Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në procesin politik, duke theksuar se kjo eksperiencë tregoi për një fakt të qartë: kryeministri aktual, Edi Rama, nuk është në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Në vlerësimin tim, nuk ishte asnjë gabim. Opozita dëshmoi dhe duhet të dëshmojë vullnet për hapje. Edhe njëherë i falënderoj shumë të gjithë ata që kandiduan si të pavarur. Por çfarë faktoi kjo? Se në asnjë variant Edi Rama zgjedhje nuk bën,” – tha Berisha.
Ai shtoi se populli e ka braktisur Ramën në mënyrë masive, duke e quajtur këtë një braktisje ekzemplare, dhe u bëri thirrje forcave opozitare që të kanalizojnë zemërimin dhe revoltën e qytetarëve në një energji të fuqishme për të rrëzuar regjimin aktual.
“Ne si opozitë duhet të kapitalizojmë zemërimin dhe revoltën që ekziston në zemrat e shqiptarëve dhe ta kthejmë në një energji të fuqishme të përmbysjes së këtij regjimi të paligjshëm në Shqipëri,” – deklaroi Berisha.



