back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 24 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetBerisha me shqiptarët në Romë: Zero taksa për këdo që rikthehet në...

Berisha me shqiptarët në Romë: Zero taksa për këdo që rikthehet në Shqipëri

Në një pritje madhështore në Romë, Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha falënderoi bashkëatdhetarët shqiptarë dhe miqtë italianë, duke theksuar lidhjet historike mes dy popujve. Berisha vlerësoi komunitetin Arbëresh dhe kontributin e shqiptarëve në Itali. Ai ritheksoi mbështetjen e jashtëzakonshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë gjatë 34 viteve, duke kontribuar në zhvillimin e vendit. Berisha falënderoi politikanët italianë, përfshirë Silvio Berlusconi, dhe vuri në dukje projektet strategjike si TAP, duke parashikuar një bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen.

Kryedemokrati, Sali Berisha shprehu mirënjohje për Vatikanin dhe Atin e Shenjtë për mbështetjen historike ndaj kombit shqiptar. Berisha foli për dhimbjen dhe sakrificën që përjetuan shqiptarët gjatë udhëtimit të emigracionit, duke theksuar se ky udhëtim është një triumf i individëve që mundin çdo vështirësi dhe kontribuojnë për atdhenë e tyre.

Gjatë fjalës së tij në takimin me shqiptarët në Romë, Kryetari i PD, Sali Berisha ngriti shqetësimin për rreziqet që po kalon Shqipëria, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje me krimin, duke e krahasuar atë me figurën e kriminelit Toto Rina. Berisha tha para shqiptarëve se Rama ka dorëzuar Shqipërinë në duar të krimit, duke përdorur kriminalitetin për të mbajtur pushtetin dhe duke bashkëpunuar me kriminelët dhe trafikantët për pasuri dhe pushtet.

Berisha e vuri theksin mbi rreziqet ekzistenciale që po përballet Shqipëria dhe shprehu shqetësimin se një mandat i katërt për Edi Ramën do të çojë në një shkatërrim të mëtejshëm të vendit. Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se në 10 vitet e fundit, Rama ka dëbuar 45% të shqiptarëve, duke i detyruar të braktisin Shqipërinë dhe se në një mandat tjetër, Shqipëria mund të shndërrohet në një vend të pushtuar nga krimi dhe bandat.

Berisha ftoi shqiptarët që të ngrihen kundër qeverisë dhe të votojnë më 11 maj për të shpëtuar Shqipërinë nga kërcënimet që paraqet Rama.

Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi se do të ofrojë zero taksa për shqiptarët që rikthehen në Shqipëri dhe do t’u mundësojë ndihmë për ndërtimin e një të ardhmeje të suksesshme. Berisha theksoi se diasporës nuk mund t’i hiqet e drejta e votës dhe akuzoi Edi Ramën për frikë ndaj shqiptarëve jashtë vendit. Berisha shpjegoi se do të realizojë një transformim të thellë të Shqipërisë, duke garantuar se do të ketë rritje të pensioneve dhe pagave, duke arritur minimumin jetik dhe rrogën mesatare për t’i ndihmuar shqiptarët të jetojnë më mirë. Kryedemokrati bëri thirrje për një Shqipëri pa taksa për emigrantët dhe tha se ata do të jenë aksionerët kryesorë të transformimit të vendit.

FJALA E PLOTË

Së pari përshëndetjet më të përzemërta për ju emigrantë shqiptarë të pranishëm në këtë sallë.

Për shqiptarët dhe miqtë e tyre italianë kudo që ndodhen sot në tërë Italinë.

Për prindërit dhe familjet tuaja në Shqipëri.

Mirënjohje të pakufishme për praninë tuaj.

Një falënderim dhe mirënjohje të përzemërt miqve tanë italianë, deputetes së Forza Italia, zonjës Erika Maseti.

Mikut tim, deputetit Aleksandro Batilokio.

