Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar publikisht qeverinë dhe drejtues të drejtësisë se, përmes projekt-Kodit të ri Penal, po kryejnë një atentat të rëndë ndaj fjalës së lirë dhe Kushtetutës.
Në një deklaratë të fortë publike, Berisha theksoi se projektligji parashikon ndëshkime të ashpra për ata që kritikojnë gjyqtarë, prokurorë apo zyrtarë të drejtësisë, çka sipas tij përbën një rikthim të nenit 55 të diktaturës komuniste, i cili dënonte ashpër “agjitacionin dhe propagandën kundër pushtetit”.
“Me këtë Kod, Edi Rama dhe Altin Dumani kanë rivendosur një klauzolë totalitare që i shërben mbrojtjes së zyrtarëve të inkriminuar, jo të drejtësisë.”, tha Berisha.
Akuzat personale ndaj drejtuesve të drejtësisë
Ish-kryeministri sulmoi drejtpërdrejt drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, duke e akuzuar për fshehje pasurie, lidhje të mundshme me figura të krimit të organizuar dhe favorizim të paligjshëm të individëve të përfshirë në dosje të rëndësishme.
“Nëse denoncon publikisht fakte për lidhjet e një prokurori me bandat, apo pasuritë e tij të padeklaruara, rrezikon të dënohesh. Ky është kulmi i shkeljes së fjalës së lirë.”, u shpreh ai.
Berisha përmendi edhe emrin e gjyqtares Irena Gjoka, të cilën e cilësoi si të dënuar dhe të paaftë ligjërisht për të ushtruar funksione gjyqësore, duke e konsideruar emërimin e saj si pjesë e një “skenari mafioz të shtetit”.
“As Enver Hoxha nuk e mbronte kështu drejtësinë e vet”
Në një krahasim të fortë me regjimin komunist, Berisha deklaroi:
“Enver Hoxha nuk i ka dhënë asnjëherë drejtësisë së tij mbrojtje të tillë politike. Ky është atentati më i rëndë që i është bërë ndonjëherë lirisë së shprehjes në Shqipëri.”
Ai e cilësoi projekt-kodin një instrument për frikësimin e gazetarëve, qytetarëve dhe opozitës, që kanë denoncuar publikisht zyrtarë të drejtësisë për korrupsion apo abuzim me detyrën.
Berisha pretendon se ndryshimet ligjore janë rezultat i një pazar politik mes kryeministrit Edi Rama, kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, dhe drejtuesve të drejtësisë, me qëllim mbrojtjen e një elite të përfshirë në korrupsion.