Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në një prononcim për mediat ditën e sotme, gjatë detyrim paraqitjes në SPAK, akuzoi kryeministrin Edi Rama, institucionet e drejtësisë dhe procesin zgjedhor në Shqipëri. Berisha e krahasoi Ramën me presidentin venezuelian Nicolas Maduro, duke e cilësuar si “Ramaduro i Europës”, dhe deklaroi se kryeministri, sipas tij, e pranon vetë fajësinë për lidhje me krimin dhe kartelet, por përpiqet të justifikohet përmes krahasimeve mes Shqipërisë dhe Venezuelës.
Berisha u ndal edhe te çështja McGonigal, duke theksuar se ish-zyrtari amerikan ka dhënë dëshmi të reja që implikojnë Edi Ramën dhe se dosja e tij është rihapur. Ai tha se Rama është po aq fajtor sa McGonigal në këtë aferë. Sipas Berishës, arrestimi i Maduros është një sinjal i rëndësishëm për ndëshkimin e regjimeve që, sipas tij, nuk zhvillojnë zgjedhje të lira.
Në lidhje me akuzat ndaj tij nga SPAK për dosjen “Partizani”, Berisha i cilësoi ato si politike dhe pa bazë ligjore. Ai deklaroi se pasuritë e familjarëve të tij janë deklaruar në përputhje me ligjin dhe janë përfituar nga procesi i privatizimit të banesave, njësoj si për rreth një milion qytetarë shqiptarë në vitet ’90. Sipas tij, fakti që fëmijët e tij kanë përfituar pjesë në apartamentet e privatizuara po përdoret në mënyrë të padrejtë si akuzë për korrupsion.
Kryetari i PD sulmoi edhe Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe për vendimmarrje të diktuar politikisht. Ai tha se gjykata nuk ka njoftuar publikisht për një seancë plenare lidhur me çështjen e tij, duke e cilësuar këtë sjellje si të papranueshme dhe në shkelje të detyrimeve ligjore.
Gjatë sesionit të pyetjeve të gazetarëve, Berisha theksoi se në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje të lira, por vetëm “farsa elektorale”, dhe se për këtë arsye ndryshimi politik nuk mund të vijë vetëm përmes votës. Ai deklaroi se opozita dhe qytetarët do të përdorin presionin popullor dhe protestat për të ndëshkuar qeverinë, duke theksuar se protestat do të jenë paqësore, por më të fuqishmet që ka njohur vendi.
Lideri democrat, Sali Berisha dënoi dhunën policore ndaj protestës së organizuar nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”, duke e cilësuar atë si një akt të shëmtuar dhe shprehje të frikës së qeverisë nga reagimi qytetar. Ai shtoi se çdo protestë e ekspozon regjimin aktual si një narkodiktaturë.
Në përfundim të prononcimit për media, Berisha deklaroi se viti i ri do të jetë vendimtar për opozitën, duke parashikuar “fitore”, largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe garantimin e votës së lirë për shqiptarët, përmes protestave dhe përballjes politike me qeverinë aktuale.
PRONONCIMI I PLOTË
Natyrisht, këtu kryefjala, dhe unë e kuptoj dhe e lexoj në sytë tuaj, se e keni Ramaduron tani, atë po prisni ju tani se ç’do të them unë për Ramaduron.
Por unë do të them ato që ka Ramaduro vetë.
Më lejoni pak t’u informoj se çfarë ka thënë Ramaduro për veten e tij.
Në SPAK gjeta McGonigalin, i cili po dëshmonte kundër Edi Ramës dhe po e priste Edi Ramën në ishullin Riker, jo në Metropolitan.
Ishulli Riker është një ishull burg si muze, me të gjithë banditët e mëdhenj të historisë së SHBA.
I kanë aty edhe gurët e varrit se kanë hyrë dhe nuk kanë dalë më nga ishulli.
Ja çfarë shkruan Edi Rama për veten e vet.
Në gjykatë kishte ndryshuar emrin nga Edi Rama në Endri Kajsiu.
Ka marrë emrin e Endri Fugës dhe mbiemrin e Blendi Kajsiut.
