Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për bashkim të opozitës dhe qytetarëve kundër qeverisë aktuale, duke vënë theksin te nevoja për unitet në protestë.
Në një deklaratë publike, Berisha theksoi se mbështet çdo figurë politike dhe qytetar që merr pjesë në protestat kundër qeverisë, duke përmendur konkretisht edhe kreun e Partisë Aleanca për Ndryshim, Lapaj.
“Lapaj ka pasur, ka dhe do ketë mbështetjen time për sa kohë gjendet në protestë. Dhe jo vetëm Lapaj, por cilido qytetar shqiptar që proteston kundër kësaj qeverie, ka dhe do ketë mbështetjen time”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së shtoi se ftesa për bashkim është e hapur për të gjitha partitë opozitare, pavarësisht projekteve individuale që mund të kenë. Ai nënvizoi se qëllimi kryesor është të bashkohen të gjithë kundër “të keqes së madhe” që sipas tij përfaqëson qeveria aktuale.
“Ftesa ime për Lapajn dhe të gjithë partitë opozitare është që të bashkohemi kundër kësaj të keqe të madhe. Përndryshe, kuptohet, kryetari i një partie ka projektin e tij. Unë këtë nuk mund të them. Por ftesa është e hapur”, tha Berisha.



