back to top
3.5 C
Tirana
E enjte, 13 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetBerisha: Është koha të bashkohemi me të gjitha forcat politike që ndjehen...

Berisha: Është koha të bashkohemi me të gjitha forcat politike që ndjehen opozitare

Duke folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka theksuar rëndësinë e fitores në zgjedhjet e 11 majit. Ai e lidh këtë betejë politike me zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht me rikthimin e Donald Trump-it në pushtet, të cilin e cilësoi si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e njerëzimit.

Berisha e paraqiti këtë rikthim si një fitore kundër ekstremit të majtë, duke denoncuar ndikimin e Xhorxh Sorosit dhe mbështetësve të tij në politikën botërore dhe atë shqiptare. Ai e quajti Sorosin një rrezik për lirinë dhe familjen tradicionale, duke argumentuar se sulmet e tij ndaj identitetit kombëtar dhe kulturor po dëmtojnë shoqërinë. Sipas Berishës, Partia Demokratike është e vetmja forcë që mund t’i japë fund këtij ndikimi dhe të rikthejë demokracinë në Shqipëri.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ngriti shqetësimin për rritjen e censurës dhe përpjekjet për të shtypur zërat opozitarë, duke e krahasuar situatën me atë që ai e cilësoi si një valë ndërkombëtare të ekstremizmit të majtë. Sipas tij, Shqipëria është kthyer në një model të ndikimit të Sorosit, ku qeveria përdor institucionet për të goditur kundërshtarët politikë.

Kryedemokrati e quajti marrëveshjen e nënshkruar me Antony Blinken një akt që synon të shuajë pluralizmin dhe të përforcojë pushtetin e kryeministrit Edi Rama. Ai foli edhe për çështje të politikës ndërkombëtare, duke e vënë theksin te mbështetja e tij për ish-presidentin amerikan Donald Trump dhe përpjekjet e këtij të fundit për të luftuar atë që Berisha e quan një rrjet global korrupsioni. Në fjalën e tij, ai akuzoi qeverinë për shndërrimin e vendit në një narkoshtet dhe për promovimin e ideologjive që minojnë familjen tradicionale. Sipas tij, fushatat e fundit për edukimin gjinor në shkolla janë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave konservatore.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha, theksoi në takimin me anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, se tashmë Edi Rama cilësohet si ‘kukulla e Xhorxh Soros’, armiku numër 1 i SHBA-së. Berisha i ka kujtuar opinionin publik në lidhje me deklaratat e ish-zëvendëskryeminitrit Arben Ahmetaj për arrestimin e mundshëm të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga kryeministri Edi Rama. ‘Arrestimin e Erion Veliajt e njoftoi para dy javësh, Arben Ahmetaj, informacionet i kishte nga zyra e Edi Ramës’, u shpreh Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së në selinë blu.

Kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë thirrje forcave politike opozitare që të bashkohen për të shpëtuar Shqipërinë. ‘Është koha të bashkohemi me të gjitha forcat politike që ndjehen opozitare për të shpëtuar vendin e tyre’, theksoi Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka paralajmëruar se me ardhjen e PD-së në pushtet, fondacioni i Soros në Shqipëri do të ndalohet me ligj. ‘Do të ndalohet me ligj veprimtaria e fondacionit Soros në Shqipëri si një rrezik i vërtetë kombëtar’, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në fund të fjalës së tij gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta, ju anëtareve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD.

Një përshëndetje shumë të përzemërt, të gjithë anëtareve dhe anëtarëve të PD, mbështetësve të saj kudo që janë, në Shqipëri dhe botë.

Ne mblidhemi sot në një kohë kur sytë, mendja dhe shpirti i shqiptarëve dhe jo vetëm i shqiptarëve, të gjithë miqve dhe partnerëve tanë, janë të drejtuar nga PD dhe fitorja e saj në zgjedhjet e 11 Majit.