Ish-senatorit dhe gazetarit të shquar italian Antonio Razi.

Mikut tim Pepe Leone.

Një falënderim shumë të madh për pritjen vëllazërore, nderimet e mia më të pakufishme, më të përzemërta, më të flakta.

Të dashur miq, lidhje të hershme tradicionale trashëgojnë dy popujt dhe dy vendet tona mike.

Arbëreshët në pesë shekuj ekzistencë, falë dashurisë së tyre për dheun mëmë dhe dashamirësisë së vendasve arritën të ruajnë gjuhën, identitetin dhe kulturën e tyre kombëtare.

Por jo vetëm kaq, ata i dhanë këtij kombi personalitete të shquara, kryetarë qeverie, guvernatorë, ministra, ambasadorë, poetë, shkrimtarë, artistë, këngëtarë.

Kjo diasporë në Itali do të ishte dhe djepi i rilindjes tonë kombëtare.

Pas rënies së Perdes së Hekurt, si ajo pas vdekjes së prijësit tonë të përjetshëm, Skënderbeut, një valë më e madhe emigracioni do të mërgonte në Itali. Një gazetar italian në atë kohë foli për njerëz që vijnë nga një popull fantazëm. Nuk do motivet për të cilat ai e tha atë, por di që ai pothuajse nuk ekzagjeroi asgjë.

Sepse ne në atë kohë ishim njerëzit më të rraskapitur të planetit nga diktatura staliniste e kasaphanës së luftës së klasave, nga tirania e hiperkolektivizimit dhe mjerimit, nga diktatura e izolimit dhe indoktrinimit.

Por miqtë e mi, ata shqiptarë fantazmë të asaj kohe dhe të tjerë që mbërritën më vonë, me sakrifica, punë, ndershmëri, mençuri, devocion, u dëshmuan në këtë vend punëtorë të aftë, sipërmarrës të suksesshëm, partnerë luajalë, studentë të shkëlqyer, artistë, shkencëtarë, këngëtarë të mëdhenj që me suksesin e tyre, në dheun e tyre krenohet kombi italian, krenohet kombi shqiptar.

Zoti i bekoftë Italinë, këtë komb të madh.

Në 34 vitet e fundit, Italia i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të jashtëzakonshme që shkon në miliarda euro.

Italia është vendi ku shqiptarët mësuan se kudo tjetër. Shqiptarët sollën në vendin e tyre me mijëra të reja me të cilën transformuan Shqipërinë.

Ndaj dhe unë dua të përulem me mirënjohjen më të madhe para këtij kombi mik, para të gjithë italianëve që pritën, punësuan dhe punojnë me shqiptarët.

Një mirënjohje të veçantë kam unë për autoritetet shtetërore të këtij vendi, nga Andreoti tek i pavdekshmi Silvio Berluskoni. Nga Tatarela tek Fini, Butilione e presidenti Tajani e miqtë e mi në Forza Italia.

Nuk harroj kurrë takimet e mia me Silvio Berluskonin. Në çdo takim do më thoshte, Sali, me shqiptarët nuk kemi asnjë problem, janë të shkëlqyer.

Me qeverinë italiane kemi firmosur qindra marrëveshje bashkëpunimi në të gjitha fushat, por kemi ndërmarrë edhe sipërmarrje me rëndësi strategjike për Europën siç është gazsjellësi TAP. Projektet e ardhshme do jenë edhe më të mëdha.

Miqtë e mi, këtu në Romë është selia e aleatit më të vjetër të kombit shqiptar dhe ky aleat është Vatikani.

Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen më të pakufishme Vatikanit, Atit të Shenjtë për mbështetjen e çmuar që Selia e Shenjtë ne shekuj dhe personalisht shenjtëria e tij i kanë dhënë dhe i japin kombit shqiptar.

Të dashur miq, udhëtimi drejt diasporës dhe emigracionit është në thellësinë e tij një thellësi drejt dhimbjes, drejt sakrificës, drejt mallit, udhëtim drejt atyre që e nisën jetën  e tyre nën zero.

Udhëtim drejt atyre që u ndanë me lot me nënën e tyre, me prindërit e tyre, të pasigurt nëse do i gjenin ndonjëherë tjetër.

Udhëtim drejt atyre të cilët nuk kuptonin një fjalë të vetme nga gjuha e vendit ku shkonin.

Udhëtim që i detyronte ata, i përballte ata me të panjohura të mëdha.

Por ky udhëtim është njëkohësisht udhëtim i njerëzve që triumfojnë, udhëtim i atyre që mposhtin çdo vështirësi.

Udhëtim që me djersën e tyre ndërtojnë një jetë të tërë.

Udhëtim që me djersën e tyre kontribuojnë në vendin e tyre.

Ndaj dhe unë kam ardhur sot të përulem me nderim të madh para jush. Ju jeni frymëzim për arritjet e njeriut.

Ju sot shkëlqeni në të gjitha fushat e këtij vendi të bekuar.

Por kam ardhur gjithashtu besimplotë tek ju për të ndarë me ju rreziqet e mëdha me të cilat përballet vendi ynë i dashur, Shqipëria.

Kam ardhur tek ju i bindur se çdo shqiptar patriot i lindin nënast për të dashur Shqipërinë.

Kam ardhur me bindjen e plotë se çdo shqiptar i lindin nënat për t’i dalë zot Shqipërisë.

Miqtë e mi, sot në zyrën e kryeministrit nuk është një qeveritar nuk është një qytetar shqiptar.

Miqtë e mi, sot kryetari i qeverisë mund të quhej në mënyrë absolute Toto Rino, çfarë të doni ju. Ky është Edi Rama.

Edi Rama ia ka dorëzuar Shqipërinë krimit në traditën e baballarëve të tij, të cilët krimin politik, varjen në litar, ekzekutimin para skuadrave të pushkatimit e quanin të dobishëm.

Edi Rama përdor sot krimin për të mposhtur shqiptarët sot për pushtetin e tij.

Sot Toto Rinat shqiptarë apo El Çapot shqiptarë në krye të qeverië shumëzojnë me zero qytetarët shqiptarë.

Pronat dhe çdo pasuri përrallore e ndan me trafikantët, e ndan me kriminelët, e ndan me klanet e tij.

Miqtë e mi, rreziqet e sotme të Shqipërisë janë rreziqe ekzistenciale.

Shqipëria gjithmonë ka pasur rreziqe, por këtë herë të gjitha rreziqet janë mishëruar në një njeri dhe ky njeri është El Çapo shqiptar apo Toto Rino shqiptar.

Rreziqet tona janë ekzistenciale, çdo shqiptar duhet të dijë se një mandat i katërt për Edi Ramën, i cili në 10 vite përzuri nga Shqipëria 45 perqind të shqiptarëve vetëm në hapësirën e BE, 1 milion e 99 mijë shqiptarë.

Në një mandat tjetër, Shqipëria nuk do ekzistojë.

Shqipëria do shndërrohet në tokën e kriminelëve, bandave, trafikantëve.

Toka e Zotit, e bukura e dheut do shuhet nga faqja e tij.

A do pranojmë ne? Kurrë një gjë të tillë!

Një burrë i madh i kombit amerikan, Tomas Pejn u tha qytetarëve të vet, patriot do të thotë të ngrihesh kundër qeverisë tënde kur ajo shkelmon interesat e vendit tënd.

Sot, çdo shqiptar që e ndjen veten patriot duhet të ngrihet kundër këtij qeveritari që po shkatërron farën tonë, kombin tonë.

Miqtë e mi, një nga publicistët më të mëdhenj gjermanë, Majkëll Martens, shkruan se Edi Rama është kryeministri më i mirë i Serbisë pas Nikolla Pashiqit. Po, sepse në planet dhe verbërinë e tij, ultranacionalizmi serb nuk ka pasur qëllim tjetër përveç spastrimit të shqiptarëve.

