Kryetari i Partisë Demokratike, Prof.Dr.Sali Berisha, në takimin e madhështor me shqiptarët në Parma Itali shprehu mirënjohje të thellë për mikpritjen dhe mbështetjen që shqiptarët kanë marrë nga Italia dhe italianët, duke theksuar se lidhjet midis dy kombeve janë të thella dhe të forta. Berisha vlerësoi rëndësinë e emigrantëve shqiptarë në Itali, duke nënvizuar arritjet e tyre në fusha të ndryshme, si inxhinieri, mjekësi, shkenca, art dhe muzikë. Kryedemokrati italianët për mbështetje dhe solidaritet dhe e cilëson miqësinë mes Shqipërisë dhe Italisë si një model frymëzues.
Në fjalimin e tij, ai gjithashtu kujton periudhën kur shqiptarët, pas rënies së diktaturës, shpërngulën në Itali dhe, edhe pse përballeshin me paragjykime, gjetën mbështetje të fuqishme nga njerëz dhe institucione italiane.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi takimet me diasporën janë të rëndësishme për përmbysjen e qeverisë aktuale dhe shpëtimin e Shqipërisë. Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për krijimin e “narkoshtetit” dhe për shtypjen e opozitës dhe mediave. Berisha u shpreh para shqiptarëve në Parma se entuziazmi i tyre tregon se opozita po kthehet fuqishëm dhe do të sjellë ndryshime pozitive për vendin.
Lideri historik i PD, Sali Berisha akuzoi me tone të ashpra kryeministrin Rama për shkelje të ligjit dhe për kontrollin e opozitës dhe mediave, duke e krahasuar me regjime autoritare. Berisha tha se një nga arsyet që zv.presidenti i SHBA, JD Vance, e quajti Ramën më të rrezikshëm se Rusinë dhe Kinën është për shkak të represionit që ai ushtroi ndaj opozitës. Berisha solli edhe njëherë në vëmendje takimin me Chris LaCivita, këshilltarin e fushatës së Trump, dhe tha se Rama u frikësua nga ky zhvillim.
Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se rënia e Tiranës do të çojë në rënien e Edi Ramës dhe diktaturës së tij. Berisha tha se qytetarët që larguan Erion Veliajn nga bashkia dhe akuzon Ramën dhe Veliajn për korrupsion. Kryedemokrati theksoi se kryemagjistari i fitores të presidentit Donald Trump, ua tha shqiptarëve hapur, jam këtu për të mbështetur PD dhe Sali Berishën për Shqipërinë madhështore, për Shqipërinë aleate dhe mike të vërtetë të SHBA dhe Amerikës.
Në takimin me shqiptarët në Itali, Kryetari i PD, Sali Berisha tha se vota e diasporës është thelbësore për shpëtimin dhe transformimin e Shqipërisë. Berisha foli mbi sfidat që ka kaluar opozita, duke përmendur veprimet e qeverisë për të penguar fitoren e kandidatëve të saj dhe duke i krahasuar ato me veprime të ngjashme që kanë ndodhur në SHBA. Berisha theksoi nevojën për ndryshime të thella në Shqipëri, duke vënë në dukje emigrimin masiv të shqiptarëve gjatë periudhës së Edi Ramës. Ai akuzoi qeverinë për dështimin e saj në krijimin e mundësive për qytetarët dhe nënvizon se vota e diasporës do të jetë vendimtare për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë.
Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se turizimi në Shqipëri funksionon mbi një platformë koloniale, pasi shumica e të ardhurave nuk mbeten në vend. Berisha theksoi se ndërsa Shqipëria pranon 10 milionë turistë, të ardhurat nga turizmi janë shumë të ulëta, duke përmendur se çdo shqiptar fiton vetëm 4 euro për turist. Berisha akuzoi qeverinë për shpërdorim të fondeve dhe thekson se ekonomia shqiptare është në rënie të shpejtë, me ulje të eksporteve dhe investimeve të huaja. Berisha foli mbi rritjen e çmimeve dhe vështirësitë që kanë qytetarët për të blerë pasuri, duke paralajmëruar fundin e situatës aktuale.
