Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka prezantuar kandidatët për deputetë të opozitës në Belsh dhe Cërrik. “Përshëndes të gjithë ata socialistë që po refuzojnë të shkojnë përfaqësues të partisë së krimit në komisionet zgjedhore”, tha kreu demokrat. ‘Të dashur miq, ju do çuditeni pak, por unë prapë dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata socialistë që këto ditë po refuzojnë të shkojnë përfaqësues të partisë së krimit në komisionet zgjedhore. Jeni dëshmi e shkërmoqjes para disfatës e Edi Ramës dhe regjimit të tij’, tha Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur në takim, lideri i opozitës tha në Belsh se, paralajmëron patronazhistët që vijnë nga rrethet e tjera, larg duart nga tokat e Dumresë se nuk do u njihen. ‘Nga Dumreja kanë ikur rreth 60 përqind të banorëve të saj. Dhe tani patronazhistët nga rrethet e tjera kanë lëshuar dhe marrin tokat tuaja. Unë u them këtu, larg duart nga tokat e Dumresë se në mënyrë absolute as një metër katror tokë, çka nuk është banor i Dumresë, nuk do t’i njihet. Dokumentet do të jenë ato që keni ju dhe çdo tjetër, çdo patronazhist që vjen, do të largohet dhe do të dënohet për vepër kriminale’, theksoi kryedemokrati gjatë fjalës së tij.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi kandidatët për deputetë të opozitës në Belsh dhe Cërrik, duke shpallur një platformë të re sociale dhe ekonomike. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për braktisjen e qytetarëve dhe për buxhete që sipas tij nuk reflektojnë nevojat e popullit. Berisha theksoi se pensionet në rajon janë rritur ndjeshëm, ndërsa në Shqipëri kanë mbetur në nivele të papranueshme për shkak të politikave qeveritare. Ai premtoi rritje të ndjeshme të pagave dhe pensioneve, si dhe dyfishim të buxhetit për shëndetësinë. Kreu i PD-së denoncoi mungesën e barnave në spitale dhe premtimet e pambajtura për checkup-in falas për pensionistët. Ai u zotua për përshtatjen e listës së barnave të rimbursueshme sipas modelit italian. Sipas tij, ndryshimi do të vijë më 11 maj, kur “vjedhja dhe abuzimi marrin fund”.
Gjatë takimit lideri i demokratëve Sali Berisha ka paralajmëruar kryepolicin Ilir Proda dhe zyrtarë policor të Përrenjasit, Librazhdit dhe zonave, duke i akuzuar për presione ndaj qytetarëve. ‘Banditët që guxojnë t’u bëjnë ju shqetësimin më të vogël, do shpallen grupe terroriste me 12 maj dhe do trajtohen si të tillë. Bashkë me Edi Ramën, bashkë me Ballën, bashkë me ministrat dhe kriminelët e tjerë në qeveri. Paralajmëroj Prodën e Matriksit, njëfarë komisar në Përrenjas, Klodian Dani dhe disa ushtarë të tjerë të tij, se për çdo votë do keni një vit burg. Se do pësoni atë që nuk ua pret mendja. Mos ndërhyni në vullnetin e qytetarëve’, deklaroi kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Belsh.
FJALA E PLOTE
Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të Belshit dhe Cërrikut, një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju, një mirënjohje të thellë dhe të pakufishme për mbështetjen që dhatë në zgjedhjet vendore dhe fitoren tuaj.
Dua të përshëndes sot gjithashtu udhëheqësin politik të qarkut të Elbasanit, zotin Tomorr Alizoti, kryetarin e PD të Belshit dhe kryetaren e PD të Cërrikut, kandidatët e shkëlqyer për deputetë të qarkut të Elbasanit dhe t’u japim fjalën se së bashku me këta përfaqësues që janë krenaria e banorëve të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë, projektin e Belshit madhështor, Cërrikut madhështor, do e bëjmë realitet në të gjitha zbatimin e premtimeve tona.
Të dashur miq, ju do çuditeni pak, por unë prapë dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata socialistë që këto ditë po refuzojnë të shkojnë përfaqësues të partisë së krimit në komisionet zgjedhore.
Jeni dëshmi e shkërmoqjes para disfatës e Edi Ramës dhe regjimit të tij.
Unë u them atyre se jeni patriotë të vërtetë dhe ne na bashkon dashuria për Shqipërinë, për vlerat që ndajmë njëri me tjetrin.