Po ku ka ndodhur në historinë tonë kombëtare që në 10 vite të largohen nga Shqipëria mbi 45 përqind. A e dini se në Luftën e Dytë Botërore, kombi polak ka humbur 20 përqind të popullatës?

Kurse shqiptarët në një gjenocid të butë të ushtruar në Edi Rama, humbasin në 10 vite, 45 përqind të materies së tyre.

Ndaj dhe thirrja ime për çdo shqiptar, mos harro kurrë se ke lindur për të dashur dhe mbrojtur Shqipërinë dhe sot kjo thirrje është me 11 maj, të votojmë për të shpëtuar Shqipërinë nga kthetrat e këtij Pashiqi që nuk ka asgjë shqiptare.

Cili është rreziku tjetër i tretë për Shqipërinë? Ekstremizmi i majtë.

Në Shqipëri, filloi beteja kundër familjes.

Në Shqipëri, filloi numeritimi i prindërve.

Në Shqipëri, Edi Rama, i frymëzuar nga monstra e njerëzimit, Xhorxh Soros, solli në parlament ligjin për të krijuar fermat e grave, për të lindur fëmijët e askujt.

Ju mund t’u duken habi, por këto janë realitet në Shqipëri.

Edi Rama e shndërroi Shqipërinë në kopshtin e Xhorxh Sorosit, armikut të egër jo vetëm të kombit shqiptar, por edhe të njerëzimit.

Të dashur miq, ne qëndruam. U përpoqën të na shfarosin.

U përpoqën për një Shqipëri pa opozitë, u përdor gjithë pushteti i narkoshtetit shqiptar, por e vërteta edhe pushteti i monstrës së njerëzimit, Xhorxh Soros dhe mafies së tij.

Mirëpo ne e dinim se Shqipëria pa opozitë nuk duhet të ekzistojë.

Kishim qenë ne pa opozitë, e kishim provuar se çfarë ishte Shqipëria pa opozitë. Nata më e keqe e një kombi.

Ndaj dhe nuk u dorëzuam. Ndaj dhe me besim të madh shkojmë drejt fitores.

Por, një gjë duhet ta pranojmë. Ka gjëra tokësore, ka edhe gjëra hyjnore.

Dhe në këtë kontekst, dy mrekulli sa tokësore dhe aq hyjnore ndodhën.

Mrekullia e parë e madhe ishte fitorja e Donald Trump në SHBA.

Një mik i imi amerikan, që ka një radio, të nesërmen e kësaj fitoreje, shkroi se mrekullia për Amerikën ndodhi. Iu përgjigja, mrekullia për gjithë botën ndodhi.

Kështu që ne mbrojtëm ato vlera që janë vlera bazë, themelore për njerëzit e lirë.

Dhe kjo fitore ishte e një rëndësie të madhe. Miq, ekstremi i majtë në SHBA ishte rreziku më i madh pas Luftës së Dytë Botërore që iu kanos njerëzimit.

Se ky ekstrem po marshonte me flamurin dhe fuqinë e vendit të madh të lirisë.

Filloi të lavdërohej censura. Por çdo njeri i lirë e ka të qartë se aty ky fillon censura, aty fillon diktatura.

Dhe unë jam gëzuar shumë kur në një nga aktet e para, Donald Trump dënoi dhe ndaloi censurën. Censura atje do të thoshte terr për këdo.

Pra, kjo ishte mrekullia e fitores së Donald Trump. Dekretoi dy gjini. Dhe unë u jap fjalën ju se desorosifikimi i Shqipërisë është një nga prioritetet tona më të mëdha.

Por miq e keni marrë vesh lajmin, mbrëmë presidenti Donald Trump i ka ndaluar kukullës së Sorosit, Entoni Blinken të futet në çdo ndërtesë federative.

