Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është përfshirë nga një kontestim serioz që ka bllokuar betimin e Asim Vokshit, i shpallur fitues në mbledhjen e posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Presidenti i Republikës ka vendosur të mos dekretrojë Vokshin, duke pritur shqyrtimin në themel të padisë së ish-kryetares së KLGJ-së, Naureda Llagami, caktuar nga Kushtetuesja më 11 nëntor.
Në qendër të konfliktit është një fletë votimi e kontestuar, që rezultoi e pavlefshme dhe që ndryshoi rezultatin e përzgjedhjes. Ndërsa Llagami kishte siguruar 9 vota, një fletë u hodh poshtë nga komisioni teknik i përbërë nga sekretaret gjyqësore, duke i mohuar asaj shumicën e nevojshme prej 3/5 për të fituar vendin. Në këtë mënyrë, Asim Vokshi u shpall fitues me 6 vota, pavarësisht se në listën e kandidaturave ishte pas Llagamit.
Një regjistrim audio nga mbledhja më 30 shtator, dëgjohet kontestimi i votës, si dhe ndërhyrja e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili ndaloi diskutimet dhe ia la vendimmarrjen komisionit teknik. Ky vendim teknik ndryshoi rezultatin dhe nxiti padinë e Llagamit për ligjshmërinë e procesit.
Në padinë e saj, Llagami kërkon që rezultati të njihet në favor të saj, duke argumentuar se vetëm gjyqtarët kanë të drejtë të përcaktojnë vlefshmërinë e votës, dhe jo sekretaret e gjykatës. Ajo thekson se procesi i mbajtur për përzgjedhjen e gjyqtarëve Kushtetues ka pasur mangësi serioze në transparencë, duke rrezikuar besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë dhe legjitimitetin e vetë Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti ka deklaruar se nuk do të dekretrojë Vokshin deri pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shmangur dëme të pariparueshme në procesin e emërimit dhe për të ruajtur integritetin e institucioneve. Ky vendim tregon se problemi nuk është thjesht një konflikt personal mes dy gjyqtarëve, por një çështje e gjerë e sistemit të drejtësisë dhe kontrollit mbi proceset për emërimet e larta.
Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Llagamit, rezultati i përzgjedhjes së Asim Vokshit mund të anulohet, duke sjellë ristrukturime dhe vonesa në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, palët janë në pritje të vendimit më 11 nëntor, që pritet të vendosë jo vetëm për plotësimin e vakancës në Kushtetuese, por edhe për dinjitetin e procesit dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.



