përparme dhe shqiponjën në anë ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve shqiptarë, të cilët e kanë komentuar menjëherë duke shprehur krenarinë e tyre për këtë detaj simbolik.
Peggy Gou është një nga emrat më të kërkuar në skenën ndërkombëtare të muzikës elektronike dhe shpesh eksperimenton me modën në daljet e saj publike.

DJ-ja koreano-jugore njihet për stilin e saj unik, ku kombinon elemente të kulturës aziatike me ritmet bashkëkohore të house dhe techno.
Kënga e saj “(It Goes Like) Nanana” u kthye në një fenomen global gjatë verës, duke pushtuar klasifikimet muzikore dhe festivalet më të njohura në mbarë botën.
Menjëherë pas publikimit të fotografive, ndjekësit shqiptarë në rrjete sociale nisën të shpërndanin imazhin duke e lavdëruar Peggy Gou për zgjedhjen e saj.