Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për përfshirje në takime me kartelet më të rrezikshme të drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë. Sipas Berishës, fshehja e këtyre takimeve është një krim që inkriminon direkt kryeministrin e Shqipërisë, një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE.
“Është krim të fshehësh këtë takim që inkriminon direkt kryeministrin e Shqipërisë… Ju garantoj se veprimet tona do të jenë të shumëfishta dhe të shumëllojta. Ky takim tashmë është i regjistruar nga antimafia italiane dhe nuk mund të mohohet,” tha Berisha.
Ai kujtoi edhe çështjen e pronësisë së malit apo Syrit të Tiranës, duke akuzuar mediat për fshehje informacioni:
“Ju kujtohet kur tha se ajo është e Sali Berishës, mali i Tiranës? Besoj se tani e keni mësuar.”
Berisha kërkoi dorëheqjen e Ramës, duke argumentuar se nuk mund të jetë kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s dhe kandidat për BE, ndërkohë që zhvillon takime me kartelet dhe klanet botërore të drogës:
“Nëse Rama nuk dorëhiqet, do bëjmë padi në SPAK dhe do shqyrtojmë mundësinë për padi edhe në gjykatë ndërkombëtare. Për ne ky takim është detyrim madhor për qytetarët shqiptarë, rajonin dhe Europën për të bërë transparencë të plotë.”
Berisha theksoi gjithashtu se kryeministri dhe ministrat e qeverisë shqiptare kanë udhëtuar me çarter mbi 13 mijë milje për të takuar bosë shqiptarë dhe latinoamerikanë të drogës, duke nxjerrë në pah rrezikun dhe impaktin e këtyre takimeve mbi imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.