Dhe i garantoj se ky program është program për çdo shqiptar.
Është program që synon të ndryshojë jetën për mirë të çdo qytetari shqiptar.
Me këtë rast, edhe njëherë i bëj thirrje administratës, çdo punonjës t’i qëndrojë besnik ligjit, t’u shërbejë ju në përputhje me ligjin dhe ne e konsiderojmë atë shërbëtor të vyer të shtetit.
Natyrisht ata që zgjedhin patronazhistin, ata janë terroristë elektoralë, do ndiqen gjithë jetën për krimin antidemokratik që kanë kryer.
Miqtë e mi, unë vij sot tek ju për të parashtruar projektin tonë, i cili ka dy qëllime madhore.
Së pari, t’u kthejë paratë ju, qytetarëve shqiptarë, t’u kthejë taksat ju në rroga, pensione, mbështetje ekonomike, mbështetje papunësie, shërbime shëndetësore, shërbime arsimore, infrastrukturë.
Së dyti, një mundësi të re për secilin prej jush.
Në këtë mënyrë ne jemi të bindur se ecim drejt Dumresë madhështore, Cërrikut madhështor, Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore.
Ndaj dhe ne në 100 ditët e para, ua them këtu, ne betejën më të egër me të këqijat që kanë zënë këtë vend do e kemi 100 ditët e para. Do i mundim ato.
100 ditët e para ne zotohemi para jush se do vendosim minimumin jetik për çdo shqiptar, për çdo pensionist që merr nën 200 euro.
Dhe sot janë 560 mijë pensionistë me pensione jo të plota, por të pjesshme, çka do të thotë se marrin nën 172 euro.
Që të gjithë këta do marrin 200 euro.
200 euro do marrë çdo qytetar i papunë dhe çdo qytetar në ndihmë ekonomike, çdo student me bursë dhe çdo fëmijë që jeton në familje me një prind, çdo jetim.
Në këtë mënyrë ne nxjerrim jashtë varfërisë ekstreme çdo qytetar shqiptar, përjashtojmë nga Shqipëria mjerimin.
Miq, për ta qartësuar para jush dhe ju të qartësoni çdo të njohur tuajin, çfarë është kjo rikthimi i parave tek ju?
Në janar të këtij viti, Edi Rrama paraqiti në parlament një buxhet 8 miliardë euro. Në këtë buxhet, kishte ndarë gjithsej 16 milionë për ju.
Ne kishim ligjin në parlament dhe i thamë, zotëri, të votojmë bashkë minimumin jetik, pensionin minimal 200 euro. Jo, tha, kjo na hedh në humnerë.
Në vitin 2013, pensionisti malazez e kishte pensionin 138 euro, më të ulët se ne. Ne e kishim 142 euro.
Pensionisti maqedonas e kishte 135 euro.
Pensionisti serb e kishte 132 euro.
Sa i kanë sot pensionet ata?
Sot pensionisti i Malit të Zi merr 450 euro.
Sot pensionisti i Maqedonisë merr 390 euro.
Sot pensionisti në Serbi merr 410 euro?
Po pse? Sepse qeveria çdo vit kur ndau buxhetin, mendoi edhe për ata njerëz.
Kosova 5 muaj më parë, kur ndau buxhetin, çfarë bëri? 100 milionë euro në fondin e pensioneve dhe u tha pensionistëve do keni rritje 20 përqind të pensioneve. Nga i mori? Nga buxheti?
Pësoi gjë Kosova, ra në greminë? Ra në greminë Serbia, Maqedonia, Mali i Zi? Asnjë prej tyre.
Po sigurisht se ju taksa paguani që të gjithë, edhe fëmija e sapolindur paguan taksa.
Kurse ky, jo thotë, në qoftë se shtojmë më shumë…
Po prisni se kjo është vetëm gjysma e të keqes. Gjysma tjetër është akoma më e rëndë. Në Shqipëri nga viti 2013 gjer në vitin 2024, çmimet janë rritur 250 përqind. Shkoni blini bukën sot, sa e merrni qumështin sot, po mishin? E merrnit 700 lekë, tani e merrni 1700 lekë.
Pra, ekonomistët kanë llogaritur se për të blerë ato që blinit me pensionin 143 mijë lekë, për të blerë sot duhet një pension 390 mijë lekë se çmimet janë rritur shumë.
Kjo detyroi me qindra mijëra familje t’u thonë fëmijëve ikni se nuk del sofra, merrni rrugët e dheut.
