Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipëri, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj ceremonisë së zhvilluar sot në Presidencë, duke e cilësuar si “më qesharake, më komike dhe më banale e 35 viteve të fundit”.
Në një postim publik, Berisha ka akuzuar riformatimin e qeverisë dhe emërimet e reja për “krim permanent” dhe lidhje të ngushta me korrupsionin në nivelet më të larta qeveritare:
“Shënon përpjekjen për t’u trashëguar nëpërmjet krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve. Të gjithë të emëruarit pa përjashtim janë të lidhur me një mijë fije me korrupsionin më të lartë qeveritar, kanë firmat e tyre e mëdha korruptive të vendit, në fushën e infrastrukturës, në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera.”
Berisha ka kritikuar veçanërisht rolin e Bajram Begajt, President i Republikës, duke thënë se “Bajrami i Presidencës u bë Harami i Presidencës me firmat që vendosi”, duke i bërë përgjegjës për miratimin e emërimeve që sipas tij janë pjesë e një “krimi permanent, të vazhdueshëm”.
Ish-kryeministri ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Rama nga pushteti:
“Ky akt e bën të domosdoshëm largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti, dorëheqjen e tij. Dhe të heqë dorë nga çdo lloj manovre për të zgjatur ditët e tij në pushtetin e krimit. Asgjë nuk e shpëton atë.”



