Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, duke e cilësuar SHBA-në si aleatin më të çmuar të Shqipërisë.
Bardhi ndau me publikun foto nga takimi dhe shpjegoi temat e bisedës, duke theksuar qëndrimin e opozitës mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe shqetësimin për regresin e Shqipërisë në raport me standardet demokratike.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar i Shqipërisë dhe ne jemi me fat që i kemi patur gjithmonë në krah, në çdo etapë të ekzistencës së shtetit shqiptar. Sot, gjatë takimit me znj. Nancy VanHorn, ndava qëndrimin tonë mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike,” tha Bardhi.
Ai shtoi se gjatë 12 viteve të fundit, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri që sipas tij është partner i krimit të organizuar dhe i karteleve të drogës, duke theksuar nevojën për një qeverisje që del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme për të përparuar si vend i zhvilluar dhe partner i denjë i SHBA-së.
“E vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri që del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme,” shtoi kreu i grupit parlamentar demokrat.
Ky takim vjen në një moment kur Partia Demokratike thekson rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe angazhimin për forcimin e standardeve demokratike në vend.