Lideri demokrat, Sali Berisha thase Partia Demokratike është angazhuar për një transformim të shpejtë dhe rrënjësor të Shqipërisë. Berisha theksoi disa masa konkrete, si vendosja e minimumit jetik në 200 euro, rritja e rrogës minimale me 25%, dhe vendosja e rrogës mesatare në 1200 euro brenda tre muajve të parë të qeverisjes. Berisha shtoi se qëllimi është që Shqipëria, me pasuritë që ka, të prodhojë begati për qytetarët e saj.
Kryedemokrati, Sali Berisha u shpreh para shqiptarëve se zotohet realizuar një Shqipëri madhështore, duke përmendur disa arritje të rëndësishme të Partisë Demokratike në periudhën e qeverisjes së saj si ndërtimi i infrastrukturës, rritja e pagave, anëtarësimi në NATO dhe projektet energjetike, etj. Ai e konsideroi këtë projekt si një ëndërr të rinisë shqiptare dhe të ardhmen e Shqipërisë, e cila do të bëhet një epiqendër për teknologjitë moderne, si interneti 3.0, blockchain, kriptomonedhat, inteligjenca artificiale dhe datacenterat. Berisha tha se në këtë stad ky është qëllimi më madhor i jetës së tij.
Kryetari i PD, Sali Berisha iu bëri thirrje shqiptarëve, veçanërisht diasporës, të regjistrohen për të votuar deri më 4 mars, duke theksuar rëndësinë e 11 majit për të sjellë një ndryshim politik dhe për të përmbysur “narkoshtetin”.
Berisha inkurajoi patriotizmin dhe angazhimin për Shqipërinë, duke cilësuar këtë moment si “orën e krye-jetës” dhe një ftesë për fitore.

FJALA E PLOTË
Të dashur bashkëatdhetare e bashkëatdhetarë! Të nderuar drejtues të PD të Shqipërisë, të Parmës, të Romës.
I nderuar zoti nënkryetar i Bashkisë së Parmës, mik i shqiptarëve. I dashur zoti Shpend Ndreu.
Zonja e zotërinj, mirënjohjen time më të pakufishme, përshëndetjet më miqësore për këtë pritje të zjarrtë, për ju në këtë sallë, për ata qëjanë jashtë, për shqiptarët në Itali, për miqtë tuaj italianë kudo që ndodhen sot.
Faleminderit shumë për këtë pritje të zjarrtë.
Me këtë rast shpreh një mirënjohje të pakufishme për kombin e madh italian, një komb që është provuar mik i vjetër, mik i shqiptarëve dhe i Shqipërisë.
Historia e miqësisë mes vendeve tona është frymëzuese dhe e rrallë.
Ajo daton 500 vite më parë me pritjen në Itali të arbëreshëve dhe vazhdon pa rreshtur.
Sot ju jeni farkëtuesit e miqësisë, e bashkëpunimit, e afrimit të dy kombeve dhe dy vendeve tona, jeni ambasadorë të shkëlqyer të kombit shqiptar në Shqipëri.
Sot ne kujtojmë të gjithë kur shqiptarët e sapoçliruar nga nata e zezë e gjatë e diktaturës staliniste, u dyndën, vërshuan drejt këtij vendi.
Por edhe në ato kohëra, kur ekzistonin paragjykime, ekzistonin stereotipe për një popull refugjatësh, përsëri miq të shquar, burra të shquar të këtij kombi, italiani i shquar Xhorxhio Napolitano, italiani i madh Silvio Berluskoni, qindra e mijëra qytetarë fisnikë italianë qëndruan në anën tuaj, iu dhanë krahë, iu dhanë mbështetje dhe ndërtuat në këtë vend jetën dhe të ardhmen tuaj.
Zoti e bekoftë kombin italian, zoti e bekoftë Italinë.
Sot është krenari e madhe të shohësh këtë miqësi midis kombeve dhe vendeve tona, prandaj dhe kam një falënderim, një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, ndaj të gjithë shqiptarëve në këtë gadishull, të cilët erdhën refugjatë në mënyra nga më të ndryshmet, por në këtë tokë dhe në këtë vend u shndërruan dhe u provuan si qytetarë të ndershëm, punëtorë, të aftë, të zotë. U shkolluan inxhinierë, mjekë, shkencëtarë, akademikë, studentë, artistë, piktorë, këngëtarë, krenari e Shqipërisë, por edhe krenari e Italisë.