Sot ndodh që qindra mijëra pensionistë nuk marrin dot ilaçet.
A merren ilaçen me 140 mijë lekë? Ata ose kafshatën, ose ilaçet. Ose qiraja.
Pra i zhyti në vetmi. Ua largoi fëmijët. I bëri të flasin me vete, të qajnë me lot mjerimi. Merr fund me 11 maj.
Çfarë do bëjmë ne? Ne do ua kthejmë paratë ju. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro.
Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1250 euro.
Nuk do ketë rrogë për mësuesin nën 1500 euro.
Mjekëve dhe infermierëve do u dyfishohen rrogat.
Miq, a mundet një shtet me 8 miliardë euro buxhetin, të lërë pa ilaçe, të lërë në kthetrat e vdekjes të sëmurët në Spitalin Onkologjik?
Në vitin 2010 apo 2013, ne kishim gjysmën e këtij buxheti, po pa ilaçe nuk mbetën kurrë ata.
Nuk mundet kurrsesi. Janë përparësi absolute.
Kurse zotëria e tij thotë, atje janë bërë krime kundër njerëzimit. Po nëse janë bërë krime kundër njerëzimit dhe ti kryeministër, që disponon financat e shtetit, nuk merr asnjë masë edhe sot pas 3-4 muajsh, ato krime i ke kryer vetë ti.
Ato para të ilaçeve i ke vjedhur me drejtorët dhe ministrat e tu.
Pastaj thua mjekët, jo mo jo, mjekët nuk bëjnë tendera për ilaçe, ato i bën ministria, i bën drejtoria.
Ne u premtojmë ju, Edmir ku ju, ku shkoi Çekrezi, se e keni një përfaqësues të shquar, që ju nderon në diasporë, ne zotohemi këtu se do adaptojmë një për një listën e rimbursimit që ka republika italiane.
Po çfarë po bëjmë? Ne po u japim shqiptarëve gjërat bazë. Dhe jo ilaçet me niseshte dhe amidon të Vilma Nushit dhe Tom Doshit, të cilat janë absolutisht të paefektshme.
Dylli i pret që të dy. Me 12 maj, kompanitë e tyre do dyllosen.
Programi ynë pra është dyfishimi i buxhetit për shëndetësinë.
Tani dëgjoni miq, bën checkupin me zonjën e kushëririt të vet se ndajnë paratë, dhe nga checkupi janë të përjashtuar të gjithë pensionistët, por checkupi nuk ka asnjë vlerë tek të tjerët, përveçse tek pensionistët.
Çdo pensionist do ketë të drejtë analiza të plota në vit dy herë falas, të garantuara nga shteti.

Miq, programi ynë, e thashë dhe njëherë, është programi i rikthimit të taksave te qytetarët.
I garantoj fermerët e Dumresë, njerëz të mrekullueshëm që e kanë qëndisur Dumrenë dhe e kanë shndërruar në një nga zonat më të bukura, më panoramike të Shqipërisë dhe të Ballkanit, subvencionet do pesëfishohen për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi.
Sa la në buxhetin 8 miliardë Edi Rama? 32 milionë për rreth 390 mijë fermerë. Shuma më qesharake. 230 milionë ka Maqedonia vetëm subvencionet.
U garantoj se subvencioni i fermerit shqiptar do jetë identik me fermerët e rajonit.
Prodhimet tuaja do mbrohen në çdo sezon.
Ballkani i Hapur i argatit të Vuçiçit hidhet në koshin javën e parë.
Miq, ja ku është Banja.
Hidrocentrali i Banjës u ndërtua para së gjithash si vepër vaditëse.
A kanë investuar ndonjë qindarkë? Asnjë qindarkë.
U garantoj se mandatin e ardhshëm, Dumreja dhe e gjithë zona do përfitojë nga vaditja nga ujërat e hidrocentralit të Banjës.
Ky e shkretoi kombin. Shkretim në kuptimin që shqiptarët u larguan masivisht nga Shqipëria.
Nga Dumreja kanë ikur rreth 60 përqind të banorëve të saj.
Dhe tani patronazhistët nga rrethet e tjera kanë lëshuar dhe marrin tokat tuaja.
Unë u them këtu, larg duart nga tokat e Dumresë se në mënyrë absolute as një metër katror tokë, çka nuk është banor i Dumresë, nuk do t’i njihet.
Dokumentet do të jenë ato që keni ju dhe çdo tjetër, çdo patronazhist që vjen, do të largohet dhe do të dënohet për vepër kriminale.
