Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të opozitës se prokurori që guxoi të thërrasë zëvendësministren e Energjisë, Belinda Balluku, ka qenë subjekt i kërcënimeve të drejtpërdrejta dhe indirekte, duke përmendur emra si Altin Dumani, kreu i SPAK, dhe kryeministrin Edi Rama.
Berisha e cilësoi këtë rast si një moment kritik për vendin dhe për opozitarizmin, duke akuzuar se “ngrehina e narkoshtetit, e qelbur nga koka, kundërmon sot më shumë se kurrë në Shqipëri dhe në botë”.
“Zëvendësja më besnike e Edi Ramës në 25 vitet e fundit, Belinda Balluku, merret e pandehur për një të mijëtën e vjedhjeve dhe shpërdorimeve të saj. Marrja e saj e pandehur ishte një akt guximi i vërtetë nga prokurori që firmosi thirrjen,” – tha Berisha.
Sipas tij, prokurori u përball me kërcënime të drejtpërdrejta dhe indirekte, përfshirë mesazhe nga personazhe të afërt me kryeministrin, por pavarësisht presionit, ai vazhdoi të mbrojë veprimtarinë e tij ligjore.
Berisha akuzoi gjithashtu se pushteti përdor të gjitha mjetet e propagandës për të mbrojtur krimet dhe për të sulmuar opozitën.



 
                                    