Ju keni nderuar familjet, keni nderuar kombin dhe flamurin tuaj.
Miq, ky është takimi im i dytë me diasporën, të parin e zhvillova në Romë, të dytin në Parma.
Por këto takime provohen të një rëndësie të jashtëzakonshme.
Këto takime po firmosin shpëtimin e Shqipërisë.
Po firmosin përmbysjen e narkoshtetit.
Kjo sepse jo vetëm se vota juaj është sot më e çmuar se kurrë në historinë e Shqipërisë, por sepse optimizmi, entuziazmi, energjia e këtyre takimeve e paparë që nga viti 1990 po çon peshë zemrat e shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo në botë.
Të dashur miq, këto takime, ky entuziazëm, kjo energji po bind çdo qytetar se ne po kthehemi fuqishëm për të mirën e mbarë shqiptarëve, për të mirën e Shqipërisë, të miqve të saj.
Vetëm dy javë kanë kaluar nga takimi në Romë.
Dy javë me zhvillime sa dy apo pesë vite.
Me zhvillime të mëdha që kanë dridhur themelet e narkoshtetit, që po fusin narkoshtetin në vdekje klinike, në koma.
Po, miqtë e mi.
Në takimin tim në Romë, unë u thashë shqiptarëve se Edi Rama është rreziku më i madh kombëtar për shqiptarët.
Se Edi Rama është Çubrilloviçi shqipfolës.
Se Edi Rama ka ndërtuar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Të dashur miq, vetëm 5 ditë nga ai takim, në Mynih, zëvendëspresidenti i SHBA, do ia plaste në fytyrë tiranit, do i thoshte Europës se problemi ynë është persekutimi, arrestimi i liderëve të opozitës.
Përpjekja për të marrë mandate duke arrestuar liderë të opozitës.
Censura. A kishte në atë sallë ndonjë lider, i cili kishte arrestuar tre liderë të opozitës si Edi Rama? Asnjë tjetër, asnjë të vetëm.
A kishte në sallë njeri që kishte marrë vendim për të censuruar mjetin më të fuqishëm të komunikimit të kohës, TikTokun? Vetëm se rinia shqiptare nuk i ndahej me TikTokun nga mëngjesi gjer në darkë kundër tij.
A kishte në sallë ndonjë lider që kishte futur në dorë të gjitha mediat kryesore dhe i kishte shndërruar si organe të zyrës së tij? Jo, asnjë.
Miq, në Mynih, Edi Ramës, zëvendëspresidenti i vendit më të fuqishëm të botës, i tha ato të cilat ne ia deklaronim çdo ditë dhe çdo javë.
Po pse kjo ngjashmëri?
E bëri ai i nxitur nga ne? Jo, u them unë, jo.
Ka një shkak tjetër më të thellë.
Sepse opozita në vendin e madh, në atë vend, pësoi nga i njëjti armik, të njëjtat probleme, të njëjtat represione, të njëjtat censurë, të njëjtat akuza, siç pësoi opozita në Shqipëri.
Kjo ishte arsyeja pse zëvendëspresidenti JD Vance shpalli armik më të rrezikshëm për Europën, se rusi dhe kinezët, atë që arreston liderët e opozitës për të marrë mandatet. Atë që censuron mediat sociale. Atë që kontrollon mediat dhe arreston gazetarët.
Ky ishte një kushtrim për shqiptarët kudo që janë. Për njerëzit e lirë kudo që janë.
Miq, jo vetëm kaq. Në këto dy javë kishte një zhvillim tjetër të madh.
Të nesërmen e largimit tim nga Roma, para shqiptarëve u paraqita me kryestrategun, me kryemagjistarin, bashkëkryemagjistarin e fushatës elektorale të presidentit Donald Trump, Chris LaCivita.
Shkallmoi Edi Rama, u tmerrua, e pa me sy humbjen, fatalitetin e tij.
Dhe menjëherë, me mediat e tij, deklaroi se Chris LaCivita u ble nga Berisha.
Po, po të ishte puna për të blerë, po ai e ngatërroi Chris LaCivita me McGonigalin.
