Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje për mediat, e ka cilësuar procesin zgjedhor si një farsë të mirëorganizuar nga qeveria e Edi Ramës. Ai ka denoncuar shpërndarjen masive të parave për blerjen e votës dhe ka deklaruar se zgjedhjet nuk mund të njihen si legjitime.
Berisha u shpreh se janë shpërndarë mbi 76 milionë euro për pensionistët, janë falur 200 milionë euro gjoba dhe kamata, janë dhënë 500 milionë euro në tendera dhe koncesione, ndërsa është dokumentuar edhe shpërndarja e drejtpërdrejtë e parave për vota në zona si Babrruja në Tiranë.
“Pra, siç e shihni, nuk mjaftuan 76 milionë euro të shpërndara publikisht. Nuk mjaftuan 200 milionë euro gjoba dhe kamata të falura. 500 milionë euro prokurime dhe koncesione. Por kalojnë duke shpërndarë para nëpër qoshe për të blerë vota,” u shpreh Berisha.
Ai paralajmëroi se Partia Demokratike nuk do ta njohë kurrë këtë proces si legjitim dhe do të paraqesë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar fakte të pakundërshtueshme për atë që e cilëson si “krim elektoral”.