Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ministrin Niko Peleshi për censurimin e një mesazhi të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), duke deklaruar se e vetmja rrugë për qytetarët është, sipas tij, “kryengritja paqësore” më 10 shkurt.
Në një deklaratë publike, Berisha u ndal te ajo që e cilësoi si “dosja AKSHI”, për të cilën tha se ka tronditur kancelaritë evropiane dhe ato të vendeve të tjera të mëdha. Sipas tij, kjo dosje tejkalon çdo imagjinatë dhe përmban qindra e mijëra video dhe fotografi komprometuese.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po luan me fatet e vendit dhe të qytetarëve për të mbrojtur, sipas tij, krimet personale.
“Edi Rama po luan me fatin e çdo shqiptari për të mbrojtur krimet e tij. Ndaj 10 shkurti është dita e çdo qytetari, dita e dinjitetit, guximit, kurajës dhe vendosmërisë për të marrë fatin në duar”, u shpreh Berisha.
Ai pretendoi se një pjesë e mesazhit të Departamentit të Shtetit, që lidhej me luftën kundër organizatave kriminale transnacionale, është hequr nga njoftimi zyrtar në Parlament.
“Pavarësisht se Peleshi i Parlamentit e kishte hequr, në takimin që u bë në Departamentin e Shtetit citohej fjalë për fjalë lufta kundër organizatave kriminale transnacionale, çka parakupton rrezikun që kartelet shqiptare dhe organizatat e drogës paraqesin për vendet e tjera”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, për të kuptuar të vërtetën, qytetarët duhet t’i referohen njoftimeve origjinale të DASH-it dhe jo atyre zyrtare të institucioneve shqiptare.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt Nikо Peleshin si bashkëpunëtor në krimet e qeverisë, ndërsa përsëriti thirrjen për protestë.
“Këta janë bashkëpunëtorë në krim. Ndaj edhe njëherë, rruga e vetme është kryengritja paqësore. Nuk kanë asnjë interes tjetër përveç vjedhjeve për pasurim personal”, u shpreh ai.