E lexuat besoj, e kuptuat edhe ju.
Tani thotë këtu se: U arrestuar Nikola Maduro dhe ca trushkulur po presin që Delta të zbresë në Surrel për të arrestuar Edi Ramën.
Pra, çfarë është kjo?
Edi Rama e pranon vetë se është fajtor, por nxjerr si argument të vetëm se Venezuela ka naftë dhe Shqipëria nuk ka naftë.
Dhe kartelet në Venezuelë janë më të mëdha se sa kartelet në Shqipëri.
Pra, sipas Endri Kajsiut, emrit të ri të Edi Ramës, ia kishte botuar edhe gazetari i Linda Ramës, ky shpifësi i dënuar për shpifje i Prapaskenës, ky Doçi e ka publikuar këtë, pra sipas Edi Ramës problemi është se Venezuela ka naftë dhe Shqipëria nuk ka naftë, paçka se u thoshte shqiptarëve se Shpiragu noton mbi naftë.
Këtë e harron ai.
Dhe u thotë se kartelet janë më të vogla në Shqipëri se në Venezuelë, paçcka se kartelet shqiptare kontrollojnë tregun e Europës.
Të gjitha këto dëshmojnë se Edi Rama pranon vetë fajësinë, pranon se është Ramaduro i Europës, pranon se ka vetëm një fat dhe ky është fati i Maduros.
Por këtë natyrisht do t’ia japin Deltat apo do ia japë populli shqiptar, unë them se do ia japë populli shqiptar.
Megjithatë, për dijeni, McGonigali ishte aty.
Po, kishte ardhur, po bënte dëshmi të reja, se është hapur dosja e tij.
Sa për t’ju informuar se në akuzat kundër Sali Berishës rezulton edhe fakti se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president i republikës së Shqipërisë duke qëndruar në pushtet gjer në vitin 1997, shtetasit Malltezi, që në atë kohë nuk kanë asnjë lidhje me dosjen Partizani, konstatohet se kanë filluar investimet në përfitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme.
Tani dëgjojeni se cilat janë pasuritë.
Referuar deklaratave të dorëzuara në ILDKP të pasurisë, konstatohet se shtetasja Argita Malltezi ka evidentuar në deklaratën e saj për vitin 1993 pronësinë vetëm të një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metër katrorë në rrugën Myzeqari, përfituar nga privatizimi, pjesa që zotëron një e treta e apartamentit.
Gjithashtu Sali Berisha deklaron se zotëron një apartament 3 plus 1, të privatizuar, të drejtë reale zotërojnë bashkëjetuesit, bashkëshortja dhe djali.
Tani kjo, se vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit siç i takonte në atë kohë sepse ishte mbi 18 vjeç dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë.
Kjo është dhënë si një akuzë për korrupsion nga prokuroria politike.
Edhe njëherë, prokuroria jep konkluzione që jo vetëm nuk kanë lidhje me faktet, por janë alogjike.
Për shembull, Prokuroria e Posaçme në mënyrë që të rëndojë sa më shumë faktet, pavarësisht se nuk jep natyrë penale, shprehet se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president duke qëndruar në pushtet deri në vitin 1997, shtetasit Malltezi konstatohet se kanë filluar investime për fitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme.
Shtetasit Malltezi kanë përfituar siç kanë përfituar 1 milion shqiptarë nga privatizimi i banesave.
Në atë kohë që të dy nuk kanë qenë kryefamiljarë, por kanë qenë anëtarë të familjeve që kanë privatizuar në përputhje me ligjin 7652.
Ky është pra noviteti i akuzës së Altin Troplinit dhe ish-xhelatit të Sigurimit të Shtetit, sikundër dhe Enkelejda Fetahut. Sepse kjo është Balla ose Fetahu mund ta quajmë këtë.
Ka një zhvillim tjetër shumë të rëndësishëm nga organizata e partisë së Gjykatës Kushtetuese.
Dëgjojeni tani këtu.
Me datën 17 ju më keni pyetur a e ke dërguar këtë masë në Gjykatë Kushtetuese.