Po prisni se kam një lajm për ju sot.
Një gazetar i madh italian shkruante sot, e kam të paqartë marrëveshjen Rama-McGonigal sepse drejtësia e Biden e mbajti të fshehtë, një marrëveshje në të cilën ai mori një ryshfet 225 mijë.
Po ajo marrëveshje ishte e tëra në kurriz të opozitës. Ishte marrëveshja për të shkatërruar opozitën në Shqipëri.
Por kësaj radhe, postimi i këtij gazetari nuk mbeti në vesh të shurdhër.
Kryetari i komitetit kombëtar republikan, Chris LaCivita e bëri share dhe u shpërnda në të gjithë elitën drejtuese të SHBA.
Edi Rama, ja ku po të them nga Parma se hija e McGonigalit do të ndjekë gjer në ditën e fundit të jetës.
Je i pashpresë!
Kryemagjistari i fitores, i rikthimit më të jashtëzakonshëm në histori, presidentit Donald Trump, ua tha shqiptarëve hapur, jam këtu për të mbështetur PD dhe Sali Berishën për Shqipërinë madhështore, për Shqipërinë aleate dhe mike të vërtetë të SHBA dhe Amerikës.
Të dashur miq, nuk ishte vetëm ky zhvillim madhor.
E kishim edhe një zhvillim tjetër shumë madhor.
Në historinë e regjimeve, kur bie kryeqyteti, diktatura është e pashpresë.
Ra Tripoli, iku Gadafi.
Ra Damasku, iku Asadi.
Ra Tirana, do ikë Edi Rama.
Do thyejë qafën Edi Rama.
Këtu, kam një nderim të madh dhe në emër tuaj dua të përshëndes ata qytetarë të Tiranës, që në 44 beteja përzunë nga bashkia kryehajdutin e qytetit të Tiranës, Lali Vjedhësin.
Dhe tani, Edi Rama i shastisur, e kuptoi se iku kryeqyteti, iku narkoshteti, përpiqet t’i bindë shqiptarët se qenka standard normal që Velica të ketë garderobën identike me të Lajla Asadit, garderobë e bazuar e tëra tek vjedhjet e taksave të qytetarëve të Tiranës nga Erion Veliaj.
Miq, pra, këto zhvillime ishin shumë të rëndësishme.
Por natyrisht e theksoj këtu para jush, se zhvillim epokal për Shqipërinë dhe shqiptarët do të jetë largimi i Edi Ramës.
Se e solli fati të dashur miq, që zhvillimet e viteve 2023-2024 në SHBA të replikoheshin, të përsëriteshin në mënyrë pothuajse identike në Shqipëri.
Ndaj kandidatit për president u ndërmorën aktet terroriste.
U ndërmorën akte, akuza penale, 34 akuza në një dosje. U bënë gjithçka, u vendos censura më e rreptë. U bënë gjithçka që ai kurrë të mos fitonte.
Në fotot e internetit, janë dy foto miq. Është fotoja e tij e përgjakur për ta vrarë në Butler, por është edhe një foto tjetër mijëra kilometra larg, kur Edi Rama dhe klika e tij i nxori Sali Berishës një agjent të policisë kriminale dhe e goditi me shpresë se ai nuk mund të fliste.
Pra, e njëjta e keqe, të njëjtat tentakula atje dhe në Shqipëri.
Edhe atje, edhe në Shqipëri, demokracinë e vunë në vështirësi të mëdha, i sollën ditë të vështira.
Ndaj dhe presidenti Donald Trump e cilësoi armikun më të rrezikshëm, armikun e brendshëm, i kryesuar nga Xhorxh Soros, armik i demokracisë shqiptare.
Të dashur miq, SHBA fituan betejën. Me 5 nëntor, kombi i madh amerikan votoi për presidentin Donald Trump. Me 20 janar u inaugurua dhe akti i parë, i preu kokën gjarprit.
Por Shqipëria akoma e ka bishtin e gjarprit nëpër këmbë. Akoma Edi Rama bën gjithçka për të marrë, për t’u mbajtur në pushtet, për të marrë një mandat të katërt, mandat që do ishte fatkeqësia më e madhe kombëtare e shekullit të 21.
Këtu është roli juaj përcaktues, vendimtar.