Inaugurimi i Presidentit Donald Trump me 20 janar, fitorja e tij me 5 nëntor 2024, shënojnë rikthimin më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në tërë historinë e njerëzimit, në kuptimin e rikthimit me votën e lirë.

Ky rikthim u përball me një armiqësi të egër, të ekstremit të majtë marksist dhe postmarksist në SHBA, në shumë e shumë vende të botës, përfshi dhe Shqipërinë. Ky rikthim u përball me makinerinë më gjigante, manipulimit, mashtrimit të medieve më të mëdha dhe kompanive të polleve më të mëdha në botë.

Në kushtet e një mrekullie historike, Presidenti Donald Trump, ekipi i tij arriti të bëjë për vete mendjet dhe zemrat e qytetarëve të Amerikës.

Në fushatën e tij, një nga deklaratat më kryesore ishte se, për SHBA-të armiku më i rrezikshëm është armiku i brendshëm. Ai komandant i Ushtrisë më të fuqishme të botës, i vendit udhëheqës të botës së lirë, në hierarkinë e rreziqeve për vendin e tij, renditi armikun e brendshëm i cili ishte ekstremi i majtë, marksist post marksist i personofikuar mbi të gjitha me një monstër siç është Xhorxh Sorosi dhe sorosianët e tjerë.

Në këtë kontekst, presidenti e tha vetë dhe mijëra të tjerë e kanë përsëritur, se Zoti e shpëtoi atë që ai të shpëtojë Amerikën dhe botën nga ky rrezik i paimagjinueshëm.

Ky rrezik që u lëshua me një agresion të papërmbajtur kundër familjes, kundër sipas dogmnës së Marksit për një botë pa kufi, por tashmë dhe pa gjini. Një agresion i paparë në histori ndaj identitetit gjinor të racës njerëzore.

Me një shpejtësi dhe vendosmëri absolute, duke patur parasysh pasojat e mëdha planetare të agresionit të ekstremit të majtë, marksist dhe postmarksist ai, po ndërmerr çdo ditë dekrete dhe vendime që synojnë ti japin përgjigjen më të shpejtë më të merituar të këtij armiku të egër të lirisë.

Mos harroni se, ju që jeni 30 apo 40 vjeçar, nuk kishit dëgjuat ndonjëherë të elaudohej censura, të thirrej censura siç ndodhi me ekstremistë e majtë të quajtur progresistë apo liberal në SHBA dhe vende të tjera.

Në mënyrë të pabesueshme u krijuan komisionet, zyrat e censurës. Histori ndër më të turpshmet. Dhe majmuni socialist në Shqipëri, ishte i dyti në botë që i krijoi.

Pasi firmosi protokollin me famëziun Antony Blinken i cili erdhi në Shqipëri në një vizitë blic për të firmosur protokollin e censurës, me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë dhe nuk takoi asnjë opozitar, për të dëshmuar se ai ishte për një Shqipëri pa opozitë siç e donte Sorosi dhe Rama dhe takoi Altin Dumanin si shpërblim sepse ai kishte persekutuar Sali Berishën. E falënderoi për punën që kishte bërë.

Por ky person ishte një gënjeshtar, një kryegënjeshtar, një kryemanipulator i shpifur i cili kishte sajuar letrën e famshme që është një nga dokumentet më të zeza në historinë e SHBA-së, e firmosur nga 51 zyrtarë më të lartë të atij vendi, me të cilin mashtronin kombin amerikan dhe botën se laptopi i Hunter Biden, ku gjendeshin aferat më të turpshmet, ishte një laptop i stisur nga rusët dhe se Hunter nuk kishte prekur kurrë në jetën e tij, laptop me dorë.

Për të gjitha këto presidenti Trump e shpalli atë ‘non grata’ për të gjitha zyrat federale në SHBA. Ai nuk ka të drejtë dhe nuk mund të futet në asnjë zyrë shtetërore dhe federative në vendin e tij dhe uroj që drejtësia në Amerikë, të thotë fjalën e saj ndaj këtij manipulatori të turpshëm që mashtroi kombin e vet dhe botën.

