back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetBerisha justifikon lobimin milionësh/ “Paratë s’më përkasin mua”

Berisha justifikon lobimin milionësh/ “Paratë s’më përkasin mua”

Ish-kryeministri Sali Berisha është përballur sërish me pyetje të drejtpërdrejta mbi kontratën e lobimit me kompaninë amerikane “Continental”, e cila dyshohet se ka përfituar miliona dollarë për të mbështetur aksionin e opozitës në arenën ndërkombëtare. Por këtë herë, ai zgjodhi të distancohet plotësisht nga çdo përgjegjësi personale, duke theksuar se nuk është zëdhënës i kompanisë dhe se gjithçka në këtë marrëdhënie është “transparente”.

“Nuk jam zëdhënës i kompanisë në fjalë. Kompania ka rregullat e saj të funksionimit, drejtohuni asaj. Nuk kam asnjë koment për ato që nuk më takojnë mua,” u shpreh Berisha gjatë një deklarate publike, ku shmangu çdo përgjigje konkrete mbi burimin dhe vlerën reale të pagesave të bëra për lobim në SHBA.

Kompania “Continental”, sipas dokumenteve të dorëzuara pranë Departamentit të Drejtësisë në SHBA, ka marrë miliona dollarë për të ofruar shërbime lobimi në emër të përfaqësuesve të opozitës shqiptare, përfshirë edhe përkrahje në lidhje me pozicionimin ndërkombëtar të liderit të Rithemelimit, në kushtet e sanksioneve të vendosura nga SHBA.

“E rëndësishme është që kompania është transparente”

Në vend që të japë shpjegime mbi kontratat dhe burimet financiare që kanë mundësuar këtë lobim, Berisha u përpoq ta paraqesë “Continental” si një entitet të ligjshëm dhe të hapur në veprimtarinë e tij.

“Ajo është transparente. Nuk është mafioze siç ishte Lou Bladel, McGonigal apo Rossini. Ajo kompani i ka afishuar të gjitha,” tha Berisha, duke rikthyer në qendër të deklaratës së tij edhe një herë skandalin e bujshëm të ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal.

Berisha nuk i kurseu akuzat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, të cilin e akuzoi për heshtje të qëllimshme ndaj çështjes McGonigal – dosjes që lidh kryeministrin Edi Rama me pagesa të dyshuara ndaj një ish-zyrtari të lartë të FBI-së për të ndikuar në goditjen politike të opozitës.

“Altin Troplini hesht si fija e barit. Paçka se Edi Rama nga zyra e tij i ka dhënë 225 mijë dollarë McGonigal-it për të punuar kundër Sali Berishës dhe opozitës. Ai është në burg atje, kurse ky nuk hap një dosje këtu. Përpiqet të tregojë se është shërbëtor i shpifur i kreut të organizatës kriminale shqiptare,” deklaroi Berisha me tone të forta.

Një kontratë “e ligjshme”, por me shumë pikëpyetje

Pavarësisht se Berisha insistoi në transparencën e marrëdhënies me “Continental”, mbetet e paqartë se nga janë gjeneruar fondet për pagesat që i janë bërë kompanisë së lobimit në SHBA. Nëse ato janë realizuar nga individë të lidhur me opozitën, kompani të regjistruara në vende të treta, apo përmes burimeve që mbeten ende të paidentifikuara, kjo nuk është bërë e ditur.

Berisha tha se “pagesat nuk kanë asnjë lidhje me të” dhe se për çdo detaj duhet kontaktuar kompania. Kjo lë një hapësirë të konsiderueshme për spekulime dhe mungesë transparence, sidomos në klimën aktuale të tensionuar politike dhe në kushtet kur figura kyçe të opozitës janë nën hetim apo nën masa ndëshkuese nga partnerët ndërkombëtarë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat