Ish-kryeministri Sali Berisha ka dorëzuar sot një shënim në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku ka sulmuar drejtpërdrejt kreun e saj, Altin Dumani, duke e akuzuar për mashtrim publik dhe për bashkëpunim me pushtetin për të mbrojtur krimet elektorale.
Në një deklaratë për mediat pas daljes nga ambientet e SPAK, Berisha deklaroi:
“Altin Troplini alias Dumani është një mashtrues publik i rangut më të lartë, i njëjtë me Ramaduron,” – u shpreh ai, duke përdorur terma të ashpër për kreun e SPAK dhe kryeministrin Edi Rama.
Berisha pretendon se dhjetëra padi të depozituara nga opozita në SPAK për krime elektorale janë shpërfillur, ndërsa Dumani, sipas tij, ka mashtruar publikisht qytetarët duke thënë se këto padi nuk kishin prova.
“Ai pati amoralitetin e plotë të mashtrojë shqiptarët. E garantoj se do të përgjigjet për këtë mashtrim. Opozita do të nisë punën për zbardhjen e këtij manipulimi,” – shtoi Berisha.
Ai e cilësoi Dumanin si “avokatin kryesor të krimit elektoral” dhe e akuzoi për garanci ndaj dhunimit të ligjit dhe standardeve të votës së lirë.
Kjo deklaratë vjen në një moment të tensionuar politik, ku marrëdhëniet mes opozitës dhe institucioneve të drejtësisë vijojnë të jenë të acaruara. SPAK nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj akuzave të Berishës.