back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 16 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetBerisha: Banda me uniformë në Theth, terror ndaj komunitetit vendas

Berisha: Banda me uniformë në Theth, terror ndaj komunitetit vendas

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes së strukturave shtetërore në Theth, ku janë çmontuar kabina dhe struktura turistike të ngritura nga banorët. Në një deklaratë të fortë, Berisha e cilësoi këtë si një “akt kriminal” që godet drejtpërdrejt komunitetin lokal dhe turizmin malor.

“Një terror dhe krim i shëmtuar po ushtrohet mbi banorët dhe turistët e Thethit,” deklaroi Berisha, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për hakmarrje ndaj veriut të vendit. Sipas tij, ndërhyrja është bërë qëllimisht në kulmin e sezonit turistik për të dëmtuar ekonominë e zonës dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga, siç e quajti ai, “farsa elektorale”.

Berisha tha se strukturat turistike që janë çmontuar, nuk janë ndërtime me leje, por kabina të vendosura në tokën e banorëve, shpesh pa themel, çka sipas tij nuk i kualifikon si ndërtime të paligjshme sipas ligjit në fuqi.

“Asnjë pëllëmbë nuk është ‘tokë e xanun’. Çdo pëllëmbë tokë është trashëgimi brez pas brezi. Nëse ka pasur ndonjë shkelje, nuk ishte ky momenti për të vepruar. Në mes të sezonit turistik, kur Thethi është plot me turistë të huaj, qeveria dërgon policinë për t’u hequr kabinat nga oborret e shtëpive,” theksoi Berisha.

Ai shtoi se kjo ndërhyrje është një shprehje e “urrejtjes patologjike” që, sipas tij, Edi Rama ushqen ndaj banorëve të veriut, duke e krahasuar sjelljen e kryeministrit me atë të ish-diktatorëve komunistë.

“Ky është një shpirtkërmë që riprodhon të atin e tij xhelat, Kristaq Rama, dhe dajën e tij, Spiro Koleka. Nuk njeh ligj, nuk njeh moral, sillet si pushtues i egër ndaj atij komuniteti që jeton vetëm nga turizmi,” vijoi Berisha.

Sipas tij, Thethi dhe Valbona janë ndër të paktat zona ku 90 për qind e turistëve janë të huaj, dhe goditja ndaj këtyre zonave është një dëm i drejtpërdrejtë për imazhin dhe ekonominë vendase.

Në fund të deklaratës së tij, Berisha e quajti këtë një “krim shtetëror” që sipas tij duhet ndalur menjëherë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat