Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot një letër të cilën ai pretendon se është dërguar nga Ministri i Jashtëm Igli Hasani për përfaqësuesit më të lartë të vëzhguesve ndërkombëtarë, pas publikimit të raportit paraprak për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sipas Berishës, letra u dërgua më 12 maj 2025 dhe iu drejtua emrave kryesorë të misionit të OSBE-ODIHR, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian. Në këtë komunikim, Ministri Hasani shprehte “pritshmërinë” që raporti të pasqyronte “me saktësi realitetet në terren” dhe kundërshtonte tonin e raportit, që sipas tij, jepte “një paraqitje thellësisht negative dhe të pabalancuar” të procesit zgjedhor.
Berisha e quajti këtë letër një “akt kërcënimi diplomatik” dhe një përpjekje për të ushtruar presion ndaj trupës së vëzhguesve ndërkombëtarë që kishin denoncuar parregullsitë zgjedhore.
“Është një nga aktet më të turpshme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të këtij vendi. Ministri i jashtëm i narkoshtetit, sapo publikohet deklarata paraprake e misioneve ndërkombëtare, u dërgon një letër të përbashkët të gjithë drejtuesve të misioneve, ku në mënyrë të tërthortë kërkon rishikimin e përmbajtjes”, – u shpreh Berisha në një konferencë për mediat.
Sipas tij, përmbajtja e letrës vërteton nervozizmin e qeverisë pas vërejtjeve të forta që përmbante raporti i misioneve ndërkombëtare, përfshirë përdorimin e burimeve shtetërore për fushatë, shkelje të afateve ligjore për prokurimet publike dhe manipulimin e votës së diasporës.
Në deklaratën e tij, Berisha listoi një sërë shkeljesh që, sipas tij, e kanë bërë këtë proces elektoral “më të diskredituarin dhe më të korruptuarin në 32 vite pluralizëm”, duke përmendur:
Shpenzimin e mbi 1 miliard eurove nga buxheti i shtetit për të ndikuar rezultatin zgjedhor,
Organizimin e mbi 4,500 aktiviteteve në kundërshtim me ligjin,
Dhënien e 138 licencave për kultivimin e kanabisit, në një sipërfaqe 29 mijë hektarë,
Manipulimin e votës së diasporës, që Berisha e quajti “mashtrim të madh elektoral”.
Ish-kryeministri shtoi se “në vend që t’i falënderojë misionet për transparencën, Hasani ka zgjedhur t’i qortojë dhe t’i paralajmërojë, në një gjuhë që s’ka vend në komunikimin diplomatik”.