back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 23 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetBerisha kundërshton Ambasadën Gjermane/ "Skenar për të fshehur të vërtetën"

Berisha kundërshton Ambasadën Gjermane/ “Skenar për të fshehur të vërtetën”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në protestat e opozitës, duke theksuar se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar për një “kryengritje paqësore”, ndërsa akuzoi policinë për përdorim të tepruar të dhunës ndaj qytetarëve.

I pyetur nga gazetarët mbi reagimin e ambasadës gjermane, e cila dënoi dhunën dhe bëri thirrje për distancim, Berisha deklaroi se protesta e opozitës ka qenë dhe mbetet paqësore, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë efektiv policie të plagosur, ndryshe nga demonstruesit.

Sipas tij, dhjetëra qytetarë kanë mbetur të plagosur si pasojë e ndërhyrjes së forcave të rendit, ndërsa theksoi se kjo tregon qartë se dhuna, sipas tij, ka ardhur nga ana e policisë.

“Ne jemi të përcaktuar për kryengritje paqësore. Por mund të them se ka pasur me dhjetëra demonstrues të plagosur nga dhuna policore, ndërkohë që nuk ka asnjë polic të plagosur,” u shpreh ai.

Berisha shtoi se, edhe pse në rrethana të caktuara mund të justifikohen forma të tjera reagimi, opozita ka zgjedhur që të qëndrojë në rrugën paqësore, pasi beson se kjo është mënyra më efektive për të arritur qëllimet politike.

Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për vendosjen e një regjimi autokratik, duke deklaruar se vendi ndodhet në kushte ku, sipas tij, është cenuar rëndë ndarja e pushteteve dhe funksionimi i drejtësisë.

Në vijim, Berisha renditi një sërë çështjesh që i cilësoi si “dhunë kushtetuese” ndaj qytetarëve, duke përmendur vendimmarrje të institucioneve dhe raste konkrete që, sipas tij, tregojnë ndërhyrje të ekzekutivit në sistemin e drejtësisë.

Megjithatë, ai nënvizoi se opozita nuk bën thirrje për dhunë dhe do të vijojë protestat në mënyrë paqësore.

“Ne besojmë se dhuna nuk na shërben. Në rrugën paqësore realizojmë më shpejt dhe më mirë qëllimet tona,” theksoi ai.

Berisha hodhi gjithashtu akuza për inskenim të situatave nga ana e qeverisë, duke pretenduar se janë paraqitur raste të pavërteta për të justifikuar narrativën e dhunës ndaj policisë.

Në përfundim, ai ritheksoi se protesta e opozitës do të vijojë, duke mbetur e fokusuar në, siç u shpreh, “kryengritjen paqësore” kundër qeverisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat