Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ditën e sotme me një videomesazh ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po mbron me çdo kusht Belinda Ballukun dhe duke e lidhur drejtpërdrejt me aferat e tij në pushtet.
Berisha deklaroi se “çështja Balluku është çështja Rama” dhe sipas tij, ajo nuk mund të mbyllet pa largimin e kryeministrit nga detyra. Ai theksoi se vendimi i mazhorancës për të mos lejuar arrestimin e deputetes Balluku nuk duhet të shërbejë si justifikim për të shmangur përgjegjësinë e mëtejshme të qeverisë.
“Çështja Balluku nuk mbyllet kurrë. Është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me mashtrimet dhe aferat e Ramës. Përveç kësaj, qytetarët e dinë mirë se përgjegjësitë nuk ndahen dhe çdo veprim i kryehajdutit ka pasojat e veta”, tha Berisha.
Një tjetër objekt i kritikave të tij ka qenë projekti për zhvendosjen e Portit të Durrësit drejt Porto Romanos. Berisha e cilësoi këtë projekt si një operacion të diskutueshëm, që sipas tij është bërë pa transparencë dhe duke cenuar interesin publik.
Ai kritikoi gjithashtu rritjen e çmimeve të naftës në Shqipëri, duke e krahasuar situatën me atë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, çmimet e larta nuk lidhen me tregun global, por janë rezultat i menaxhimit të keq të qeverisë dhe korrupsionit të pushtetit. “Çmimi i lartë i naftës është asgjë më shumë se sa çmimi Rama”, theksoi Berisha.
Kryetari i PD-së ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestën e 22 marsit në Tiranë, duke theksuar se kjo do të jetë një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj “kryehajdutit” dhe politikat e tij. Ai nënvizoi se kjo është një mundësi për të kërkuar drejtësi dhe transparencë, si dhe për të vendosur një presion të vazhdueshëm mbi qeverinë në çështje që lidhen me abuzimet e pushtetit.
Berisha përmendi se beteja e demokratëve nuk është vetëm për një rast individual, por për të rikthyer llogaridhënien dhe drejtësinë në vend. “Ne do të jemi krah qytetarëve deri në momentin kur Shqipëria të çlirohet nga ky pushtet i korruptuar dhe arrogante”, përfundoi ai.