Por nëqoftëse ka një vend në botë, se ne nuk na ndahen këto kopshtet, që mund të quhet kopshti i lulëzuar i Soros, ishte Shqipëria e Edi Ramës, e Erion Veliajt, vend në të cilin u sulmuan në mënyrë më të egër, aprincipiale opozita konservatore për zhdukjen e saj, vend në të cilin u zbatua politika e qëndrimit ndaj drogës dhe krimit dhe Shqipëria u shndërrua në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, vend në të cilin drejtësia u shndërrua në një armë politike të ekzekutivit

Në kopshte dhe shkolla nisi beteja kundër familjes, emërtimi i prindërve në prindi 1 dhe 2. Propaganda e turpshme vulgare me fëmijët që i nxisnin drejt mohimit dhe ndryshimit të gjinisë në shkolla, të gjitha këto e bënë  mjedisin shoqeror dhe Shqipërinë një vend të përçudnuar.

U godit opozita sepse qeveria e mbështetur nga Soros, ky korruptor planetar që mbjell korrupsion kudo në Shqipëri dhe botë, duhet që pasuritë kombëtare të shqiptarëve të vidheshin nga sorosianët e tij në pushtet dhe zërat që ngriheshin kundër korrupsionit të shuheshin.

Të dashur miq, për të gjitha këto, siç e dëgjuat dhe ju dje, nga njëri prej arkitektëve kryesorë të fushatës elektorale dhe fitores së Donald Trump, z. Cristofer LaCivita, Edi Rama është, vlerësohet, cilësohet si kukulla e Xhorxh Sorosit, e armikut numër 1 publik të SHBA-së.

Kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan Cris LaCivita i bëri të qartë shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se Edi Rama si kukull e Soros, vetëkuptohet duhet të ketë fatin e tij dhe se SHBA-të, kanë partner dhe aleat Partinë Demokratike dhe Sali Berishën.

Ky është një zhvillim, një ogur i bardhë për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse një opozitë tjetër sorosiane do ta kishte vidhisur Shqipërinë në honet e historinë, por ju qëndruat, ne qëndruam për ato vlera që qëndron një njeri i lirë. Nuk u mposhtëm, nuk u përkulëm dhe në fund kjo betejë u fitua në SHBA dhe do të fitohet edhe në Shqipëri.

Ju jeni dëshmitarë që pas deklaratave të kryetarit të Komitetit Kombëtar Republikan Cris LaCivita, në zyrat e padrinos së Shqipërisë, El Chapos apo Toto Rinës, ka rënë tërmet.

Skena e shkallmimit që patë dje në mëngjes, është përsëritur disa herë gjatë ditës. Kjo është e vërteta.

Pardje prokuroria speciale arrestoi një nga hajdutët me të këqijn, një person që për ligësitë e tij ka patur kufi vetëm Edi Ramën, Erion Veliajn.

Përpëlitjet e Ramës nga dje gjer sot për të mbajtur rreth vetes anëtarë të organizatës kriminale dhe të tjerë, kanë të bëjnë para së gjithash dhe mbi të gjitha me mesazhet që u dhanë në Rogner. Ai është kukull e Soros.

Ato mesazhe e detyrojnë atë të betohet për pastërtinë e Velicës, e cila të dashur qytetarë dhe qytetare, ka abuzuar dhe shpërdoruar, vjedhur në atë mënyre më paratë tuaja, saqë bazohet sipas medieve ndërkombëtare, vetëm me bashkëshorten e Asadit. Vetëm asaj ju numëruan dhe rezultoi me 1 mln euro garderobë.

Asadi kur iku në Rusi, ajo mori dhe garderobën dhe i rezultoi 1 mln euro. Ndërkohë që Velicës, për të cilën Edi Rama ka nga mëngjesi në darkë që betohet për pastërtinë, ndershmërinë e saj, i numërohen 867 mijë euro, fatura blerje online. Blerje online që kanë një çmim më të shtrenjtë se dyqanet.