Këtu është vota juaj.
Sepse Edi Rama ju as nuk u shet, as nuk u blen dot. Jeni njerëz të lirë në një vend të lirë.
Sepse Edi Rama nuk mund të ndërsejë klanet mafioze dhe kartelet e drogës kundër jush sepse ky vend i shtypi kokën mafies së tij, është shtet ligjor, shtet i ligjit.
Edi Rama e ka kuptuar se fundi i tij është në duart tuaja.
Prandaj dhe i ka ndërprerë takimet, telefonat me diasporën nuk i komunikojnë më.
I përshëndes të gjithë ata shqiptarë që nuk ua hapin telefonat. Mos ua hapni telefonat fare.
Miq, vota juaj me 11 maj nuk është vetëm një votë për shpëtimin e Shqipërisë, është një votë për transformimin e Shqipërisë.
Shqipëria sot po aq sa në vitin 1990, ka nevojë për transformime epokale.
Të ndalemi, kurrë ndonjëherë në 10 vite nuk është zbrazur siç është zbrazur gjatë sundimit të Edi Ramës. 1 milion e 99 mijë shqiptarë në 10 vite kanë emigruar vetëm në zonën e Shengenit. 45 përqind e popullatës është larguar në të gjithë botën.
Nuk kanë ikur shqiptarët për të rënë pas pasurive, as për aventura dhe për udhëtime ekzotike.
Pjesa më dërrmuese e tyre kanë ikur sepse nuk kanë gjetur asnjë mundësi që ëndrrën e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri.
Nuk kanë gjetur asnjë mundësi që të mbijetojnë në vendin e tyre.
Nuk kanë gjetur asnjë mundësi për punësim në vendin e tyre.
Kjo është historia e këtij emigracioni.
PD angazhohet për një transformim rrënjësor, të shpejtë.
Së pari, me vendosjen e minimumit jetik.
Me rritjen me 25 përqind të rrogës minimale.
Me vendosjen e rrogës mesatare 1200 euro.
Dhe këto vetëm në 3 muajt e parë të qeverisjes së saj.
Të dashur miq, ne do bëjmë çdo gjë që Shqipëria, vendi më i pasur në 28 mijë kilometra që mund të ekzistojë kund, të prodhojë të mira, begati për qytetarët e saj.
A e shihni turizmin? Do u jap një shembull. Ne jemi komb mikpritës dhe është gjë e madhe që presim çdo vit miliona turistë. Statistikat thonë se vitin e kaluar ishin 10 milionë.
Por a e dini se çfarë ndodh? Turizmi në Shqipëri funksionon mbi një platformë koloniale. Sepse në 10 milionë turistë, janë të regjistruara gjithsej 6 milionë net fjetje.
Vendi ynë fqinj, Mali i Zi, me 2.6 milionë turistë, ka të regjistruara 16.8 milionë net fjetje. Atëherë, me 10 milionë turistë, 6 milionë net fjetje, shitja e përgjithshme në tregti është 140 milionë. Nga këto 140 milionë, në arkën e shtetit për taksapaguesit hyjnë gjithsej 8 milionë.
Pra, çdo shqiptar fiton 4 euro për turist.
Ndërkohë, Edi Rama për Olta Xhaçkën, për trafikantët e tjerë që i quan investitorë strtegjikë, shpenzon çdo vit 430 milionë.
Për çdo qytetar kjo kushton 230 euro për turist.
Merr fund kjo.
Çfarë ndodh me prodhimin? Rënie, rënie dhe vetëm rënie.
Çfarë ndodh me investimet e huaja? Askush nuk vjen të investojë në Shqipëri.
Çfarë ndodh me eksportet? Nga vjet në sivjet, 32 përqind më të ulëta.
Ju e shihni pra, Shqipëria ekonomikisht është në rrokullimë të madhe.
Po, janë kullat në Tiranë. 4 miliardë euro, vetëm 800 milionë vijnë nga bankat, të gjitha të tjerat vijnë nga nëntoka e klaneve qeveritare.
Dhe çmimet, më të shtrenjtat se në të gjitha qytetet e Europës, përveç Mynihut dhe Parisit. Asnjë njeri nuk mund të blejë një shtëpi për familjen e tij.
