Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, po ushtrohet presion për të mos shkuar në Gjykatën Kushtetuese, që sipas tij do t’i mundësonte të dilte nga burgu dhe të përfitonte lehtësira të veçanta.
“Erion Veliajt po i kërkohet në mënyrë ultimative që të mos shkojë në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që të dalë nga burgu, të ndiqet i lirë dhe të ketë lehtësira. Ky është misioni i Gjushit, që është një urith,” tha Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për manipulim të vendimeve dhe shkelje të parimeve kushtetuese:
“Rama pretendon se po noterizon vendimin e Këshillit Bashkiak, por fuqia ekzekutive nuk është noterizuese. Ai përpiqet të ndalojë Veliajn që të shkojë në Gjykatë Kushtetuese, duke shkelur Kushtetutën, ligjet dhe parimet e shtetit,” u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri e quajti situatën si një shembull të narkoshtetit, duke theksuar se vendimet e qeverisë nuk bazohen më në ligj, por në interesa të caktuara politike dhe kriminale.
Berisha u bëri thirrje avokatëve dhe qytetarëve të mbrojnë parimet kushtetuese dhe të sigurojnë funksionimin e shtetit ligjor, duke e konsideruar këtë çështje si një nga më të rëndësishmet për Shqipërinë.