Të gjitha të dorëzuara në doganë, me fatura doganash. Shikoni ku i zhyt ky rilindësit e tjerë. Në mbrojtje të një akti të paimagjinueshëm.

Kam qenë në parlament në vitin 1991, nuk e harroj kurrë.

Një deputet i rëndësishëm i Partisë së Punës, u ngrit aty dhe tha; po ta dija unë se, Enver Hoxha kishte tre dynym qilima, unë tha kurrë nuk do të kisha duartrokitur për të.

Unë u them shqiptarëve se gardëroba e Velicës mjafton për të shtruar tre hektarë qilima, jo 3 dynym.

Mbron Erion Veliajn të cilit i gjinden prerjet 500 euro, të mykura. Të gjitha para trafiqesh. Se këta trafikantët që ta dini ju, nuk prekkan format tjetër përveç 500 euroshe, sepse e ka nxjerrë prokurori italian, sepse 1 milionë euro me 500 peshoka 1.2 kilogram. Ata kanë hallin e peshës.

Kur i merr Taulanti, kur del e i pret Olsi apo të tjerët, nuk duan të kenë peshë shumë të madhe. Dhe janë gjetur aty 100 mijë euro prerje 500. E megjithatë ai bërtet dhe vë në shënjestër gjykatësit se qenkan me origjinë të djathtë, i cili rezulton se paska dhënë vendime kundër opozitës dhe në favor të Veliajt.

Jo një, por 3 vendime. E thashë dhe sot dhe e them prap këtu. Nëse ka një njeri në botë që nuk të drejtë ti përmendë babanë kujt, është Edi Rama.

Babai i tij është xhelat, ka firmosur për varjen e Havzi Nelës. Ndërsa babai i tij, i majtë apo i djathtë është kriminel se paska qenë në një zyrë me Gazment Bardhin. Paska punuar në një zyrë në ministri, sepse paskan studiuar bashkë, por nuk qenka e vërtetë.

Pra, jemi në këto rrethana ku partia e krimit po shkërmoqet.

Arrestimin e Erion Veliajt e njoftoi para dy javësh, Arben Ahmetaj. Ai tha se, Edi Rama do ta arrestojë këto ditë. E tha ai, se kishte informacionet, dhe informacionet ai i ka nga zyra e Ramës, jo nga të tjerët.

I gjithë ky skenar që zhvillohet është në kurriz të shqiptarëve.

Qytetarët nuk ekzistojnë për Edi Ramën. Ato ekzistojnë vetëm për ti vjedhë, plaçkitë,  për ti mashtruar.

Lufta mes tyre është lufta më e egër që mund të ketë shpërthyer brenda llojit.

Edi Rama u mor me diplomën e Belind Këlliçit, i cili së bashku me Etion Kapedanin janë dy shqiptarët që dolën me rezultatet më maksimale ndër 1 mijë studentë që kishte shkolla e tyre në Nju Jork.

Po tani ku është halli i diplomës. Halli i saj është tek Lubia, se Lubinë e paskan çuar në prokurori se ka diplomë false.

E merrni vesh. Ajo nuk ka diplomë, e ka falsifikuar diplomën. E kanë paditur në prokurori dhe tani kur të dëgjojnë socialistët se Lubia ka falsifikuar diplomën të thonë se edhe Belindi e ka falsifikuar. Nuk është gjë kjo punë e tyre.

Është një përleshje shumë e egër mes tyre. Këta njerëz kanë patur si moto; erdhëm, vodhëm, ikëm. Do të ikin, por nuk do të ikin. Absolutisht do të përballen me ligjin duke filluar nga Edi Rama tek secili që ka vjedhur.

