Kryedemokrati Sali Berisha mbajti këtë të mërkurë një takim me anëtarët e degëve 1 dhe 3 në Tiranë, ku bëri thirrje të forta për ripërtëritjen e Partisë Demokratike dhe distancimin nga ish-zyrtarët dhe ish-deputetët që kanë marrë poste në administratë.
Berisha theksoi se PD nuk ka luksin të punojë me plane afatshkurtra, por duhet të veprojë në të gjitha drejtimet për të rritur radhët e demokratëve dhe për të rikthyer moralin dhe idealet brenda partisë.
“Koha është e idealistëve. Mos keni kurrë keqardhje për ata që bjerrin moralin e tyre dhe shkojnë me krahun tjetër. Nëse ti ke qëndruar 30 vite në PD dhe tani vjen dhe na thua formulat e Subashit, ti je Subash, nuk të lidh gjë me demokracinë. Ne nuk kemi kartë tjetër përveç asaj të idealeve dhe moralit tonë. Nëse pranojmë të na e heqin një nga një atributet e kartës sonë, nuk e dimë se ku do përfundojmë. Jo mor jo, nuk e lëshojmë ne atë”, tha Berisha.
Ai gjithashtu paralajmëroi se biznesi nuk mund të bëhet pengesë për funksionimin e PD-së: “Ke biznes, e gëzofsh, por kurrë këtë parti nuk mund ta mbash peng me biznesin tënd. Rri anash”.