STOP! I pabesë.

Organizoi kurthe, letra dhe gjëra të tjera për të mashtruar kombin e tij amerikan.

Detyrën që mori si Sekretar i Shtetit më të madh, përfundoi në sekretar shteti të Sorosit.

Sekretar i Xhorxh Sorosit.

E përshëndesim këtë vendim.

Mrekullia e dytë e madhe që ndodhi ishte vota juaj, votimi i diasporës.

Edhe kjo ishte një mrekulli se nuk mblidhen të gjitha.

Po, se votën tuaj Edi Rama nuk e kontrollon dot me bandat, me Bajrët, me Çelët, me të gjithë me radhë mos t’ua mërzis veshët ju me emrat e vrasësve.

Mund të tentojë të blejë 10-15 po nuk u blen dot ju, njerëz të lirë.

Ndaj dhe udhëtimi tek ju është udhëtim drejt fitores.

Ka tmerr, është penduar.

Shikoni ku arrin, nuk ka skrupull. Nuk njoh pasaportat biometrike italiane, gjermane, franceze, etj.

Ju pasaportat biometrike italiane mund t’i përdorni në Shqipëri për çdo gjë, përveç të drejtës kushtetuese të votës, e cila nuk ka asnjë lloj pengese veç frikës së tmerrshme të Edi Ramës nga ju.

Ndaj miqtë e mi, këto zgjedhje janë për ekzistencën e Shqipërisë.

Këto zgjedhje janë për të ardhmen e saj.

Unë u jap vetëm një të dhënë: në vitin 2009-13, 118 mijë emigrantë u kthyen në Shqipëri.

Unë u jap fjalën e nderit që ju kursimet tuaja, të ardhmen tuaj të vini ta ndërtoni në Shqipëri.

Nuk ka vend si Shqipëria në botë.

Shqipëria është e bukura e dheut. Është vendi më i bukur, më i pasur se në çdo vend tjetër.

5 vite pa asnjë taksë në Shqipëri.

I keni paguar ju taksat prej 20-30 vitesh me remitancat që keni dërguar në Shqipëri.

Nuk ka taksa. Të ktheheni dhe të ndërtoni suksesin në Shqipëri siç e keni ndërtuar në Itali.

Unë e di se ju të gjithë ndani kursimet tuaja mne familjet në Tiranë sepse pensionet e tyre janë qesharake. Një pensionist e ka pensionin sa e ka qeni i shtëpisë në Gjermani. Po, po. Paguan 130 euro për qenin. 100 euro për macen.

Dhe rrin e u thotë, përmbyset Shqipëria nëse rrisim pensionet. Si u përmbytka Shqipëria? Pyesni pak prindërit tuaj, a u dyfishuan pensionet në vitet 2005-2013? Si u bë ajo?

Po sigurisht, ata janë aksionerë në pasurinë kombëtare. Ata kanë shkrirë djersën, mundin në pasurinë kombëtare dhe buxheti duhet t’u japë atyre.

Dhe unë u garantoj se 3 muajt e parë do përmbyset shpërndarja e të ardhurave dhe buxhetit. Do vendoset minimumi jetik. Nuk do ketë pension nën 200 euro për të ecur në nivelet më të larta të pensioneve në rajon. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro.

Ky është lehtësim edhe për ju se ju përballoni kafshatën e njerëzve tuaj, ilaçet e njerëzve tuaj. Ata duhet të kenë mundësi t’i blejnë vëtë.

Pra, do e transformojmë Shqipërinë.

Shqipëria ka nevojë për një transformim të thellë.

Dhe unë u garantoj se programi ynë do e transformojë Shqipërinë dhe ju do të jeni aksionerë të rëndësishëm, kryesorë të këtij transformimi.

Zoti u bekoftë ju, Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Rroftë Shqipëria, rroftë Italia!

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat