Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në konferencën për shtyp ditën e sotme, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, duke i akuzuar ata për korrupsion masiv, shpërdorim fondesh publike dhe bllokim të drejtësisë. Berisha deklaroi se çdo ditë që kalon rritet zemërimi dhe revolta e qytetarëve ndaj qeverisë, të cilën ai e cilësoi si “regjim kriminal” që, sipas tij, ka tejkaluar çdo nivel vjedhjeje të njohur në historinë e shtetit shqiptar.
Sipas Berishës, Edi Rama mban përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale, pasi jo vetëm që mbron Ballukun nga drejtësia, por edhe ndërhyn në institucionet e pavarura, përfshirë Gjykatën Kushtetuese. Ai akuzoi kryeministrin për kontroll të plotë mbi AKSHI-n, duke e quajtur atë një strukturë të kapur nga familja Rama, ku sipas tij janë kryer vjedhje të qindra milionë eurove dhe janë cenuar rëndë të dhënat e sigurisë kombëtare dhe ato të NATO-s.
Lideri demokrat, Sali Berisha e cilësoi mbrojtjen publike që Rama i bëri Ballukut si të turpshme dhe kriminale, duke theksuar se akuzat ndaj saj nuk kanë të bëjnë me “përdorim fondesh”, por me vjedhje dhe drejtim të një organizate kriminale. Berisha përsëriti thirrjen për dorëheqje të menjëhershme të kryeministrit, duke deklaruar se opozita dhe qytetarët janë të vendosur për largimin e tij nga pushteti.
Në fjalën e tij, kreu i PD përshëndeti protestën e qytetarëve të Vlorës për mungesën e ujit, duke e cilësuar atë si një reagim dinjitoz dhe shembull të fuqisë qytetare. Ai theksoi se mungesa e ujit dhe padrejtësitë nuk janë problem vetëm i Vlorës, por i gjithë Shqipërisë, dhe se zgjidhja vjen vetëm përmes angazhimit dhe protestës qytetare.
Në sesionin e pyetje-përgjigjeve, Berisha konfirmoi se opozita do të nisë protesta të qëndrueshme në janar, duke i konsideruar ato rrugën e vetme për përmbysjen e asaj që ai e quajti “regjim i narkoshtetit” dhe për hapjen e rrugës drejt krijimit të një qeverie teknike. Ai u bëri thirrje qytetarëve të dalin çdo ditë në shesh, duke theksuar se fitorja nuk varet nga numrat, por nga guximi dhe vendosmëria.
Lidhur me çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut, Berisha tha se opozita e ka mbledhur ligjërisht Këshillin e Mandateve dhe se, sipas saj, Balluku “de facto” nuk ka më imunitet. Ai akuzoi Edi Ramën se po pengon arrestimin e saj dhe theksoi se opozita do të vijojë betejën si në rrugë ligjore, ashtu edhe përmes protestave të fuqishme.
FJALA E PLOTË
Jam sot këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut nga postet e tyre.
Çdo ditë që kalon po rrit në mënyrë eksponenciale zemërimin dhe revoltën tek qytetarët e Tiranës dhe qytetarët shqiptarë.
Po rrit vendosmërinë e tyre për t’i larguar me çdo çmim nga pushteti këta hajdutë që tejkalojnë me vjedhjet e fondeve dhe pasurive publike të gjitha vjedhjet që janë bërë në 113 vjet të shtetit shqiptar.
Bllokimi i drejtësisë nga Edi Rama, refuzimi për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut, diktimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë aktet më të rënda, më të paprecedent në historinë e një shteti, është poshtërimi më i madh që u bëhet qytetarëve shqiptarë, duke u thënë atyre se ne u kemi vjedhur, u vjedhim dhe do t’u vjedhim sepse jemi mbi ligjin, mbi Kushtetutën dhe kjo përbën për çdo qytetar që beson në barazinë para ligjit dhe ligjin, që beson Kushtetutën dhe rendin kushtetuese.
Edi Rama përgjegjësitë i ka më të rënda se Lubi Balluku sepse nëse ata kanë vjedhur dhe shpërdoruar miliarda në veprat publike, ndërmarrja, kopshti privat i Edi Ramës, AKSHI, nuk është kontrolluar nga Lubi Balluku.
AKSHI ka qenë ekskluzivitet total i familjes Rama.
Në dosjen e AKSHI-t janë veprat më të shëmtuara në historinë e kombit, vjedhja e plotë dhe totale të gjitha të dhënave të sigurisë kombëtare dhe ato që vijnë nga Aleanca e Atlantikut të Veriut në Shqipëri.
Kalimi i këtyre të dhënave në duart e bandave dhe armiqve të betuar të kombit shqiptar dhe NATO-s.
Dosja e AKSHI-t nuk është pra vetëm dosja e vjedhjeve të qindra milionë eurove përmes baxhanakut të tij në AKSHI, dhe implikimit siç tregojnë regjistrimet të bashkëshortes së tij në përcaktimin e fituesve, nuk është vetëm pengmarrjet, 3 pengmarrje jo 2, Gerond Meçe me 12 gusht, Daniel Shima një javë më vonë dhe një tjetër biznesmen i ri i marrë peng për shkak të lojërave të fatit, monopol ekskluziv dhe total i kartelit të drogës në Elbasan.
Edi Rama, që bëri dje avokatin mjeran të Lubisë bis, sipas të cilit prokuroria e ka akuzuar atë për përdorimin e fondeve, përgëzoj një gazetar i cili shkruante se Rama ka përdorur aty gjuhën oruelliane, ku vjedhja e shefit quhet përdorim, ku plaçkitja quhet mbikëqyrje nga shefi.
Edi Rama pretendonte se Linda e dytë e tij, se i kanë rastisur të treja me Linda, Belinda, Mirlinda, Linda, se si i merr fati të tria në një rreth të kuq, se Mirlinda po akuzohet se ka përdorur fonde.
Po ka mbrojtje më kriminale, më të turpshme se kjo?
Si mund të akuzosh se ka përdorur fondet?
Akuzohet se ka vjedhur fondet. Se ka drejtuar një organizatë kriminale me Ergys Agasin, me koordinatorin e tij, dhe se fondet kanë shkuar që të gjitha në familjen supermafioze Rama.
Ndaj dhe për ta mbyllur edhe njëherë, jep dorëheqjen sa më parë.
Je i pashpresë.
Qytetarët shqiptarë janë të zemëruar, të revoltuar kundër teje dhe të gatshëm që të paguajnë çdo çmim për familjen tuaj.
Së dyti, dua të përshëndes përzemërsisht qytetarët e Vlorës për protestën e tyre dinjitozë, për fibrën e tyre qytetare, që reaguan në mënyrën më të fuqishme, ua zunë galanë në fyt zyrtarëve makutë, që kanë vjedhur fondet e ujësjellësit dhe ishin mbledhur të festonin me to.
Qytetarë dhe qytetare, ju përjetoni padrejtësitë më të mëdha. Protesta juaj kundër regjimit është shpëtimtare për ju dhe për Shqipërinë.
Uji nuk mungon vetëm në Vlorë, uji mungon në mbarë Shqipërinë.
Arbitrariteti nuk ushtrohet vetëm në Vlorë, ushtrohet në çdo skaj të këtij vendi.
Për të shpëtuar duhet zëri juaj, duhet angazhimi juaj qytetar.
Të përzëmë sa më parë këtë të keqe të madhe që i ka rënë në krye Shqipërisë.
PD angazhohet, opozita angazhohet në betejën finale për largimin e organizatës kriminale nga pushteti, organizatë që kryesohet nga Edi Rama.