Unë e kam dërguar këtë masë në Gjykatë Kushtetuese para një viti, nuk mbahet mend kur.
Më datën 17 dhjetor ata shpallën publikisht se do jetë seanca plenare, tani nuk i bëjnë me publik, nuk i bëjnë as me avoketërit, mblidhen në dhomë këshillimi dhe vendosin atë që mendojnë.
Dhe në dhomën e këshillimit u mblodhën në seancë plenare, nuk morën dot vendimin që donin dhe njëlloj si një organizatë partie, nuk shpallën vendimin.
Nuk kanë dhënë shkaqet.
Ishte seancë plenare.
Nuk kanë kërkuar asnjë dokument mbi bazën e mashtrimit dhe të urdhrit politik të turpshëm.
As ata nuk e dhanë njoftimin.
Njoftimi i mor sepse avokati im bëri shkresë dhe kërkoi njoftim se çfarë vendimi morët.
Po meqenëse votat nuk u dolën për vendimin që donin, atëherë thanë se nuk kishte seancë, dhe do mblidhen në seancë plenare.
Këta ishin në seancë plenare.
Këta tregojnë se janë një grup mjeranësh, organizatë e mirëfilltë e PS-së, gjykatë e turpit që vepron në këtë mënyrë.
Gjykata ishte e detyruar të bëjë njoftimin publik, u mblodhëm, vendosëm ose nuk vendosëm.
Kjo është gjykata dhe jo gjykata që fshihet pas vetes së vet në mënyrën më të turpshme se ka gjykatës aty që meritojnë jo vendin ku e kanë, por e meritojnë të jenë aty ku i çon ligji.
PYETJE-PËRGJIGJE
Gazetarët: Që pas arrestimit të Maduros nga forcat speciale amerikane ka një entuziazëm në mesin e demokratëve, se ndoshta këto forca speciale mund të vijnë në Shqipëri dhe të marrin Edi Ramën. Ne e dimë që kjo nuk mund të ndodhë. Cila është strategjia e Sali Berishës për ta mundur Edi Ramën me votë, sepse e vetmja mundësi për t’u larguar është vota.
Berisha: Këtë e thonë të cilët bëjnë avokatinë e vjedhjes së votës, e farsës elektorale.
Edhe kur bën pyetjen ti, i mendon fjalët. Nëse flet për votë, Edi Rama zhvillon farsë elektorale, njëlloj si Maduro.
Një nga shkaqet që Maduro u arrestua, ishte dhe fakti se ai nuk zhvillon zgjedhje. Edi Rama zgjedhje nuk zhvillon. Zhvillon farsë elektorale.
Jo ta besoj. Nëse Këshilli i Europës i themeluar mbi parimin e zgjedhjeve të lira, gardian i saj, thotë që në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti, thotë që Shqipëria zhvilloi farsë elektorale. Këtu është problemi.
Ndaj dhe Berisha ka deklaruar në mënyrën më të përsëritur, me Edi Ramën zgjedhje nuk ka, kështu që është populli shqiptar, është opozita shqiptare e cila do t’i japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar. Shqiptarët do të shkojnë me të gjitha mënyrat, absolutisht që duhet të trajtohen armiqtë e lirisë dhe votës së shqiptarëve.
Unë e kam përshëndetur arrestimin e Maduros dhe ndëshkimin e tij, si një fitore për njerëzit e lirë në Shqipëri dhe në botë. Por unë nuk kam deklaruar ndonjëherë se forcat ‘Delta’ do vijnë ta arrestojnë.
Po, kam deklaruar dhe deklaroj se në aferën McGonigal, Edi Rama është po aq kriminel sa McGonigal. Këtë e kam deklaruar dhe e deklaroj dhe kjo është e vërteta.
Të tjerat pastaj, siç u përmbysën diktaturat në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka do të përmbyset dhe narkodiktatura.
Por tani një diktator më pak është lehtësim për ne.
Ai bashkë me Ballukun, bashkë me Lindat e tij, se i ka dhe dy Linda nga pas, që i adhuron e që janë të implikuara gjer në vesh në AKSHI-n e tij.