Nuk ka në historinë e vendit njeri që mund të ketë vjedhur si Rama dhe Lubi Balluku së bashku. Rama sigurisht më shumë. Por edhe Lubia me 12 miliardë euro tendera, qindra e qindra milionë mos miliarda ka vjedhur me Ramën dhe i kanë shpërdoruar.

Të gjitha këto janë një detyrim madhor për ne.

Së pari të krijojmë frontin më të gjerë që Shqipëria ka njohur në 32 vite kundër narkodiktaturës.

Ne diktaturën komuniste-staliniste e përmbysëm me një front të gjerë. Kjo është e vërteta. Kush ka memorien e asaj kohe e di që ai ishte bashkimi më i gjerë i shqiptarëve. Mos harroni se diktatura është diktaturë.

Ndaj dhe kjo kthesë e madhe është një ftesë për të gjithë ata të cilët duan që Shqipëria të shpëtojë nga diktatura e krimit dhe drogës me datën 11 maj.

Është koha të bashkohemi me të gjitha forcat politike që ndjehen opozitare dhe duan të përballen me të keqen për të shpëtuar vendin e tyre.

Është koha të bashkohemi me të gjithë faktorët, biznesin, fermerët, rinia, pensionistët në një front të gjerë që nuk e ka njohur ndonjëherë më parë Shqipëria.

Është koha që secili prej jush të shndërrohet në një misionar të këtij bashkimi me bindjen dhe ndërgjegjen më të thellë se po i bëjmë vendit shërbimin më të madh.

Kanë ikur 45 përqind e shqiptarëve.

Po ta përfytyrosh Shqipërinë nuk mund të mos përfytyrosh një gropë të tmerrshme, të brendshme në trupin e saj, 45 për qind.

Ndaj dhe sigurisht ndryshimi i madh është një faktor shumë pozitiv, por ne na duhet një fitore e thellë dhe vendimtare.

Detyrat janë të mëdha dhe të vështira. Mos harroni se, siç ishte dekomunistizimi në vitet 1990-92, i një rëndësie po kaq jetike është desorosizimi i Shqipërisë dhe kjo bëhet me një front të gjerë të shqiptarëve të bashkuar rreth vlerave të lirisë, të familjes dhe patriotizmit, atdheut të tyre.

Ne duhet të jemi në lartësinë e kërkesave të kohës.

Një ligj siç ishte ligji që u bë për dekomunistizimin do të bëhet dhe për desorosizimin.

Do të ndalohet veprimtaria e fondacionit Soros në Shqipëri si një rrezik i vërtetë kombëtar.

Me ligj do të ndalohet bashkëpunimi i organeve shtetërore, administratës me organizata sorosiane.

Me ligj do të garantohet se kurrë qoftë edhe në referendum nuk do të mundet kush kurrë se do të luhet me familjen, me prindin, me gjininë përveç atyre që ka përcaktuar Zoti dhe natyra.

Ndaj dhe është e domosdoshme të shumëfishojmë energjitë, forcat për një bashkim të madh dhe të fuqishëm me të gjitha forcat politike që ndihen të përgjegjshme para qytetarëve shqiptarë.

Me të gjitha grupet, shtresat të bashkohemi rreth një programi të mrekullueshëm, rreth një programi që do të transformojë Shqipërinë. Unë i garantoj shqiptarët se ne kemi një program transformativ,

Ne kemi një program të transformimit të shpejtë.

Ne kemi një program në të cilin qytetari i të gjitha moshave dhe shtresave do të gjejë veten e tij, i përfillur dhe i mbështetur.

Një program që ka si qëllim absolut mëkëmbjen e qytetarëve shqiptarë të cilët sot jetojnë në varfërinë më të madhe në Europë dhe kanë vendin më të pasur në Europë.

Por pasuritë ua plaçkisin, u shndërrohen në garderoba 1 milionëshe të zyrtarëve, si bashkëshortja e Asadit.

Imagjinoni ju po të hapet gardëroba e Surrelit sa mund të jetë ajo, se këta bëjnë garë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat