Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama se do të qeverisë deri në vitin 2029, duke theksuar se largimi i tij nga pushteti nuk do të varet nga dëshirat apo afatet që shpall vetë Rama, por nga vullneti i qytetarëve.
Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se në rrethana normale një kryeministër do të kishte dhënë dorëheqjen, por sipas tij, në rastin e Edi Ramës situata është ndryshe, pasi ai e cilësoi kryeministrin si “hajdut”, duke shtuar se rrëzimi i tij do të vijë si pasojë e zemërimit popullor.
“Përgjigjja ime është kjo: shqiptarët do t’ia tregojnë veten atij. Çdo kush përveç atij do të kishte dhënë dorëheqjen. Por tani prite zemërimin e popullit shqiptar. Shqiptarët nuk do të mund t’i vjedhë më,” deklaroi Berisha.
Lideri i opozitës theksoi se ndryshimi i pushtetit do të vijë përmes reagimit të qytetarëve dhe se, sipas tij, Rama nuk mund të qëndrojë në pushtet për aq kohë sa pretendon, pavarësisht deklaratave publike që bën.
Deklarata e Berishës vjen në vijim të përplasjeve të vazhdueshme politike mes mazhorancës dhe opozitës, në një klimë të tensionuar politike dhe protestash të paralajmëruara nga Partia Demokratike.