Harrova të ju them, aty ishte dhe Gysi me Irena Gjokën. Irena Gjoka ka qenë këshilltarja e Gysit.
Ekziston në ato filmime, regjistra, dhe ka qenë një nga këshilltarët.
Do ta shoh datën dhe do të them, por gjatë këtyre dy viteve të fundit…
Gazetarët: Keni parë videon?
Berisha: Jo videon, por regjistrin.
Gazetarët: Z.Berisha, ju vazhdoni të hidhni akuza ndaj zotit Dumani, por ju e dini tashmë që SPAK ka një drejtues të ri. Cili është qëndrimi juaj në raport me z.Braho dhe a do ta mbështesë opozita dhe PD?
Berisha: Qëndrimi im ndaj çdo punonjësi të Prokurorisë Speciale, Gjykatës Speciale, policisë, BKH-së është qëndrimi që ata do të mbajnë ndaj ligjit.
Ne nuk kërkojmë absolutisht asgjë tjetër, veç se zbatimin e ligjit.
Altin Troplini instaloi në mënyrën më kriminale, praktikën staliniste të arrestimeve pa prova dhe të krijimit të provave pas arrestimeve.
Kjo është faqja e zezë që ai hapi në këtë institucion dhe për të cilën ai do të bëhet përgjegjës deri ditën e fundit të jetës së tij. Ai iku, por ligji nuk iku.
Drejtuesi i ri, e thashë dhe njëherë, çdo drejtues dhe punonjës i këtij institucioni që zbaton ligjin, ka dhe do të ketë vlerësimin dhe mbështetjen e plotë të opozitës shqiptare.
Gazetarët: Z.Berisha, a i keni ndjekur protestat e z.Lapaj. Mbrëmjen e kaluar ka patur një reagim të policisë, duke dënuar me dhunë protestuesit. Sot keni ju protestë, cila do të jetë strategjia?
Berisha: E kam dënuar me forcën më të madhe, dhunën policore ndaj protestës së organizuar nga Shqipëria Bëhet e Lapajt. E kam dënuar me forcën më të madhe që dje. Akt i shëmtuar.
Edi Rama i tmerruar nga çdo protestë, sepse çdo protestë ju kujton shqiptarëve dhe botës se Ramaduro është në pushtet.
A e lexuar ju artikullin e Endri Kajsiut.
Për ty është i nderuar, sepse për mua është një banalist që jep mbiemrin hua, i cili shet mbiemrin. Sa i ka paguar Edi Rama atë mbiemër.
Pse e lejon Edi Ramën, ti marrë mbiemrin ai, si qenka kjo punë. Pse e lejon Edi Ramën të marrë mbiemrin hua.
Ma gjej ti mua dhe më gjej në regjistrat e shtetit Endri Kajsiu, është Edi Rama në Surrel, ta them unë. Nuk e lëndoj.
Përsa i përket shkrimeve, ai ka marrë përgjigjet nga unë. Ai ka probleme me Edi Ramën, sepse i merr mbiemrin hua, i merr me qira mbiemrin. E paguan apo se paguan kjo është punë e Edi Ramës, janë punë e tyre, por nuk lejohet në media.
Secili emrin e tij.
Ju uroj një vit të mbarë, me shumë të mira.
Ra leku i bakllavasë, fat i madh.
Gazetarët: Çfarë ka për të sjellë ky vit për opozitën, z.Berisha?
Berisha: Fitore.
Largimin e Ramaduros dhe votën e lirë për shqiptarët. Me protesta më të fuqishme që ka njohur vendi. S’ka rrugë tjetër…
Gazetarët: Do bëni një protestë ndryshe këtë vit?
Berisha: Të gjitha format e protestave janë të mundshme.
Ne e kemi betejë vendimtare këtë.
Ai e ndiente vetë, ai thoshte se unë jam fajtor, por ne nuk kemi naftë sa Venezuela dhe nuk kemi kartele të mëdha. I kemi ato, por jo sa Venezuela.
Protestat janë protesta të cilat, kryengritje, revolta, por paqësore. Nuk lëvizet nga ky pozicion.



