Ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi se sot janë lëshuar disa mandate arresti për persona të lidhur me rrethin e ngushtë të Kryeministrit Edi Rama. Ai bëri të ditur se disa persona, përfshirë baxhanakun dhe gruan e Ramës, nuk janë përfshirë në këto masa.
Sipas tij, mes të dyshuarve përfshihen, Ergys Agasi, aktualisht në arrati, Armand Frangu, për të cilin ende nuk dihet nëse është lëshuar mandat arresti, Gerond Meçe, i cili gjithashtu është në arrati pas një pengmarrjeje të mëparshme dhe Linda Rama, e përmendur në përgjime që lidhen me tenderat e familjes.
Berisha theksoi se hetimet lidhen me dyshime për aktivitet kriminal të organizuar, përfshirë tendera dhe presion ndaj biznesmenëve. Sipas tij, disa zyrtarë dhe persona të afërt me familjen e Ramës janë përfshirë në këtë enturazh, ndërsa hetimet janë ende në vijim.
Berisha bëri të ditur se kompanitë e baxhanakut të Ramës, B360 dhe ABS (më vonë ABSLI), kanë kryer rreth 800 transaksione nga Thesari i Shtetit në një vit, duke u përfshirë në kontrata që sipas tij favorizojnë kryesisht interesat e familjes. Ai shtoi se dosja hetimore ka qenë në duart e prokurorit me mbiemrin Mara dhe është ruajtur për të mos u asgjësuar.
Sipas Berishës, Gerond Meçe konfirmon se Linda Rama ka ndërhyrë në përcaktimin e tenderave, ndërsa kompanitë e baxhanakut kanë fituar kontrata me përqindje shumë të larta të fondeve publike.



