Zv.kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku, prezantoi sot, 28 tetor, drejtorin e ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliu, ish-ministër i Infrastrukturës në Kosovë.
Balluku e vlerësoi Aliun si një profesionist me karrierë të gjatë në ekzekutiv, duke nënvizuar njohuritë e tij mbi politikat dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
“Porti i Durrësit ka nevojë për një drejtues profesionist dhe njohës të mirë politik dhe gjeopolitik. Liburn Aliu i plotëson të gjitha këto kushte, duke na bërë besimplotë se detyra që po i ngarkohet do të realizohet në mënyrën më të mirë,” – tha Balluku.
Ministrja theksoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të qytetarëve të Kosovës në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe përfshirjen e tyre në ekzekutivin shqiptar.
Reagimi i drejtorit në detyrë
Drejtori i deritanishëm i Autoritetit Portual, Kreshnik Bajraktari, falenderoi ekipin e tij dhe ministren Balluku, duke uruar sukses pasardhësin e tij:
“I uroj zotit Liburn shumë suksese në detyrën e re dhe jam i bindur se porti i Durrësit do vijojë me ritme të larta në zhvillimin e tij.”
Drejtori i ri, Liburn Aliu, u shpreh i nderuar për detyrën dhe sfidën që ajo përfaqëson:
“Jam shumë i nderuar nga qeveria e Shqipërisë, nga zv.kryeministrja Balluku për një detyrë që më është besuar. Është port i të gjithë shqiptarëve, i rajonit, por nga ku Kosova merr pjesën më të madhe të mallrave.”
Ai shtoi se ka plan të forcojë lidhjet me tregjet rajonale dhe të rrisë kapacitetin e mallrave, duke e bërë Portin e Durrësit një nyje kryesore për rajonin.
Ndërtimi i Portit të Ri në Porto Romano
Balluku gjithashtu foli mbi procesin e ndërtimit të portit të ri në Porto Romano, duke përmendur një dokument të përgatitur me mbështetjen e një prej kompanive më të mëdha europiane në sektorin detar.
“Pesë kompani të huaja kanë garuar dhe më 31 janar do të kemi fituesin e garës ndërkombëtare për ndërtimin e portit, me pjesëmarrjen e të gjitha departamenteve të Autoritetit Portual të Durrësit,” – u shpreh ministrja.



