Konferencën e kësaj të enjteje, kreu i PD, Sali Berisha e nisi me denoncimin e skandalit të ‘Trenit bullgar’ në Qarkun e Elbasanit, që sipas tij është hasur përgjatë procesit zgjedhor të 11 majit. I shoqëruar dhe nga drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Tomorr Alizoti, përmes pamjeve filmike dhe videove, u publikuan provat e gjetura sipas tij, në lokalin e vëzhguesit të PS, ku kishte sasi të konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro. Sipas Berishës, ambienti brenda lokalit ka qenë i mbushur me euro dhe karta identiteti, në atë që e cilësoi si tavolinën e krimit elektoral. ‘Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës’, u shpreh kryedemokrati teksa tregonte provat përmes pamjeve me video.
Gjatë deklaratës për mediat, lideri i opozitës Sali Berisha reagoi ashpër ndaj procesit zgjedhor të fundit, duke e cilësuar atë si një farsë të mirëfilltë elektorale. Berisha akuzoi drejtpërdrejt qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për deformim të thellë të vullnetit të qytetarëve shqiptarë, duke përdorur mjete dhe metoda që, sipas tij, shkelin Kushtetutën dhe çdo standard demokratik. Ai theksoi se procesi zgjedhor është shndërruar në një operacion kriminal të organizuar, ku përfshihen edhe drejtues vendorë me precedentë penalë, të cilët veprojnë si mentorë të manipulimeve zgjedhore përmes skemave të njohura si ‘treni bullgar’ dhe metoda të tjera abuzive. Berisha deklaroi se zgjedhjet nuk mund të njihen në asnjë rrethanë, pasi rezultati i tyre është i paracaktuar dhe i prodhuar në mënyrë të paligjshme.
Me pamje dhe prova Partia Demokratike denoncon masakrën elektorale që është bërë në Elbasan. Lokali i kryeplakut të fshatit Pelkisht të Peqinit, funksiononte si bazë patronazhistësh, ku ka dyshime se ndaheshin para -lekë, euro dhe paund – në këmbim të votës. Skandali bëhet edhe më i madh pasi Dervish Beqiri rezulton që ka qenë dhe vëzhgues në zgjedhje. Ka qenë vetë kandidati i PD-së në këtë qark, Blendi Himçi i cili ka kapur ‘mat’ materialet zgjedhore në këtë lokal, mes të tjerave edhe fletë votimi.
Në një konferencë për median krah liderit të PD-së, Sali Berisha, Bledi Himçi tha se një shumë lekësh është gjetur në banak, 10 fletë votimi. Vetë lideri i PD-së tha se i takon autoriteteve të hetojnë nëse kemi të bëjmë me ‘mbushje kutie’ nga socialistët e Edi Ramës apo me skemën e ‘trenit bullgar’. ‘Ne kemi të dhëna të sigurta që janë përdorur kuti të mbushura nga Lubi Balluku por jo vetëm.. ose pastaj treni bullgar që prodhon të njëjtin efekt. Edhe në trenin bullgar, ai që të jep fletën e palos e të thotë shko hidhe.. këtu duhet ekspertizë për të dalluar nëse ishte treni bullgar apo kutia e Edi Ramës e Lubi Ballukut’ tha Berisha.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar me tone të ashpra zhvillimet e fundit lidhur me hetimet ndërkombëtare dhe ndërhyrjen e strukturave të drejtësisë në çështje të ndjeshme kriminale që lidhen me zgjedhjet në Shqipëri. Gjatë një deklarate, Berisha theksoi rolin kyç të Antimafias Italiane në zbulimin dhe ndalimin e veprimtarive kriminale që, sipas tij, janë mbështetur dhe mbrojtur nga vetë qeveria shqiptare. Ai sulmoi drejtpërdrejt prokurorin Altin Dumani, duke e akuzuar se ka bllokuar qëllimisht një operacion të përbashkët me Antimafian për të mos ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, dhe se e ka mashtruar palën italiane për të mbrojtur eksponentë të lidhur me pushtetin.
Berisha shtoi se në mungesë të ndërhyrjes së autoriteteve italiane, persona të përfshirë në afera të rënda kriminale do të ishin sot duke festuar në luks së bashku me kryeministrin Rama. Sipas tij, kjo është një tjetër provë e kapjes së drejtësisë dhe e përfshirjes së shtetit në manipulimin e proceseve zgjedhore.
