Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish kryeprokurorin Altin Dumani për përfshirje në mbrojtjen e figurave të kontestuara brenda sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar atë si “mercenar të Edi Ramës” dhe të “marrë peng politikisht”.
Në qendër të akuzave të reja është një gjyqtare, të cilën Berisha e identifikon si “Irena me 5 mbiemra”, për të cilën pretendon se ka shkelje të rënda ligjore dhe morale.
“Figurë më të shëmtuar në rrafshin moral-ligjor nuk ka në drejtësinë shqiptare. Ka mashtruar në formularin e dekriminalizimit, ka fshehur një dënim penal dhe deklaron se ka marrë 60 milionë lekë hua nga gruaja që i mori burrin,” deklaroi Berisha, duke e cilësuar rastin si “i padenjë për çdo sistem drejtësie”.
Ai kritikoi Dumanin për deklaratat e tij lidhur me mungesën e dokumentacionit në çështjen në fjalë, duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e tij ndaj vulës apostile.
“Në të gjithë botën, vula apostile është dokument absolut. Por për Altin Troplinin, këtë mercenar të Edi Ramës, ajo nuk vlen,” – shtoi Berisha.
Ai akuzoi më tej Dumanin për zvarritje të qëllimshme të hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë në skandale, ndërsa e cilësoi SPAK-un si “klub të turpshëm njerëzish pa dinjitet dhe karakter”.