Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas nismës së Partisë Demokratike për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin e tij nga detyra. Në një deklaratë zyrtare, Kreu i Shtetit ka theksuar se nuk komenton nisma politike, duke argumentuar se një veprim i tillë nuk përputhet me neutralitetin që kërkon funksioni i Presidentit.
“Presidenti i Republikës nuk komenton nismat politike të asnjërës palë, sepse një gjë e tillë nuk përputhet me neutralitetin e funksionit të lartë kushtetues. Ai ka zgjedhur të ushtrojë mandatin presidencial, i pa ndikuar në asnjë rrethanë nga sulmet për interesa politike apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik,” – thuhet në reagimin e Presidencës.
Presidenti Begaj shprehet se respekton të gjitha institucionet kushtetuese, edhe kur qëndrimet e tyre janë të kundërta me ato të Kreut të Shtetit. Ai ka pranuar se procedura për shkarkimin e Presidentit është një instrument kushtetues që i takon Parlamentit, i cili është “i lirë dhe sovran ta ushtrojë sa herë që e gjykon të përligjur”.
“Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet Parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë,” – shton më tej deklarata.
Në reagim, Presidenca i është përgjigjur edhe pretendimeve të Partisë Demokratike, e cila ka publikuar sot argumentet mbi të cilat mbështet nismën për shkarkim. Sipas Begajt, këto pretendime nuk bazohen në fakte të vërteta, ndërsa thekson se pret nga Parlamenti një hetim profesional dhe transparent.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta. Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë, si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit publik,” – përfundon reagimi.
Në deklaratën e tij, Presidenti Begaj nuk e mohon faktin se ushtron profesionin e mjekut në orët pasdite, çka është një nga akuzat e ngritura nga opozita në nismën për shkarkim.