Miqtë e mi, programi ynë për biznesin është për klimën më miqësore.
Unë garantoj bizneset e vogla se energjia do të shitet me 6 lekë nga 18 që e blejnë sot.
Tarifa e ujit do përgjysmohet.
Tarifat e sipërfaqes publike do të pjesëtohet me 5.
Tavanet për TVSH-në dhe tatim fitimin do rriten në 180 mijë euro.
Pra, një hapësirë e re për biznesin e vogël.
Për bizneset e tjera, taksa e sheshtë 10 përqind.
TVSH 15 përqind.
Energjia 6 lekë.
Shqipëria do ketë një seri zonash industriale. Vendi me tërheqës për investimet e huaja.
Motorët e punësimit të shqiptarëve dhe rritjes së mirëqenies do ndizen me të gjithë fuqinë.
Kështu që ne ecim të sigurt drejt Belshit madhështor, Elbasanit madhështor, Shqipërisë madhështore.
Miqtë e mi, këto rreze dielli që sot na shndrisin, por edhe na djegin pak, do të jenë burim energjie e pashtershme.
Çdo çati nga jugu në veri, në Dumre dhe kudo, do të ketë panelet fotovoltaike, të cilat do i vendosin me financimin e bankave dhe qeverisë dhe pas tre viteve, familjet do kenë energjinë gratis gjithnjë në vazhdim.
Kombi do sillet në moshën e rinisë, do bëjmë çdo gjë që këta të rinj të shkollohen, hiqet çdo mesatare.
Të punësohen, qeveria do paguajë sigurimet shoqërore për ta.
Dhe për çdo të ri të punësuar do ketë grante, kredi të buta dhe një çati për çdo çift me një grant prej 30 mijë eurosh, të cilin në rast se bëhet me tre fëmijë, nuk do e paguajë kurrë kredinë e marrë.
Ky është miq programi ynë.
Dëgjoni krahun tjetër. Ka qeverisur 12 vite dhe del me maskë në fytyrë. Vë një maskë dhe kalon si hokatar nga takimi në takim, jo po çyrykët, jo po budallenjtë, jo po këneta, jo po hardhucat, jo po zhapinjtë dhe kujton se me banalitete i bën shqiptarët të harrojnë se çdo qeveritar duhet të japë llogari para tyre për ato që ka bërë.
Ka hequr dorë nga premtimet, por prapë zakonin e tij të vjetër nuk e harron, nuk mund të mos gënjejë. Mirëpo kësaj here për gënjeshtra merr copëza nga programi ynë. Po kush ia beson atij? Askush. Edi Rama është njeriu më i pabesueshëm.
Miq, së fundmi dua t’u jap edhe një lajm tjetër.
Atë e thërret McGonigali.
Siç nuk ndahet tymi nga bloza, nuk ndahet Rama nga McGonigali.
McGonigali tani shtron para autoriteteve gjyqësore amerikane se unë vërtet u dënova për paratë që mora, por paratë m’i ka dhënë Edi Rama.
Kjo do të thotë se para gjithë botës është korruptues, është kryeministër që ka kryer krim dhe u garantoj se pas 11 majit do marrë përgjigjen që meriton.
Dhe ai është vetëm fillimi se proceset e tij nuk kanë fund.
Së fundmi, edhe dy fjalë.
Po përdor banda. Ua thashë edhe në Librazhd, e them edhe këtu.
Banditët që guxojnë t’u bëjnë ju shqetësimin më të vogël, do shpallen grupe terroriste me 12 maj dhe do trajtohen si të tillë. Bashkë me Edi Ramën, bashkë me Ballën, bashkë me ministrat dhe kriminelët e tjerë në qeveri.
Paralajmëron Prodën e Matriksit, njëfarë komisar në Përrenjas, Klodian Dani dhe disa ushtarë të tjerë të tij, se për çdo votë do keni një vit burg.
Se do pësoni atë që nuk ua pret mendja.
Mos ndërhyni në vullnetin e qytetarëve.
Asgjë nuk e mposht vullnetin tuaj.
Asgjë nuk na ndalon ne në marshin tonë drejt fitores.
11 Maji është ndryshimi i madh.
Është dita e ndryshimit.
Është radha jonë.
Është radha e Belshit madhështor, Cërrikut madhështor, Elbasanit madhështor, Shqipërisë madhështore.
Rrofshi ju, rroftë Belshi, rroftë Cërriku, rroftë Elbasani, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!