back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetBerisha inauguron platformën qytetare dhe paralajmëron betejë politike

Berisha inauguron platformën qytetare dhe paralajmëron betejë politike

Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, inauguroi sot para Kryeministrisë atë që e quajti “platforma parlamentaro-qytetare”, duke e cilësuar vendin si “pallat të krimit shtetëror dhe njerëzor”. Fjalimi i tij i gjatë përmbante akuza të ashpra ndaj qeverisë Rama, me fokus tek korrupsioni, narkoshteti dhe situata e rëndë e shëndetësisë.

Në fjalën e tij, Berisha u drejtua ndaj qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës:

“Liria është si një lumë, të cilin me asnjë lloj përpjekjeje nuk mund ta ndalësh. Po guxove ta bllokosh, ajo do të çajë një kanal. Kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit,” tha ai.

Ai e përshkroi qeverinë aktuale si një narkoshtet, duke akuzuar kryeministrin Rama dhe zyrtarët e tij, Lubinë dhe të tjerë, për vjedhje, plaçkitje dhe shkatërrim të institucioneve shtetërore. Sipas Berishës, përpjekjet e opozitës për të kërkuar rotacion të pushtetit u penguan nga “tonelata eurosh droge, ushtria e patronazhistëve dhe burime të të gjitha llojeve të shtetit mafioz”.

Berisha iu referua edhe rasteve specifike të korrupsionit, duke përmendur:

90 milionë euro në tunelin e Llogarasë

140 milionë euro në aeroportin e Vlorës

Vjedhje qindra milionëshe në porte, rrugë dhe projekte të tjera

Ai kritkoi ashpër qeverinë edhe për mbylljen e parlamentit ndaj opozitës, duke e quajtur këtë “mbyllje de facto e narkoparlamentit”. Sipas tij, deputetët e opozitës u lejuan të debatonin vetëm në një seancë nga dhjetë të planifikuara, ndërsa votimi për qeverinë u zhvillua për vetëm 28 minuta.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj institucioneve të shëndetësisë:

“Ministrja e Shëndetësisë nuk u lejua të shpjegojë pse të sëmurët me sëmundje malinje mbeten pa ilaçe. Edi Rama deklaroi se paratë nuk mjaftuan, ndërsa në të vërtetë i përdor për banka offshore, avion privat dhe shpenzime luksi.”

Ai theksoi se kjo situatë përbën një krim të vërtetë ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj pacientëve me sëmundje të rënda, duke e krahasuar qeverinë me diktatorë dhe sulltanë që mbjellin skamje dhe shkatërrojnë të ardhmen e shqiptarëve.

Në fjalimin e tij, Berisha përfundoi duke thënë se platforma parlamentaro-qytetare synon të mobilizojë qytetarët dhe opozitën për të ndryshuar situatën, duke paralajmëruar një përballje të ashpër me qeverinë aktuale për të rivendosur transparencën dhe sundimin e ligjit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat