back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Asnjë presion për aeroportin”/ Behgjet Pacolli thyen heshtjen pas takimit me Ramën

“Asnjë presion për aeroportin”/ Behgjet Pacolli thyen heshtjen pas takimit me Ramën

Sipërmarrësi dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas aludimeve mediatike mbi një vizitë të tij të papritur në Kryeministri, ku u takua me kryeministrin Edi Rama. Në disa media u raportua se Pacollit po i bëhej presion për Aeroportin e Vlorës, por biznesmeni i njohur i ka mohuar kategorikisht këto pretendime.

Në një reagim publik, Pacolli theksoi se vizita në Kryeministri ishte thjesht një takim kortezie, ku ai dhe drejtori i kompanisë Mabco, koncesionare shumicë e aeroportit, informuan për ecurinë e punimeve.

“Është e padrejtë të krijohen histori me insinuata. Artikulli i gazetës ‘Kapitali’ është po aq i shtrembëruar sa edhe i padrejtë. Ne kemi qenë në Kryeministri thjesht për një vizitë kortezie, ku informuam për ecurinë e punimeve në Aeroportin e Vlorës. Nuk është aspak e vërtetë, as korrekte, të thuhet se ka pasur ndonjë presion apo kërkesë për t’u përfshirë qeveria,” – u shpreh Pacolli.

Ai shtoi se aeroporti tashmë po hyn në një fazë të re zhvillimi profesional dhe se Mabco ka nisur një proces të riorganizimit të brendshëm, i cili lidhet vetëm me menaxhimin normal të projektit.

Pacolli siguroi se punimet për përfundimin e aeroportit të Vlorës po vijojnë me ritme të mira dhe se gjithçka po zhvillohet me mbështetjen e qeverisë shqiptare.
“Ne mezi presim që ta përfundojmë aeroportin në afat, për t’i dhënë Shqipërisë dhe bregdetit të saj një destinacion tjetër të rëndësishëm,” – tha ai.

Në reagimin e tij, sipërmarrësi sqaroi gjithashtu se vendimet e aksionerëve të shoqërisë menaxhuese nuk kanë lidhje me spekulimet e ngritura në media, por janë procedura të zakonshme që lidhen me garancitë ndaj institucioneve financiare për kreditë e marra ose ato që do të merren për zhvillimin e aeroportit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat