Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët këtë të premte i cilësoi zgjedhjet e 11 majit 2025 si një farsë të paralajmëruar, duke u mbështetur në rezolutat e organizatave ndërkombëtare të qendrës së djathtë (CDI, IDU, PPE), të cilat e kanë denoncuar qeverinë e Edi Ramës si të lidhur me krimin e organizuar. Berisha tha se Rezoluta e Valencias është dëshmi se zgjedhjet janë të manipuluara dhe se komuniteti ndërkombëtar i ka dënuar ato që 10 ditë para zhvillimit. Berisha akuzoi qeverinë për blerje votash përmes shpërndarjes së parave dhe licencave për kanabis, duke përfunduar se zgjedhjet po zhvillohen në një regjim narkodiktatorial.
Lideri Opozitar, Sali Berisha, akuzoi qeverinë Rama për bashkëpunim të hapur me krimin e organizuar gjatë zgjedhjeve të 11 majit, duke e quajtur shtetin “një ndërmarrje e përbashkët me krimin”. Berisha u shpreh gjatë konferencës se bandat kriminale kanë ndihmuar në futjen në parlament të 28 deputetëve, duke vepruar nën mbrojtjen e prokurorisë dhe politikës. Berisha përmendi emra konkretë si Ergys Agasi, Elvis Doçi, Suel Çela dhe Vangjush Dako, të cilët organizuan takime të koordinuara për manipulim elektoral. Kryetari i PD veçoi katër kandidatë, Sara Mile, Arkend Balla, Ani Dyrmishi dhe Blendi Xhabafti, që së bashku kanë marrë 80 mijë vota dhe i cilëson si pararojë të kontingjentit të krimit.
Lideri demokrat, Sali Berisha vijoi akuzat e forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar procesin zgjedhor si një “farsë elektorale e krimit”. Berisha u shpreh se Elvis Doçi, i njohur si Poja, ishte një i ftuar i rregullt në ambientet e Ramës dhe i lidhur me aktivitete kriminale, përfshirë leje ndërtimi për dy hotele dhe përdorimin e Portit të Durrësit, i cili është dhënë me qira kundrejt një tarife për interesa kriminale. Berisha shtoi se edhe Surreli, rezidenca e kryeministrit, është përdorur për takime bandash, duke përfshirë emra si Olsi Rama dhe Suel Çela. Berisha tha se votat për disa deputetë, si Zeqineja në Fier, janë siguruar përmes ndikimit të bandave si ajo e Arben Qimjes.
Kryetari i PD, Sali Berisha vijoi denoncimet për zgjedhjet e 11 majit 2025, duke i quajtur një “farsë të dënuar ndërkombëtarisht para se të ndodhte”. Ai theksoi se komuniteti ndërkombëtar i qendrës së djathtë në Europë, përmes rezolutës së Valencias, e ka cilësuar procesin të manipuluar. Berisha akuzon ministrin Igli Hasani se po ushtron presion ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë duke i thirrur në zyrë për t’u kërkuar llogari për raportet e tyre. Berisha e cilësoi këtë një akt të paprecedentë dhe e dënon me forcë, duke shtuar se presionet ndaj vëzhguesve vijnë nga një qeveri që vetë ka orkestruar farsën zgjedhore. Kryetari i PD theksoi se vetëm një qeveri teknike mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi me Edi Ramën në pushtet, zgjedhjet janë të paracaktuara dhe të manipuluara nga krimi.
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se vendimet për hapat e mëtejshëm politikë do merren nga forumet e partisë, por theksoi se në rast të pjesëmarrjes në parlament, deputetët do votojnë vetëm ligje që lidhen me integrimin e Shqipërisë në BE. Berisha përsëriti se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë e damkosur ndërkombëtarisht që përpara se të zhvilloheshin, siç thuhet në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë. Sipas Berishës, realiteti i sotëm politik është i njollosur nga manipulimi dhe bashkëpunimi i qeverisë me krimin.
Kryetari i PD, Sali Berisha, tha se opozita nuk mund të ndalojë veprimet e qeverisë si falja e gjobave, shpërndarja e parave apo kultivimi masiv i kanabisit, por ka bërë detyrën duke i denoncuar këto në mënyrë të fuqishme dhe duke siguruar dënimin ndërkombëtar të zgjedhjeve. Berisha përmendi edhe përgjime që tregojnë për darka luksoze të Edi Ramës me figura si Elvis Doçi (Poja) dhe Ergys Agasi, ku janë servirur verëra me çmime deri në 40 mijë euro shishja. Berisha akuzoi Altin Dumanin për mosveprim ndaj këtyre rasteve dhe e cilëson si “gjeneral elektoral të krimit”. Berisha tha se zgjedhje të vërteta nuk mund të ketë me Edi Ramën në pushtet, pasi regjimi aktual ka instaluar autocensurë në media dhe është bërë një me krimin.
Kryetari i PD, Sali Berisha, theksoi se kandidatët e Partisë Demokratike nuk kanë asnjë lidhje me botën e krimit, në dallim nga ata të mazhorancës, për të cilët ai pretendon se janë mbështetur nga bandat me urdhër të Edi Ramës. Berisha solli në vëmendje rastin e Blendi Xhabaftit në Vorë, i cili sipas tij mori 10 herë më shumë vota se kandidati i dytë, por thekson se këto janë vota të lira, pa ndikim kriminal.
Lideri opozitar, Sali Berisha deklaroi se vetëm katër deputetë të mazhorancës kanë marrë rreth 80 mijë vota dhe ngre dyshime të forta për burimin e tyre. Ai u shpreh se lidhjet e mazhorancës me krimin janë të dokumentuara dhe të dukshme, duke përmendur kërcënime ndaj figurave të PD si Flamur Noka dhe Albana Vokshi, si dhe përfshirjen e individëve të kërkuar nga drejtësia si Altin Hajri dhe Elvis Doçi.
Berisha tha se këta individë janë “gjoja në ndjekje”, por në realitet të mbrojtur nga qeveria. Berisha kërkoi që strukturat kriminale të shpallen grupe terroriste dhe deklaroi se PD do të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për të ndëshkuar këto lidhje mes krimit dhe politikës.

FJALA E PLOTË
Rezolutat ndërkombëtare të CDI, IDU, PPE kanë denoncuar publikisht dhe me germa të mëdha shtetin e Edi Ramës si një sipërmarrje e përbashkët me krimin e organizuar.
Kjo është e vërteta e pamohueshme.
Pasi ato janë njohur me qindra e qindra fakte të pakundërshtueshme, kanë konkluduar se shteti aktual shqiptar është një sipërmarrje e përbashkët me krimin e organizuar.
Kjo është arsyeja ndër më kryesoret se pse komuniteti ndërkombëtar i qendrës së djathtë i dënoi me dënim kapital me datën 30 prill 2025, zgjedhjet që do zhvilloheshin 10 ditë më vonë në Shqipëri.
Cilido që lexon rezolutën e Valencias, të censuruar në mënyrën më totale, pothuaj, nga mediat e qeverisë për shqiptarët, konstaton se ajo rezolutë i thotë opinionit publik ndërkombëtar dhe shqiptarëve se në Shqipëri nuk do ketë zgjedhje por farsë elektorale.
Kjo është e vërteta absolute.
Si për asnjë zgjedhje të tjera, unë nuk di në memorien e kohërave, që një zgjedhje të dënohet 10 ditë para zhvillimit.
E them këtë sepse komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk udhëhiqet nga paragjykimi.
Ose thotë, kur nuk ka siguri, thotë ka dyshime.
Por këtu nuk thotë se ka dyshime, ka deklaruar se Edi Rama po blen vota me lekë.
Se ka parë vendimin për dhënien e 100 eurove për pensionistët.
Ka deklaruar se po blen vota me kanabis sepse ka parë vendimin e dhënies së 138 licencave.
Nuk ka deklaruar se do falë gjoba, se ky vendim ishte i dy ditëve të fundit.
Pra, kemi të bëjmë një vdekje të paralajmëruar të procesit zgjedhor dhe zhvillimin e paralajmëruar të një farse të plotë zgjedhore siç zhvillohet në të gjitha regjimet narkodiktatoriale.
11 Maji, do ndalem vetëm në një aspekt.
Në aspektin me të cilin fillova.
Ky shtet është ndërmarrje e përbashkët me krimin e organizuar.
Krahas patronazhistëve, krahas blerjes publike të votave, bota e krimit në këto zgjedhje ishte më zyrtare se kurrë.
Ishte zyrtare!
Ajo veproi në ombrellën e prokurorisë dhe politikës, Edi Ramës, me të gjithë mjetet e veta.
Bandat në qytetet e mëdha të vendit, por jo vetëm ato, arritën të fusin në parlament, të punojnë për 28 deputetë.
Para jush, në fushatë, unë kam denoncuar bashkërendimin e bandave të Durrësit dhe Elbasanit, darkat e shpeshta tek një lokal në Shkëmbin e Kavajës, në mos gabohem diçka me kuajt ka ky lokal, ku darkonin së bashku Ergys Agasi, Elvis Doçi, Suel Çela, Vangjush Dako.
Tani, pas këtij denoncimi, ata u transferuan nga lokali Kodra e Kuajve, tek shtëpia e Dakos në Bllok.
Aty janë organizuar të gjitha takimet.
Këto janë të gjitha të denoncuara.
Tani, të pyesim pak shqiptarët, të kujt janë votat?
Vetëm tre nga këta kandidatë ose katër nga këta kandidatë, kanë 80 mijë vota të regjistruara.
Kampion është natyrisht Sara Mile.
Kampion është Arkend Balla.
Kampion është Ani Dyrmishi.
Kampion është Blendi Xhabafti.
Këta të katër së bashku bëjnë rreth 80 mijë vota dhe këta janë vetëm pararoja e kontingjentit të krimit të 28 deputetëve që bandat morën urdhër nga Edi Rama për t’i mbështetur.