Pra, kjo Shqipëri merr fund.
Miq, iu rikujtoj këtu në takim të kryesuar nga Silvio Berluskoni i Forza Italia.
Në atë takim, miku i madh i shqiptarëve iu drejtua të pranishmëve se ne do aplikojmë paketën fiskale që ka aplikuar Sali Berisha dhe PD në Shqipëri. Kjo është e vërteta.
Dhe unë iu garantoj ju, garantoj miqtë tuaj italianë se Shqipëria do bëhet vendi më tërheqës për investimet tuaja, investimet e italianëve, investimet ndërkombëtare.
Chris LaCivita u tha shqiptarëve se unë erdha këtu së bashku me PD-në dhe Berishën për të ndërtuar Shqipërinë e madhërishme.
Disave iu duk si e tepërt kjo, por ajo Shqipëri nuk ishte e pamadhërishme kur ndërtoi 11 mijë kilometra rrugë, autostrada, tunele në mandatin e saj, kur dyfishoi rrogat dhe pensionet e shqiptarëve, kur anëtarësoi Shqipërinë në NATO, kur mori rekomandimin për statusin e vendit kandidat.
Nuk ishte e pamadhërishme kur nënshkroi kontratën për gazsjellësin TAP, projektin më të madh energjetik të asaj kohe në Eurropë, bashkë me qeverinë e këtij vendi mik.
Kështu që të mos i duket kurrkujt një iluzion.
A nuk u faktuam ne një parti e të pamundshmeve?
A nuk bënë gjithçka kundër nesh, kukulla e Xhorxh Sorosit, Xhorxh Sorosi dhe kukullat e tij në Uashington? Për të na zhdukur ne, për të mos qenë.
Por ja ku jemi sot, ja ku po shkojmë sot drejt fitores.
Ndaj dhe programi ynë, së pari një Shqipëri ku jetohet normalisht.
Objektivi i parë, më i rëndësishëm, një Shqipëri ku biznesi ka sukses, ka besim, sjell investime, krijon vende pune, zgjeron aktivitetin.
Një Shqipëri me zero tolerancë ndaj mafies dhe krimit të organizuar.
Një Shqipëri me zero tolerancë ndaj korrupsionit.
Këto janë të domosdoshme, janë themele, por nuk mjaftojnë.
Shqipëria madhështore kërkon që ëndrra e bijave dhe bijve të saj, të ndërtohet në Shqipëri dhe të ndërtohet me të avancuarat që ka koha.
Kjo kërkon që Shqipëria të bëhet një epiqendër e rëndësishme e high-tech-ut në rajon dhe më gjerë. Të bëhet Shqipëria e internetit 3, e blockchain, e kriptomonedhave, e inteligjencës artificiale, e datacenter-ave.
Kjo është Shqipëria e ëndrrës rinore shqiptare.
Kjo do jetë Shqipëria madhështore.
Dhe unë u jap fjalën ju, u jap fjalën shqiptarëve se ky është qëllimi më madhor i jetës sime në këtë stad.
Të dashur miq, 4 marsi është nesër.
4 marsi na fton të gjithë ju, të gjithë shqiptarët në diasporë.
Të gjithë shqiptarët në Shqipëri.
Të bëjmë gjithçka për regjistrimin në mënyrë që me 11 maj, vota juaj të ndajë epokat.
Vota juaj të përmbysë narkoshtetin.
Njeriu në jetë ka ditë, ka ora të veçanta dhe më të veçanta.
Por unë u them ju me bindjen time më të thellë se ora më e bukur e njeriut në jetë është ora kur të thërret atdheu.
Ajo është ora e të gjitha orave.
Ajo është ora në të cilën çdo qytetar, çdo anëtar i kombit ngrihet në forcën e kombit.
Ngrihet në krye të vendit.
Ajo është krye-ora e jetës së njeriut.
Krye-ora juaj është ora e 11 majit, është dita juaj.
Kurrë mos harroni se shqiptarët i lindin për t’i dalë zot Shqipërisë.
Kurrë mos harroni himnin tonë kombëtar se nga lufta veçse ai largohet.
Dhe ne nuk largohemi kurrë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
E viva l’Italia.
Fitore, fitore, fitore!