Në vijim të akuzave të forta ndaj procesit zgjedhor të 11-majit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për media, theksoi se opozita disponon të dhëna të sigurta për përdorimin e kutive të mbushura dhe të ashtuquajturit ‘tren bullgar’, si pjesë e një skeme masive manipulimi elektoral. Sipas Berishës, emra konkretë si ministrja Belinda Balluku janë të përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces të deformimit të votës së qytetarëve, duke përdorur metoda të paligjshme për të siguruar fitoren e mazhorancës.
Në të njëjtën linjë, përfaqësuesi i opozitës Blendi Himçi ngriti shqetësime serioze mbi mosfunksionimin e skanimit të kutive në 80% të rasteve dhe ndaljen e energjisë elektrike në zona të caktuara të Elbasanit gjatë natës, gjë që, sipas tij, është bërë qëllimisht për të lehtësuar manipulimin dhe shpërndarjen e parave pa u regjistruar nga kamerat e sigurisë. Tomorr Alizoti, një tjetër përfaqësues i PD-së, shtroi pyetje retorike për praninë e fletëve të votimit dhe listave zyrtare të një institucioni shtetëror brenda një lokali privat, duke e cilësuar këtë si dëshmi flagrante të degradimit të procesit demokratik në vend.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët bëri akuza të ashpra ndaj institucioneve të drejtësisë, duke vënë në shënjestër konkretisht SPAK-un dhe Policinë e Shtetit. Berisha ironizoi funksionimin e SPAK-ut, duke thënë se ky institucion është shndërruar në një ‘kazan të madh turshish’, ku çdo dosje që lidhet me qeverinë mbyllet pa hetim dhe futet në harresë. Në të njëjtën linjë, Berisha përmendi rastin e largimit të Elvis Doçit, duke e cilësuar si një skandal tjetër që nxjerr zbuluar bashkëpunimin mes strukturave shtetërore dhe elementëve të inkriminuar.
FJALA E PLOTE:
‘Treni bullgar’, që u aplikua gjerësisht në Shqipëri, mbeti në stacionin e Pekishtit.
Doli nga shinat dhe mbeti aty.
Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro.
Siç keni parë ju, në rastin e Kasharit, në rastin tek Astiri dhe në raste të tjera, ku paralel me qendrat e votimit ishin ngritur zyrat e ‘trenit bullgar’ nga patronazhistët, kjo pra ishte një praktikë shumë e përhapur.
Sot në mëngjes herë, zoti Himçi shkoi vetë në bar-kafenë e Dervish Beqirit, hyri brenda dhe në vendin ku ishte informuar u gjet i gjithë materiali zgjedhor që do paraqesim tani para jush.
Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit.
Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293.
Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh.
Kjo është tavolina e krimit elektoral.
Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni.
Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës.
Krimineli në krye të bashkisë është mentori i kriminelëve të tjera për të realizuar ‘trenin bullgar’ në mënyrën më antiligjore, më antikushtetuese.
Pra kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës, fytyra e vërtetë e këtyre zgjedhjeve, të cilat kurrë nuk do njihen.
Ata që mendojnë se mund të imponojnë qytetarëve shqiptarë në këtë mënyrë vullnetin e tyre dhe mund të qëndrojnë mbi karrige, gabojnë shumë, shumë rëndë.
Ka vetëm një zgjidhje, zgjidhja është emergjente, krijimi i një qeverie teknike, zhvillimi i zgjedhjeve të reja, shqiptarët votojnë të lirë.
Ky është qëndrimi ynë.
Ne kemi me qindra dokumente të pafundme të shkatërrimit, të shndërrimit të procesit zgjedhor në farsë elektorale.
Pra kjo është farsa e vërtetë elektorale dhe ne duam që shqiptarët të votojnë dhe të mos vuajnë farsën elektorale dhe pasojat e saj.
Ne do qëndrojmë me të gjithë potencialin tonë, fuqinë tonë, që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë të një vendi dhe jo të përjetojnë farsa të turpshme elektorale që janë të njëjta me ato të Zimbabveve 30 vite më parë.
Besoj se e keni të qartë, e shihni vetë.
Gjithçka janë rezultate të paracaktuara.
Unë mund t’u them ju se do shihni kuti votimi në të cilat 200 fletë njëra pas tjetrës kanë të njëjtën palosje.
Ose është ‘treni bullgar’ që është e njëjta gjë pastaj.