Avoketërve të farsës elektorale të narkoqeverisë u them se duke mbrojtur farsën, kryeni një krim të shëmtuar kundër lirive më themelore të qytetarëve shqiptarë.
Dhe dëshmoheni më mercenarë se çdo lloj mercenari tjetër.
Shtroj edhe njëherë pyetjen, të kujt janë 80 mijë vota të deputetëve të partisë së krimit?
Të kujt janë?
Një lidhje e plotë dhe totale me pushtetin.
Ju e morët vesh që Elvis Doçi apo Poja në një hark kohor të shkurtër, leje për ndërtimin e dy hoteleve, një në Durrës dhe tjetrin diku te Shkëmbi i Kavajës. Me dy sipërmarrje të vetat.
Por Altin Doçi, Altin Poja nuk i sekuestron sipërmarrjen e Rock of Kavaja.
Pasi e mbrojti kundrejt shumave, etj, etj, nga shkurti që erdhi urdhri i arrestit nga Italia, pasi e njoftuan ik se tani nuk kemi ç’bëjmë më tutje, dhe ai jeton i qetë në vilën e Gjushit, aty thonë është, por mund të jetë edhe në Surrel, nuk e ka problem fare se ai ka qenë një i ftuar frekuent i Ramës në gostira bashkë me Agasin dhe këta të tjerët.
Se thonë se edhe Surreli është përdorur për takime bandash mes Olsit, Suel Çelës etj, po këto janë thënie, duhen dokumentuar, po ua them siç m’i kanë transmetuar.
Pra, a mund të njihen të kujt janë 80 mijë vota të 4 deputetëve?
Kurrë këto zgjedhje nuk mund të njihen dhe nuk do njihen.
Këto janë zgjedhjet e krimit.
Këto janë farsa më e shëmtuar elektorale që ka ndodhur ndonjëherë.
E gjitha kjo kupolë që drejtoi këtë farsë, udhëhiqet direkt nga Edi Rama, i cili i ka dhënë Pojës me qira kundrejt një tarife, Portin e Durrësit.
Ka tre vjet që aty nuk kapet një gram kokainë.
Ndalohet kapja e kokainës sepse është mall për kryeministrin.
Dhe nuk janë vetëm këto dy banda, por këto janë… se në Fier, Zeqineja në majë të thanës, Arben Qimja kishte detyrë t’i siguronte vota.
Me radhë e me radhë, do ia shohim edhe asaj rekordet.
Dhe ky është njëri dimension i shëmtuar i farsës elektorale.
Po si Arben Qimja, si Olsi Rama, si Ulsiu, si Blendi Xhabafti, si Sara Mile apo Suel Çela, janë një seri të tjerësh.
Këto ishin zgjedhjet.
Por një gjë u them shqiptarëve, sado dëshpëruese që është kjo farsë, kjo dallon sepse kjo farsë është e vetmja në histori që është dënuar përpara se të zhvillohet.
Për të gjithë ata të cilët i thonë të vërtetës të vërtetë dhe lexojnë rezolutën e Valencias, gjejnë se komuniteti ndërkombëtar i qendrës së djathtë në Europë e denoncoi këtë farsë para se të zhvillohej.
Pra beteja kundër kësaj farse vazhdon me të gjithë forcën dhe përpjekjen.
Por në këtë rast kemi të bëjmë me një fushatë tashmë të dënuar para se të mbyllet.
E merrni vesh ju pse hidhej Zeqineja nga dega në degë?
Del se kishin porosi që Zeqineja duhej të futej në parlament. Ishte Sara Mile e Fierit.
Pra, unë këtu para jush dua t’u them shqiptarëve se kjo farsë është një fatkeqësi e madhe kombëtare.
Por kjo farsë ka vetëm një rrugëdalje, qëndresën e tyre.
Sepse kjo farsë është e dënuar ndërkombëtarisht para se të zhvillohej.
Dhe se për çdo akt qëndrese, shqiptarët kanë mbështetjen e fuqishme të të gjitha forcave politike të qendrës së djathtë që dënuan këtë farsë para se të mbyllej.
Ndaj dhe erdha edhe njëherë këtu të theksoj dimensionin monstruoz të krimit në këto zgjedhje,me fakte, me dokumente.
Këta janë deputetë të krimit që morën së bashku, vetëm këta të katër që citova, 80 mijë vota.
Pa llogaritur të tjerë si Zeqineja.
Ndaj dhe këto zgjedhje nuk mund të njihen.
Rruga e vetme është qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
Ne qëndrojmë për krijimin e një qeverie teknike sepse me Edi Ramën ka vetëm farsë, nuk ka zgjedhje.
Dhe dënojmë me forcën më të madhe presionet e narkozyrtarëve shqiptarë ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë.
Igli Hasani, paturpësisht thërret në zyrë vëzhguesit dhe u kërkon llogari për raportin.
A mund të imagjinoni ju? Vëzhguesve ndërkombëtare t’u kërkojë llogari pala që ka krijuar farsën.
E dënoj me forcën më të madhe aktin e tij dhe jo më pak të Edi Ramës dhe kërcënimet e tij.